Albspirit

Media/News/Publishing

Mali i Zi në NATO, në Rusi flasin për asgjësim të çdo neutraliteti.

Mali i Zi në NATO, në Rusi flasin për asgjësim të çdo neutraliteti. Paralajmërohen turbullira politike në rajon

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATo nuk është pritur mirë në Rusi. Moska zyrtare ka kundërshtuar përherë politikën e zgjerimit, që Aleanca e Atlantikut të Veriut ka ndjekur, gjithnjë me arsyetimin se zgjerimi në kushtet e një asimetrie konvencionale në kërcënime, nuk justifikohet. Shkrirja e Traktatit të Varshavës do të duhet të prodhonte këtë balancë dhe frenim, por ai prodhoi të kundërtën: Perëndimi plotësoi boshllëkun. Bashkë me vendosjen e sistemeve mbrojtëse në Rumani, Poloni si dhe ngritjen e forcave të reagimit të shpejtë, ideja e një konflikti mes Rusisë dhe Perëndimit është reale.

Mali i Zi vjen si akt i fundit “dorëzimi” i neutralitetit në kuadër të një rajoni që po ngjyroset përherë e më shumë me flamurin e NATO-s. Çfarë mund të bëjë Rusia dhe sa e përcënon reagimi i saj stabilitetin e Ballkanit?

Është herët për të folur, por zëra nga Moska kanë nisur të paralajmërojnë. Në një shkrim, publikuar në “Russia-Direct”, një faqe analizash e financuar nga “Rossiyskaya Gazeta”, gazeta zyrtare e qeverisë ruse, paralajmërohen aksione me natyrë politike, që mund të sjellin trazime.

Autori i shkrimit, Matvey Lomonosov, shkruan se hapat që po hidhen në drejtim të Europës Lindore nga Perëndimi, por konstitutojnë një RealPolitik, çka e lehtëson aktivitetin dhe kundërbalancimin rus. Sipas tij, NATO ka shkelur, me anëtarësimin e Malit të Zi, parimet e demokracisë që pretendon se i promovon, pasi aleanca ka shpërfillur ndarjen e madhe që ekziston në këtë vend lidhur me rreshtimin ushtarak. “Pranimi i Malit të Zi në NATO tregon se nuk ka konesnsus mbi anëtarësinë në Aleancë. Çështja ka krijuar tashmë një krizë të brendshme politike. Shumë sondazhe tregojnë se jo më pak se 40% e Parlamentit e kundërshton vendimin për t’iu bashkuar NATO-s. Një lëvizje e tillë rrezikon procesin demokratik dhe pengon konsolidimin politik”, shkruan autori. Si përgjigje eventuale për këto që po ndodhin është përfshirja e Rusisë në politikat e brendshme të vendeve të cilat nuk kanë unanimitet në pjesëmarrjen në NATO, duke ndikuar te partitë apo grupet që janë kundër anëtarësimit, duke dhënë mbështetje për ta.

Së dyti, sanksionet ruse ndaj Malit të Zi mund të bëhen realitet. Procesi i paqes në Ukrainë mund të bëhet më i vështirë. Të gjitha pra hapësira ku Rusia do të përpqiet, apo mund të përpiqet ta bëjë shumë të kushtueshëm këtë lëvizje, e cila homogjenizon hartën nga Atlantiku deri në Detin e Zi. “Qeveria ruse nuk e ka kundërshtuar pranimin në NATO të atyre vendeve ku opinioni publik dhe vizioni politik ka qenë unanim, konkretisht Shqipëria dhe Kroacia. Gjithësesi ajo është përpjekur të shpëtoj një “zonë neutraliteti”, shtete me ndasi të brendshme, si Mali i Zi, Bosnje-Heregovina dhe Ukraina, duke vënë theksin te nevoja për të respektuar procesin demokratik lokal dhe ndarjet politike”, shton autori(http://www.russia-direct.org/opinion/if-montenegro-joins-nato-get-ready-…). Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë, por fakt është se akti me vendin tonë fqinj nuk duket se do të kalojë lehtë.

Please follow and like us: