Albspirit

Media/News/Publishing

Dekriminalizimi, pritet procesi i verifikimit për të parë nëse të zgjedhurit kanë fshehur të dhënat

Pas publikimit të formularëve të dekriminalizimit nga ana e KQZ-së, duket se asnjë prej deputetëve apo kryebashkiakëve nuk kapet nga ky ligj. Të dyja palët dyshojnë te informacionet e mbajtura të fshehura, për të cilat pritet të hedhë më shumë dritë procesi i verifikimit, ku përfshihet vetë KQZ dhe Prokuroria.

Pas plotësimit dhe dorëzimit të formularëve të vetëdeklarimit, ligji i dekriminalizimit ka hyrë tashmë në një fazë të dytë, atë të verifikimit të dhënave. Proçesi është kompleks dhe sipas ligjit, në të janë të përfshira 16 institucioneve të vendit.
Sytë janë kryesisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që verifikon formularët e vetëdeklarimit për deputetët dhe drejtuesit e pushtetit vendor, përfshi këtu anëtarët e këshillave bashkiakë. Pasi ky institucion publikoi online të gjithë formularët e dorëzuar pranë zyrave të tij, është krijuar bindja se asnjë prej atyre që gëzojnë një mandat përfaqësimi të qytetarëve, si në pushtetin qëndror, ashtu edhe në pushtetin vendor, nuk kapen nga ligji i dekriminalizimit.
Gjithsesi, të dyja palët, në të majtë e në të djathtë të spektrit politik, dyshojnë se surprizat mund të fshihen te mos deklarimi në formular i rasteve problematike. Nëse KQZ, gjatë verifikimit, do të hasë në mëdyshje të tilla, ligji i njeh të drejtën t’i drejtohet Prokurorisë për hetime të mëtejshme. Organi i akuzës ka ngritur tashmë një strukturë të posaçme që do të merret me hetimet në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, i cili i njeh të drejtën institucionet të drejtuar prej Adriatik Llallës që të nisë edhe vetë hetimet nëse ka indicie, pa pritur që t’i mbërrijë ndonjë kërkesë e tillë prej institucioneve të tjera.
KQZ është vetëm një prej 16 institucioneve të përfshira në procesin e verifikimit. Departamenti i Administratës Publike do të do të kontrollojë formularët e punonjësve të administratës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të verifikojë gjyqtarët dhe prokurorët, Kuvendi drejtuesit e institucioneve kushtetuese që emërohen nga ky institucion. Ndërsa Presidenca do të verifikojë ambasadorët e vendit, drejtorin e Shërbimit Informativ, shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantët e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore, kreun e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve. Kryeministria, Prefekturat, SHISH dhe Policia e Shtetit do të verifikojnë vartësit përkatës.
Please follow and like us: