Albspirit

Media/News/Publishing

Gjetja e dashurisë për jetën…

 

Gjetja e dashurisë për jetën...

(Recension për librin “Të gjallë dhe të vdekur” të autorit Ilirian Zhupa)

Lumturie Jaha
Ilirian Zhupa mund të themi se është një ndër poetët e shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Njëherë e një kohë ishte tepër i pranishëm me poezitë e tij, botuar në të përditshmet e kohës së rinisë poetike. Por, ai na është kthyer sërish tash së voni edhe me një libër poetik letrar-filozofik, me të cilin i ka mahnitur, si kurdoherë më parë, gjithë lexuesit e tij.
Vëllimi poetik “Të gjallë dhe të vdekur” është një libër që lexohet me kureshtje, që të tërheqë dhe të thërret ta kapërdish edhe hapësirën ndërmjet rreshtave. Me këtë vëllim poeti Zhupa vjen pas një pauze dy dekada e ca vjet. Megjithëse nuk botoi për kohë kaq të gjatë, ai asnjëherë nuk u ndal së krijuari poezi. I është dashur një çerekshekull të kalojë që ta botojë vëllimin poetik më 2015, që mund të themi se është një vëllim biografik, pasi këtu autori paraqet jetën e vet dhe të popullit, përjetimet e tij që nga koha kur lindi, fëmijëria e deri më sot, që me mjeshtri të rrallë, gjuhë të zgjedhur e të figurshme, krijoi poezi me të cilat e fitoi “Çmimin e Republikës”.
Siç ndryshon edhe jeta njerëzore, bashkë me të ka ndryshuar edhe poezia ndër vite. Ndryshimi ka ndodhur në lëvizje me jetën, dhe këtë ndryshim më shumë se sa vetëdija njerëzore e ka përcaktuar vetëdija estetike.
Poeti krijohet në kohën kur jetoi dhe vazhdon të ndikohet nga rrethanat e jetës së tashme. Poezia e Zhupës është poezi e të gjitha kohërave, është poezi që në thelb e ka qënien njerëzore, me të gjitha ndjesitë që e përbëjnë atë. Që në fillim të vëllimit, poeti vë përballjen e të kundërtave, dy ekstremeve të vëna bashkë, që hedh dritë mbi to, paraqitja e pakënaqësive të tij, padrejtësitë dhe përballjen me jetën e vdekjen, dashurinë dhe urrejtjen, dritën dhe errsirën, të keqen me të mirën, engjëjt me djajtë.
Ky vëllim poetik përbëhet nga ciklet: “Nën lëkurë”, ”Mbi lëkurë”, cikli “Ura”, një grup poezish të botuara në vitet ‘75, ’90, si dhe poema “Qielli im”.
Vëllimi poetik “Të gjallë dhe të vdekur” sa është njerëzor, edhe poetik e filozofik, sepse çdo përvojë njerëzore, sado madhore të jetë, e bën pjesë të njeriut dhe të shoqërisë që na rrethon:
Zotat u ngjitën në qiell dhe s’din më të zbresin,
Kanë frikë mos dheu nga lindën, është dheu ku duhet të vdesin.
Jeta njerëzore ka edhe ndarjen e saj në periudha. Ndaj mund të themi se edhe vëllimi poetik i lartpërmendur ndahet në disa periudha kohore. Qysh nga vitet ‘90 e gjithë historia njëzet e pesë vjeçare shqiptare pëson një deformim në bazë të rrethanave, e këtë më së miri e paraqet në poezinë “Vdekja e vendlindjes”, në të cilën çdo gjë kishte ndryshuar. “Asnjë shenjë nga dashuria e hershme nuk paska mbetur mbi dhe”, pohon autori në poezinë e tij me të njëjtin titull.
Mund të themi se kjo poezi ngërthen në vete të gjitha kohërat, ndaj poeti përmes saj pasqyron të kaluarën, por edhe të tashmen. Pak poezi të reja janë paraqitur pasi që tani është çasti që të reagojë, sepse po e shkatërrojmë gjuhën tonë, po e shkatërrojmë natyrën, shtëpitë tona, duke mos e ditur që ne po e shkatërrojmë vetveten tonë.
Jemi një popull që edhe njeriun nganjëherë e kemi trajtuar më keq se gurin.
Çdo mbrëmje kthehem në shtëpi nga rruga
me këpucë të drunjta, me këmbë të drunjta.
Ku më mbyllin gojën dhe sytë e mjegulluar,
Me trup të drunjëzuar, me zë të drunjëzuar.
“Ka ardhur një kohë e drunjtë”, thotë poeti Zhupa, pa shpirt, pa ndjenja, ku bën një krahasim dhe figurën e ujkut e personifikon me njeriun:
Ujku ha ushqimin e vet dhe të shokut
Njeriu ha ushqimin e vet dhe të shokut.
Sigurisht, se nga kohëzgjatja e shkrimit të kësaj përmbledhjeje, autori gjeti hapësirën të shkruajë për tema sociale, shoqërore, politike, por vëmendje i kushtoi edhe familjes. Poeti shkruan për motër Elisavën, tashmë të vdekur, por nuk i harron as miqtë:
Unë shkoj në udhën time, miqtë e mi në të vetat,
Pavarësisht nga qëllimet, udhët për fat s’janë të njëjta.
Shpesh poezia përkufizohet si çast i kapjes së rastit poetik, i gjetjes poetike, i figurës poetike. Tek Ilirian Zhupa çasti poetik nuk është çast, por është prej kohësh, ndaj kjo ka bërë që të jetë poezi më interesante dhe të pësojmë një përjetim sa më të gjatë kohor.
Edhe te cikli “Qielli im”, të cilin poeti e ndan në tri pjesë: Ati, biri e shpirti, kemi një mendim psikologjik, religjioz, si diçka hyjnore, që shpirti ynë i nënshtrohet fatit të përcaktuar nga lart.
Mund të themi se vëllimi me poezi “Të gjallë dhe të vdekur” është një përmbledhje poetike në të cilën autori ka arritur ta shkrijë bukur ngacmimin estetik të së shkuarës dhe atë të së tashmes me dhimbje për të ndryshuar atë që do të vijë, që vetë titulli i librit e përcjell këtë dhimbje.
Në fund fare, mund të thuhet se vargjet që krijoi ky autor brenda disa vjetësh dëshmojnë fort se poeti, sikur edhe herëve të tjera, vjen me plot përgjegjësi para lexuesve të shumtë, e kjo ndodh për faktin se ai (poeti) e ka gjetur udhën e dashurisë për jetën.

 

Please follow and like us: