Albspirit

Media/News/Publishing

Dekriminalizimi “de facto”, asnjëri nuk lë mandatin!

 


Dekriminalizimi “de facto”, asnjëri nuk lë mandatin !

Përfundimi i fazës së parë të procesit të dekriminalizimit tregoi vetëm biografinë e errët të një pjese të zyrtarëve, por nuk pritet të pastrojë politikën. Të paktën deri tani, nga të dhënat që kanë vetëdeklaruar zyrtarët asnjë deputet nuk rrezikon mandatin. Edhe te lista e gjatë e kryebashkiakëve problematikë vetëm një ose dy prej tyre rrezikojnë të lënë mandatin si pasojë e dekriminalizimit. Por duket se partitë nuk do t’i lenë të ikin.

Fakti që procesi i dekriminalizimit është nul përsa i përket përjashtimit të deputetëve u pranua dje edhe nga deputeti i PD-së që ka hartuar ligjin, Oerd Bylykbashi. Ai tha për “Top- Channel” se nga ajo që ka parë deri më tani te vetëdeklarimi asnjë deputet nuk humbet mandatin. Por ka shtuar se ka dyshime se një pjesë e zyrtarëve të lartë mund të kenë fshehur të dhënat. Po pse u bë, gjithë kjo luftë për të dekriminalizuar politikën? U tallën me popullin?!

Juristët e pavarur shkojnë edhe më tej në padobishmërinë e këtij procesi. Konstitucionalisti Sokol Hazizaj, thotë se ligji është antikushtetues dhe i pa menduar mirë. Madje, ai hedh dyshime se dhe faza tjetër e verifikimit të deklarimeve që do të kryhet nga institucione të tjera nuk do të prodhojë asgjë. “Verifikimi kryhet nga titullari i institucionit. Ka vend për abuzime, pasi në bazë të miqësive dhe preferencave të titullarit, dikush mund të penalizohet pa të drejtë, ndërsa dikush tjetër të përjashtohet nga verifikimi”,- tha Harizaj, për “Report TV”.

Përveç kësaj bie në sy se në formularët e deklarimit nuk janë pasqyruar të gjitha të dhënat,  duke nisur që nga deputetë dhe kryetarë partish që dihet publikisht se kanë pasur procese dhe hetime për abuzime apo shpërdorim detyre. Një fakt tjetër lidhet dhe me denoncimet që u janë bërë në prokurori. Kontrolli i Lartë i Shtetit vetëm gjatë vitit të fundit ka bërë rreth 150 denoncime të zyrtarëve të lartë për shkelje detyre. Rezulton se në gjithë vetëdeklarimet nuk ka asnjë të dhënë që t’i referohet denoncimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Apo padi nga Prokuroria në këto vite.

Sipas ligjit të dekriminalizimit pas vetëdeklarimit procesi hynë në fazën e verifikimit nga institucionet e tjera. Deputetët dhe kryetarët e bashkive verifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili në rast se vëren pasaktësi i drejtohet prokurorisë. Deri më sot vetëm rasti i Kryebashkiakut të Kavajës është dërguar në Prokurori për verifikim pasi nuk mbante mend se përse ishte ndaluar para vitit 2002 nga policia gjermane. Të tjerët, 140 deputetë me ligjin e ri janë në rregull! Askush nuk ikën dhe askush nuk dënohet. Madje, ka mundësi që edhe ata që rezultojnë nga hetimet për vepra të rënda penale të rikandidojnë përsëri. Ndonjë kryebashkiak mund të largohet. Në administratën publike do të ketë më shumë raste që mund të ikin. Por a ishte ky qëllimi i ligjit? Që të ikin disa nëpunës të parëndësishëm dhe të mos prekeshin politikanët? Ligji u ideua për të larguar Krimin nga Kuvend, por mesa duket nga dekriminalizimi tashmë kemi të bëjmë me legalizim të krimit.

Një turp!

Nga mënyra si është hartuar ligji mund të përdoret vetëm për konsum politik dhe gjueti shtrigash. Fjala vjen, prej dy ditësh opinioni merret me një histori të parëndësishme 22 vjet më parë të Blendit Klosit, për dy shishe të thyera, kur në fakt ligji kishte si qëllim të na tregonte “të fortët”, trafikantët apo, mafien dhe kriminelët e Parlamentit. Detaje të tilla si ai i Blendi Klosit e bëjnë qesharak gjithë procesin dhe zhvleftësojnë një debat të lodhshëm tre vjeçar.

Në politikë ka deputetë dhe njerëz që kanë lidhje me krimin, që financohen nga trafiqet, që janë rrezik kombëtar, por që me këtë ligj as që iu hyn ferrë në këmbë. Një ligj që e rrotullojnë si të duan të dyja partitë e mëdha, pasi nuk duan të largojnë krimin nga radhët e tyre.

Pse nuk flet ambasadori Lu edhe për këtë rast, ku i detyroi ta miratonin ligjin -dhe bëri mirë- por pse hesht tani që duhet të ikin shumë politikanë pas formularëve? A duhet Prokuroria t’i hyjë me themel këtyre mafiozëve që janë  në Parlament dhe tani na dalin më të ndershmit e Shqipërisë?

Në Parlament krimi fërkon duart dhe qesh me popullin.

Please follow and like us: