Kadare: Si ia besova Matteo Mandalasë dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”
Në ditën e nderimit të shkrimtarit nga presidenti, në mes tre botimeve të reja për Ismail Kadarenë ngjarje unike do të konsiderohej botimi kritik i romanit Dimri i vetmisë, një punë filologjike e jashtëzakonshme e studiuesit arbëresh Matteo Mandala. Si u shkrua romani në kushtet e “palirisë” dhe shfaqja e të gjitha varianteve të ndreqjeve, ndalimit, mungesat; sa ndikoi Kongresi i Drejtshkrimi më ’72, në gjuhën e romanit të sapodorëzuar të Kadaresë në redaksinë e asaj kohe. Rrëfimi ekskluziv i Kadaresë për dorëzimin e dorëshkrimit filologut arbëresh
Për shkrimtarin Ismail Kadare ka qenë një ankth i madh deri në fitimin e gjyqit ndaj Nexhmije Hoxhës për t’i marrë dorëshkrimin origjinal të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Ngjarja është shoqëruar me zhurmë në media, kur e veja e diktatorit refuzonte t’ia dorëzonte shkrimtarit veprën e tij, në dorëshkrim. Kjo është nga episodet më të vështira që ka kujtuar Kadare: “Kisha frikë se Nexhmija ma digjte romanin. Arbëreshi Matteo Mandala po bën një punë kolosale në deshifrimin dhe zbulimin e tekstit. Është një tekst i mahnitshëm, është i vetmi, origjinal”. Në këtë rrëfim ekskluziv shkrimtari tregon se “e kam shkruar dhe e kam daktilografuar direkt dhe gjithnjë kam punuar mbi tekstin e daktilografuar”.
Vepra që studiuesi arbëresh ka pasur në dorë ka qenë kopje e vetme, të cilën ia ka besuar shkrimtari për të zbërthyer e zbuluar nënshtresat e dorëshkrimit, si ka qenë procesi krijues i autorit. Si një nga romanet kulmore të gjithë projektit letrar të Kadaresë, si duket Dimri i vetmisë së madhe do mbetet një trajtesë historike, qoftë dhe për dimensionin që do të marrë tani me botimin e këtij edicioni kritik i dorëshkrimit, tekst i parë nga Matteo Mandala.
Gjurma që ka kjo vepër në krijimtarinë e Kadaresë më tej se letrare, tani merr një histori zbulimi si jashtëtekstor ashtu dhe kontekstuale.
Në këtë rast, kur filologu ishte në procesin e këtij edicioni, dhe Kadare e ndiqte së largu, krejtësisht i ftohtë, duke u shprehur se sot përmes këtij dorëshkrimi sheh punën e bërë, si proces krijues. “Kur e shoh se sa kam punuar, shkruar, prishur e ndrequr më duket e mahnitshme. Ishte një tekst mjaft delikat, donte shumë kujdes, sepse për një fjali mund të ikte gjithë teksti…”, ka kujtuar Kadare.
Rasti konkret që përmend shkrimtari është një episod kur Hrushovi thoshte në roman për Enverin se një ditë ky njeri do t’i gjunjëzohej. “Kjo ishte e rrezikshme për t’u shkruar”, thotë Kadare, duke vlerësuar se Mandala po bënte një punë kolosale me tekstin e tij, në dorëshkrim.
Dhe ja ku botimi kritik i parë për letërsinë bashkëkohore shqiptare është në librari. “Në studion Kadare”, Matteo Mandala sjell veprën e Ismail Kadaresë, edicionin kritik të dorëshkrimeve. Për fazën parashkrimore, në parathënien e botimit, Mandala shkruan se si u realizua ky edicion kritik, metodat dhe shkollën filologjike që ka ndjekur. Ndër të tjera ai ndalet në rrëfimin se si u shkrua kjo vepër, në ç’rrethana. Mandala thekson se, pavarësisht nga arsyet që e shtynë Kadarenë të merrej me “ngjarjet” e Moskës të vitit 1960 dhe me pasojat politiko-ideologjike që rrodhën nga prishja e marrëdhënive me Bashkimin Sovjetik të Hrushovit, thotë se shkrimtari filloi të mblidhte të dhëna në Arkivin e Komitetit Qendror aty nga fundi i vitit 19679, dhe se tashmë projekti i romanit të ardhshëm u përvijua gjatë vitit 1970. Në fakt, Mandala këtu i referohet edhe kujtimeve të së shoqes deri në pranverën e atij viti:
“Is po shkruante […] me ngut Kronikë në gur. Donte të përfitonte që ta botonte së paku edhe atë roman përpara se të fillonte ndonjë ngatërresë me romanin e grindjes me rusët. Nuk kishte shkruar asnjë radhë nga ky i fundit…”
Filologu thotë se ka një minierë të dhënash, karakteristikat e të cilave janë të tilla që i hapin udhën një interpretimi më objektiv të tekstit duke krijuar kushtet për një vlerësim estetik të denjë për kompleksitetin e veprës kadareane. Sipas një varianti të dorëshkrimit, dëshmohet një gjendje e lirë krijuese, konsideruar prej filologut e jashtëzakonshme, sikur e ka përshkruar edhe Helena Kadare:
“Is po vazhdonte të shkruante Dimrin. E bënte këtë punë me kënaqësi, pa pasur ndjenjën se po kryente diçka të detyrueshme, ose se “po paguante taksën”, siç thuhej. Ai po e shkruante romanin e grindjes me rusët, siç do të shkruante çdo vepër tjetër. Me të njëjtën kënaqësi dhe më të njëjtin ritual. Siç ma kishte shpjeguar vetë disa herë, para se të fillonte diçka ai bënte një test të fshehtë. Testi ishte ky: a do ta shkruante dhe si do ta shkruante këtë vepër në qoftë se nuk do të jetonte në Shqipëri, por diku gjetkë, ta zëmë në Zvicër? (kisha vënë re se ky vend iu kujtohej të gjithëve, kur ishte fjala për asnjanësi). Testi kishte këto përgjigje: Nuk do ta shkruante. Do ta shkruante, por fare ndryshe. Do ta shkruante pothuajse njëlloj si në Shqipëri. Is i kishte mbushur mendjen vetes se historinë shqiptaro-ruse do ta shkruante pothuajse siç do ta shkruante po të ishte i lirë, me fjalë të tjera, siç do ta shkruante në atë “kohën tjetër”
Në parathënie sqarohet se përdorimi i disa penave jo vetëm që na shtyn të mendojmë se procesi i shkrimit do të jetë ndërprerë disa herë, por na konfirmon teknikën krijuese të Kadaresë, i cili shpesh kthehej prapa për të modifikuar tekstin.
Mandala shënon se është e vlefshme të ndalet se titulli i pjesës së IV është shkruar me një penë të ndryshme nga ajo e tekstit të kapitullit, çka dëshmon edhe një herë se aparati i brendshëm titullor është shtuar pasi kishte mbaruar shkrimi i romanit.
Mandala ndihmon për të kuptuar veprën e autorit përmes parathënies duke shënuar se ku ndërhyn pena e autorit, gjithmonë e njëjta për të gjitha fletët, por vëren se vihen re disa ndërhyrje ndreqëse me pena të ndryshme. Kjo sipas filologut dëshmon edhe një herë se këto ndërhyrje i përkasin një faze të mëvonshme shkrimi.
Mandala përmend në parathënie disa humbje, fletë që mungonin, por pa shumë peshë, e konsideruar një çështje që do të rimerret më tej duke thënë se tani për tani paraqitet si domosdoshmëri shtjellimi i mënyrës së përdorimit të këtyre materialeve gjatë punës për botimin kritik.
Duke hyrë në historinë e shkrimit dhe “stemma codicum”, filologu sqaron se historia e shkrimit të tekstit të romanit ka në fakt një kufi të sigurt kohor “ante quem” që shënohet nga botimi i shtypur, por që nuk dihet ende me siguri për çastet e tjera kyçe që shënojnë fillimin dhe vazhdimin e punës së shkrimit.
Për t’u siguruar mbi hipotezat e fillimit të shkrimit të romanit, më ’71 dhe se mbaroi më 8 shtator 1972, filologu thotë se mbetet për t’u shqyrtuar mbi bazën e elementeve jashtëtekstore dhe kontekstore, puna parapërgatitore që bëri Kadare.
Në çdo rast, thotë Mandala, mbeten ende për t’u fiksuar kufijtë kohorë relativë, me synimin për të nxjerrë në dritë elementet e ndërveprimit mes tekstit dhe kontekstit. “Në këtë suazë dëshmitë që na ka dhënë Helena Kadare në librin e saj me kujtime marrin një rëndësi të veçantë për të dalluar së paku katër çaste kyçe të historisë së shkrimit të romanit”, shkruan Mandala.
Mbi rishikimin e parë të veprës, ( të cilën Mandala i ka shënuar fazat me shenja përkatëse) i rezulton se mbyllet në fund të vitit 1972, me dorëzimin e dorëshkrimit në redaksi për t’u daktilografuar. Sërish studiuesi i referohet pohimit të Helena Kadaresë kur kujton se “dorëshkrimi i Dimrit të vetmisë së madhe” kishte shkuar në shtyp”. Këtu fillon, sipas Mandalasë faza e dytë e historisë së shkrimit të tekstit dokumentuar nga dorëshkrimi, ku mendohet se autori ka ndërhyrë duke bërë ndryshime e plotësime mes rreshtash dhe anash faqes ose duke shtuar fletë të reja dorëshkrim me fragmente më të gjata teksti. “Këto ndërhyrje janë të tilla që dëshmojnë se dy materialet janë të lidhura logjikisht aq ngushtë mes tyre, sa mund të themi pa hije dyshimi se njëri rrjedh kronologjikisht pandërmjetshëm nga tjetri…”
Ishte faza përfundimtare , koha kur vepra do të dorëzohej për shtyp, kur në Tiranë po zhvillonte punimet Kongresi i Drejtshkrimit (20-25 nëntor 1972) i cili miratoi rregullat drejtshkrimore që filluan menjëherë të zbatoheshin nga redaksitë e shtëpive botuese. Kjo ndodhi, thotë Mandala edhe me botimin e Dimrit.
“Pavarësisht faktit që këto ndryshime prekin vetëm rrafshin gjuhësor, mbetet gjithsesi problem filologjik i përcaktimit të vullnetit të autorit, aq më tepër kur ato sollën pasoja kontradiktore; nga njëra anë, u cenua idolekti i autorit në emër të “ndreqjes së pasaktësive” fonetike e morfologjike, nga ana tjetër, redaktorët me ndryshimet që i sollën tekstit shkelën vetë rregullat drejtshkrimore të sapovendosura…”
Ndërsa ndalet në kriteret për botimin kritik, filologu thotë se “kohët e fundit në Shqipëri është folur shumë, ndonjëherë edhe pa vend, për kritikën gjenetike, duke iu referuar madje metodologjive që karakterizojnë të ashtuquajturën “shkollë filologjike franceze”, të cilat dallojnë nga praktika ekdotike “kritiko-gjenetike” e “shkollës filologjike italiane”. Të shumta janë dallimet mes këtyre dy shkollave, por po aq të shumta janë edhe pikët e përbashkëta. Më e rëndësishmja ndër këto të fundit është padyshim pesha vendimtare e dorëshkrimeve të një vepre, të një autori a të një epoke. Mungesa e objektit të studimit filologjik – pra dorëshkrimit- jo vetëm që e cenon rëndë perspektivën e kërkimit të të dyja shkollave, por i hap udhë keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve të arsyeve “pragmatike” mbi të cilat ato bazojnë veprimtarinë e tyre, që tek e fundit e gjejnë shprehjen te botimi kritik i materialeve parapërgatitore të një vepre”
Pikërisht thotë Mandala mënyra se si përdoren materialet drejtshkrimore dhe se si botohen ato dallon dy qasjet jo vetëm në planin metodologjik, por edhe në atë teorik. Për shkollën franceze të gjitha materialet janë të dobishme për të dokumentuar gjenezën e një teksti, qofshin këto skica të plota, shënime sporadike, a lista fjalësh. Duke parë vështirësitë që paraqet botimi i dy materialeve që dokumentojnë shkrimin e Dimrit të vetmisë së madhe, Mandala thotë se u vendos të ndërtohet një aparat kritik i përbërë nga disa breza, duke i dhënë secilit syresh funksione dhe detyra ekdotike të ndryshme.
V.Murati
Kadare: Kisha frikë se Nexhmija do të më digjte dorëshkrimin
Menjëherë pas gjyqit në vitin 2012, ndaj së vesë së diktatorit për dorëshkrimin e romanit Dimri i vetmisë së madhe, Kadare thotë se ja ka dorëzuar arbëreshit Matteo Mandala, duke i besuar kështu një punë kolosale në zbulimin e tekstit të romanit në origjinal.
Kjo është nga episodet më të vështira që ka kujtuar Kadare: “Kisha frikë se Nexhmija ma digjte romanin. Arbëreshi Matteo Mandala po bën një punë kolosale në deshifrimin dhe zbulimin e tekstit. Është një tekst i mahnitshëm, është i vetmi, origjinal”. Në këtë rrëfim ekskluziv shkrimtari tregon se “e kam shkruar dhe e kam daktilografuar direkt dhe gjithnjë kam punuar mbi tekstin e daktilografuar”.
Vepra që studiuesi arbëresh ka pasur në dorë ka qenë kopje e vetme, të cilën ja ka besuar shkrimtari për të zbërthyer e zbuluar nënshtresat e dorëshkrimit, si ka qenë procesi krijues i autorit. Si një nga romanët kulmore të gjithë projektit letrar të Kadaresë, si duket Dimri i vetmisë së madhe do mbetet një trajtesë historike, qoftë dhe për dimensionin që do të marrë tani me botimin e këtij edicioni kritik i dorëshkrimit, tekst i parë nga Matteo Mandala.
Gjurma që ka kjo vepër në krijimtarinë e Kadaresë më tej se letrare, tani merr një histori zbulimi si jashtëtekstor ashtu dhe kontekstuale.
Në këtë rast, kur filologu ishte në procesin e këtij edicioni, dhe Kadare e ndiqte së largu, krejtësisht i ftohtë, duke u shprehur se sot përmes këtij dorëshkrimi sheh punën e bërë, si proces krijues. “Kur e shoh se sa kam punuar, shkruar, prishur e ndrequr më duket e mahnitshme. Ishte një tekst mjaft i delikat, donte shumë kujdes, sepse për një fjali mund të ikte gjithë teksti…”, ka kujtuar Kadare.