Filantropistët e Tiranës
Në botkuptimin e një autoktoni tiranas është turp të të përmendet emri kur bën bamirësi. Nëse lavdërohesh për diçka që ke bërë ta marrin për mburrje, pra tangërllëk. Kjo dukuri tek tiranasit i ka rrënjët e thella falë mentalitetit të ngulitur ndër breza.
Të qënurit një tiranas mendjemadh sillte turp si për veten, por edhe për familjen. Familjet qytetare të pasura e kishin detyrim moral e shpirtërorë tu gjindeshin ekonomikisht të varfërve dhe nuk bëhej për të treguar karshillëk. Bëhej pa u mburrur dhe pa u dukur, thjesht në emër të shpirtit të mirë. Mirësinë e të parëve tanë po e marrim vesh vetëm tani pasi ata kurrë nuk donin t’iu reklamohej prej mentalitetit të lartpërmendur.
Pinjollët e familjes Petrela tregojnë sesi familja e Islam agë Petrelës në ditë duhet të shpërndante dhjetëra thasë miell dhe se kanapet e portës nuk mbylleshin kurrë. Histori të tjera janë si një familje pasur mbante me studime jasht një të ri ekonomikisht në vështirsi, psh: piktori i madh ndërkombtarë Ibrahim Kodra arriti të studionte në Itali falë bujarisë së familjes Beshiri. (1) Familje të tjera merrnin me banim për një afat kohe anëtarë nga familje të zonave përreth për t’i dhënë zanat, siç është rasti i familjes Tufina, e cila i dha zanatin e orëndreqësve vëllezërve kavajas, sot në Kavajë ajo familje në nder të tiranasve e ka mbiemrin Tufina paçka se nuk kanë lidhje farefisnore. (2) Apo histori sesi familjet e pasura e kishin detyrim që të martonin një numër të caktuar vajzash nga familjet e varfëra, pra t’i përgatitej paja dhe dasma, edhe duhej luftuar shumë mos merrej vesh se cila familje martonte cilën vajzë. “-Ka burra Tirona ije, – tha Rexhep Lalmi – si kërkun n’Shqipni. Burra që nuk t’lojn kurrë vetëm, po t’gjinen mu aty ku nuk ta pret menia. Ta bojn nerin pa u ni dhe nuk dun ta morin vesht askërkushi se kush e ka bo.”(3) Kështu do t’shprehej Rexhep Lalmi mbasi një mëngjes në të gdhirë gjeti tek porta oborrit sepetin me pajën e të bijës. Ndërsa ndonjë tiranas tjetër me punë zyrtare nuk u merrte pagesën të varfërve. I tillë është rasti i avokatit Myhedin Llagami, i cili punonte falas për të varfërit. (4) Kryetari i Bashkisë së Tiranës Ali Bakiu, i pari mbas luftës dytë botërore, shkonte në punë me biçikletë dhe rrefuzonte rrogën për t’i ardhur në ndihmë shtetit. (5) Shteti do ta shpërblente duke e burgosur 25 vjet për idetë demokrate.
Mbase pikërisht prej këtij zakoni bujar albanologu austriak George Von Hahn në kujtimet e tija për Tiranën në mes të shek 19 do të shkruante se nuk pa vobektësi në këtë trevë. Nuk e di ku i ka rrënjët ky zakon kaq i theksuar tek tiranasit, mbase tek feja, e cila të mëson ta bësh të mirën dhe të ta di Zoti dhe jo robi (njeriu). Përgjigje nuk i jap dot, por di të them që të qenurit modest ishte një mënyrë e shëndoshë jetese për shoqërinë e Tiranës.
Shkencëtari tiranas Osman Myderizi në librin e tij “Tirana 1604-1937” me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë flet qartë për virtytin e ngulitur thellë të humanizmit tek tiranasit, saqë përmend historinë se kur u ndërtua “Ura e Tabakëve” nga banorët e lagjes u bë pa përmendur emra konkretë, dëshirë kjo e vetë dhuruesve. E njëjta dukuri ndodhte dhe me “Urën e Terzinjve,” e cila u ndërtua me dhurimet e banorëve të lagjes, po ashtu pa iu përmendur emri. (6) Një bashkësi banorësh që jetonte në harmoni të plotë saqë rrefuzonin të dukeshin lart mbi tjetrin.
Fakti se është e vështirë të gjesh dokumenta mbi mijëra bamirësitë rrjedh pikërisht nga ky botkuptim, i të bërit mirë në emër të ndihmesës për tjetrin dhe jo vënia e emrit në një listë letre me bojë të zezë.
Në fshatin Mëzez dikur egzistonte një urë, e cila u prish nga çmenduria e demokracisë së rreme në Shqipërinë e këtij mijëvjeçari të ri. E pyes time më nëse e dinte përse banorët e thërrisnin “ura e Molit” dhe jo “ura e Mëzezit?” Ajo dhe pse tashmë gjyshe nuk e dinte. Sepse ura qe ndërtuar në shenjë bamirësie nga Ismail Tufina, i cili ka jetuar në treçerekun e parë të shek 19. Dihet që në dialektin tiranas Ismaili është Moli. Ime më nuk e dinte sepse kurrë në shtëpi s’qe ngrefosur njëri për këtë çështje. Aq të thjeshtë kanë qenë tiranasit asaj kohe sa me të vërtetë e praktikonin në jetë shprehjen “bëje të mirën dhe hidhe në det.”
Tiransit qytetarë autoktonë kokëfortësinë nuk e kanë huq. Ata njihen si njerëz shumë të dashur, të butë, edhe mikpritës. Njerëz që u pëlqen t’i zgjidhin gjërat me qetësi dhe pa shamatë. Një komunitet i karakterizuar nga humori dhe nga ndjenja toleruese karshi njëri tjetrit. Ata kanë një sedër të fortë dhe prandaj janë shumë të ndjeshëm kështu që mund t’i mbesë ndonjëhere hatri shpejt. Patriotizmin karshi vëllezërve të të njëjtit gjak e kanë treguar duke ia hapur portat dhe shpirtin shqiptarëve nga gjitha trevat. A ka formë më të lartë qytetarie se t’i falësh dashuri një bashkatdhetari? Ata dhe kur me pa të drejtë para 70 vitesh përziheshin nga shtëpitë e tyre në zemër të Tiranës për t’i mbushur me të ardhur shumica nga Jugu vazhduan dhe i donin shqiptarët. Edhe 25 vjeçarin e fundit ku me pa të drejtë i vidhet prona prej shqiptarëve shumica nga Veriu ata vazhdojnë dhe i duan bashkombasit e tyre. E ndjera tiransja nëndaja ime, edhe pse kishte kaluar një mori historish për t’i bërë film me të shoqin në burg, vjerrin në burg, të birin në burg, vëllain e vogël mbetur me studime jasht me izolimin e Shqipërisë dhe që nuk e pa për gjysëm shekulli, dy vëllezër të deklasuar si të diplomuar në Itali, pronat e pafundme të t’atit që ende sot zvarriten gjygjeve, pronat e pafundme tek i shoqi që ende po ashtu i gëzon bashkombasi gllabërues, kurrën e kurrës sa ishte gjallë nuk e përdori fjalën “jabanxhi.” Kurrë nuk tha një fjalë urryese për të rënurit në Tiranë, edhe pse në mes të natës këta të rënë e zvarritën prej krevatit me rrobat e trupit për mos ta parë më shtëpinë e nusërisë me dekada. Këta janë autoktonët e kryeqytetit, krejt paqësorë, edhe që ende vazhdojnë u bien në qafë nëpër libra. A nuk u lodhën vallë 70 vjet duke hedhur baltë mbi kryeqytetin e tyre?!
Ky lloj vesi për të shkelur me këmb Tiranën filloi me luftën e Partisë së Punës kundra qytetarëve vendali tiranas dhe me propagandën e saj se ishin “komunistët që e bënë këtë qytet.” Apo legjenda urbane turpërisht të trumpetuara nga ata që zbritën me opinga në Tiranë se gjasme “tiranasit ishin të prapambetur.” Kushdo që ka ardhur në Tiranë e ka derdhur djersë ndershmërisht afër mendjes që ka shtuar një tullë vlere në qytet. Veç mos mohoni vlerat që gjetët tek banorët.
Shembull ilustrues: E prishën Pazarin (Çarshinë) e Vjetër si diçka që tregonte prapambetje. Atë Pazar (Çarshi) nuk e nganë as arkitektët italianë, të cilët e projektuan Tiranën moderne karshi asaj të vjetrës. Se mos vetëm në Tiranë, atë fund pati dhe Pazari (Çarshia) në Shkodër, Elbasan e tutje.
