Polonia në shtyllën e ndëshkimit të BE
Komisioni i BE po ndez shkallën e dytë të procedurës juridike kundër Polonisë. Varshava është e shqetësuar. Ku mund të çojë ende grindja për Gjykatën Kushtetuese?
Me procesin kundër Polonisë, për shkak të shkeljes së shtetit juridik, Komisioni i BE ecën në tokë të parrahur. Për herë të parë, Komisioni i Junckerit përdor një instrument, të cilin e krijoi jo më larg se në mars 2014 me mbështetjen e Parlamentit Evropian, por kundër rezervave të Këshillit të Ministrave, pra të përfaqësive së qeverive nacionale.
I ashtuquajturi mekanizëm i shtetit juridik është në thelb vetëm një dialog formal, i strukturuar midis Komisionit dhe “shkelësit të ligjit”. Mekanizmi u ngrit si parashkallë për procesin e mirëfilltë të sanksionimit, sipas Nenit 7 të Marrëveshjeve të Lisbonës të BE.
Për se e akuzon Komisioni i BE Poloninë?
Zëvendëspresidenti i Komisionit, Frans Timmermans dhe juristët e tij e akuzojnë qeverinë polake se shteti juridik në Poloni “është i rrezikuar në mënyrë sistematike”. Ndryshimet në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese dhe reduktimi i mënyrës si punon ajo e kufizojnë pavarësinë e drejtësisë në një mënyrë të tillë, që i shkel parimet evropiane të shtetit juridik. Këto parime janë fiksuar në Marrëveshjet e Lisbonës, të cilat natyrisht i ka nënshkruar edhe Polonia si shtet anëtar. Refuzimi i qeverisë për të publikuar vendimet e Gjykatës dhe për t’i njohur ato, e kanë acaruar gjendjen.
Si reagon qeveria polake?
Kryeministrja nacionalkonservatore Beata Szydlo preferon tone të larta. Në mënyrën si vepron Komisioni i BE ajo sheh një sulm ndaj sovranitetit të Polonisë. Ajo ngul këmbë që Partia e saj, pas një fitoreje të madhe në zgjedhjet e vitit të kaluar ka të drejtë t’i formësojë drejtësinë, mediet dhe politikën në një mënyrë të tillë, siç e dëshirojnë zgjedhësit për mendimin e saj. Negociatat personale të Timmermanns në Varshavë nuk sollin afrimin e pozicioneve. Szydlo bubulloi në Parlament se Komisioni i BE kërkon të shkatërrojë BE: “Nuk është Polonia që ka një problem me Komisionin – Komisioni ka një problem me veten e tij.”
A ka një arbitër?
Në parim, i ashtuquajturi Komision i Venecias i Këshillit të Evropës në Strasburg është një institucion i njohur për trajtimin e çështjeve të shtetit juridik. Këtij organi të përbërë nga juristë evropianë dhe amerikanë të së drejtës publike qeveria polake i kërkoi shprehimisht të japë mendimin e tij. Por Komisioni i Venecias votoi në mars kundër Polonisë. Papritur, qeveria e Varshavës nuk u ndje më e lidhur në premtimin e saj se do ta pranonte vendimin e Komisonit të Venecias.
Si do të ecë tani procesi?
Pas hapjes së dialogut në janar, qeveria polake kushte katër muaj kohë për ta shpjeguar mënyrën si kishte vepruar. Por meqenëse Komisioni i BE deri tani nuk mund të konstatojë se qeveria polake është marrë me rezervat e shprehura nga Komisioni, ai ndez tani shkallën e dytë të mekanizmit: ai publikon një paralajmërim publik ndaj Polonisë, që të kthehet në parimet e shtetit juridik. Tani qeveria polake ka dy javë kohë që të reagojë ndaj paralajmërimit. Po të mos shfrytëzohet ky afat, Komisioni i BE do të japë një rekomandim konkret se cilat hapa juridike dhe politike do të ndërmarrë Polonia, veçanërisht për të ruajtur pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe lirinë e medieve. Nëse Polonia i injoron këto paralajmërime, atëherë është e hapur mundësia që të niset një procedurë sipas Nenit 7 të Marrëveshjes së Lisbonës.
A mund ta ndëshkojë me të vërtetë BE Poloninë?
Komisioni Evropian nuk ka mundësi që të japë ndëshkime kundër një vendi anëtar. Këtë mund ta bënte vetëm Këshilli i BE, pra organi ku përfaqësohen të 28 shtetet anëtare. Këshilli mund të konstatojë sipas Nenit 7 të Marrëveshjes së BE me një shumicë prej katër të pestat të votave që në Poloni “ekziston rreziku i qartë për një shkelje të rëndë” të vlerave të përbashkëta. Polonia do të merrte rekomandime për ta eleminuar këtë mangësi. Nëse kjo nuk do të sillte dobi, Këshilli mund të konstatojë se ekziston një “shkelje e rëndë” e vlerave të përbashkëta. Kjo duhet bërë me vota unanime. Si hap të fundit, Këshilli mund të vendoste sanksione kundër Polonisë: ose t’i heqë të drejtën e votës ose të shkurtojë mjetet financiare. Polonia është gjithsesi përfituesja më e madhe e ndihmave të BE. Për vendosjen e këtyre sanksioneve nevojitet vetëm një shumicë e kualifikuar votash./DW/