Avionët F-35 mbërrijnë në Holandë për fluturimet testuese
Kanë mbërritur në Holandë për të kryer fluturimet testuese dy avionët luftarakë të gjeneratës së re F-35, që janë prodhuar nga një konsorcium ndërkombëtar, pjesë e të cilit është edhe Turqia.
Dy avionë luftarakë të tipit F-35, të prodhuar në kuadër të Programit për Avionin e Përbashkët Sulmues (JSF), ku bashkë me Turqinë marrin pjesë 9 shtete, janë dërguar në Holandë për të kryer fluturimet testuese.
Avionët u ngritën nga Baza Ajrore Edwards në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe zbritën në qytetin Leeuwarden të Holandës.
Në ceremoninë e organizuar në aeroport me rastin e mbërritjes së avionëve luftarakë të gjeneratës së re, të cilët në hapësirën ajrore të Holandës hynë nën shoqërimin e gjuajtësve F-16, mori pjesë edhe Ministrja e MbrojtjesJeanine Hennis Plasschaert, e cila përgëzoi pilotët për fluturimin e parë.
Avionët F-35 do të qëndrojnë në Holandë për 3 javë dhe pasi të kenë përfunduar fluturime të ndryshme testuese, përfshi edhe ato të zhurmës, do të mund të vizitohen nga qytetarët.
Avionët e rinj F-35 do të jenë 4 herë më efektivë se sa avionët luftarakë në përdorim sot siç janë ata të tipit F-16 dhe F-18. Këta avionë do të kenë aftësinë të kryejnë sulme e operacione ajër-ajër dhe ajër-tokë. Kjo gjeneratë është e pakapshme nga radarët. Ky avion i ri është projektuar për herë të parë në vitet 1990 dhe më pas është prodhuar nga një konsorcium ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia.
Në këtë projekt Turqia ka hyrë në vitin 2002. Ortakët e tjerë të projektit janë Australia, Kanadaja, Danimarka, Italia, Holanda, Norvegjia, Anglia dhe Gjermania.
Kurse Izraeli, Japonia dhe Koreja e Jugut do ti blejnë këta avionë nga konsorciumi ndërkombëtarë si blerës të huaj të materialeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Turqia pret që 2 nga 100 avionët luftarakë të tipit F-35 që ka porositur gjithsej ti marrë në dorëzim vitin e ardhshëm.