Arroganca nuk është virtyt, por një ves i shëmtuar. U thonë tiranasve se ishin katundarë. Tirana ka patur qytetarë, dyer të mëdha, po ashtu shyqyr ka patur dhe tiranas katundarë. Gjithë qytetet e Shqipërisë kishin familjet e tyre qytetare, ose ndryshe “dyert e mëdha”, si dhe familjet katundare, po aq të nderuara në të drejtën e tyre për jetën.
A vallë nuk ishte Shqipëria një katund i madh? Panoramanën e katundarëve të raskaptitur që shisnin përdhe e kam parë jo vetëm në foto të Tiranës, edhe të Shkodrës, Prizrenit, Shkupit, Gjirokastrës, Korçës, Vlorës etj. Kēshtu ishte ndërtuar jeta në Shqipërinë 500 vjeçare osmane. Panorama e fshatarëve të lodhur duke punuar me djersë për bukën e gojës është e pranishme në çdo qytet të Shqipërisë së asaj periudhe. Çfarë them dhe unë, është e pranishme dhe sot. Ta duash qytetin apo fshatin ku të ka bërë koka bum është mëse normale, kjo nuk të jep në mënyrë absolute të drejtën të ulësh një trevë tjetër.
Unë mund të flas vetëm për Tiranën time, që e shoh se shumë shpesh i bien në qafë dhe duan t’ia ulin vleftën. Në të njëjtën kohë ia di dhe të metat e shkuara dhe të tanishme këtij qyteti. Tirana nuk ishte dhe as është Londra, por për aq sa ishte dhe është ka vleftën e saj të pamohueshme. “Edhe një plaçkë e hedhur tutje ka një histori për të treguar” – më thoshte shpesh im atë. Nuk mendoni se kryeqyteti juaj ka të drejtën për të treguar historinë e vet të pa cënuar? Mos harroni se as Shqipëria nuk ishte dhe as nuk është Britani e Madhe. Shqipëria vështruar nga jashtë ishte dhe është 1000 vjet mbrapa civilizimit perendimorë. Pra, nëse e vërejmë nga syri i një qytetari perendimorë ne jemi një anekdodë e pluhurosur. Prandaj epitetet “Parisi i vogël” apo “Venediku i vogël” parë nga aspekti i zhvillimit të Shqipërisë më duken shumë pa vend, nuk ngurroj të them që janë qesharake.
Kërkoj ndjesë për ndonjë të ofenduar kokëfortë tipik albanez. Ne shqiptarët kemi qef të mburremi, të bëjmë kokoshin, edhe dimë shumë mirë t’i biem gjoksit me dorë. Para disa vitesh në një mbrëmje argëtuese miqsh shqiptarë dhe amerikanë një vajzë amerikane tha se “vizitova verën e shkuar Syrin e Kaltër, por u skandalizova nga rruga që të çonte për atje dhe nga era e rëndomtë kudo.” Edhe sot më 2015 ajo rrugë është katastrofë. Një djalë shqiptar nuk e mbajti dot këtë konstatim të opinionit të lirë nga amerikanja dhe ia ktheu, “Motër, t’i duhet të kishe vajtur në Vlorë, se Vlora është bërë si Miami.” Ne të gjithë qeshëm, sepse na u duk vërtetë një batutë e bukur thënë me dialektin karakteristik lab. Por kur u pa se labi e kishte kryekëput me seriozitet plasi një debat shumë i gjatë. Kokëfortësia virtyt i popujve të prapambetur. Vlora është e bukur, vërtetë! Lum ne që na fali perëndia bukuri natyrore si Vlora. E nga natyra ia kalon Miamit, por jo nga infrastruktura e zhvillimi urban. Se fundja, çfarë kemi bërë ne për ta bërë si Miami? I bie të them, Tirana është bërë si Milano. Sa “mirë” do të ishte të tregohen dhe tiranasit e urtë disi kokëfortë në një vend ku kokëfortësia vlerësohet si virtyt i lart njerëzor.
———————————-
- Libri “Një kinema, një familje, një qytet” nga Zenel Anxhaku. fq 43.
- Jam mbesë e familjes Tufina. Stërgjyshi dhe gjyshi im merrnin shpesh djem nga familje të Shqipërisë së Mesme ose Kosova, Dibra, Mati për t’i dhënë zanat.
- Libri “Tregimet e Tironës” nga Bedri Alimehmeti, fq 52.
- Këtë histori ma ka treguar inxhinieri Ardian Llagami, i cili e ka gjysh Myhedin Llagamin.
- Këtë histori ma ka treguar studiuesi dhe shkrimtari Gazmend Bakiu, i cili e ka baba Ali Bakiun.