Hamilton kundër tabusë Monako
Lewis Hamilton e përshkroi Çmimin e Madh të Monakos si “thembra e Akilit” dhe nuk është e vështirë ta kuptosh pse. Nga 9 gara të zhvilluara, piloti britanik ka dalë vetëm një herë i fituar dhe kjo daton para 8 vitesh.
Në një intervistë për “SkySports”, ai tha e pranoi se në tre vitet e fundit ka pasur makinën për ta fituar këtë garë, por nuk e shpjegon dot mossuksesin e tij në principatë.
Në vitin 2007 u regjistrua gara e parë e Hamilton në Monako, ndërsa e mbylli garën në vendin e dytë pas shokut të skuadrës tek McLaren, Fernando Alonso, por fitorja e këtij të fundit solli shumë polemika duke detyruar edhe FIA-n të nisë një hetim.
Një vit më pas, Hamilton arrin të përfundojë garën i pari në Monako duke befasuar të gjithë. Kjo fitore vazhdon të jetë e para dhe e fundit e pilotit britanik në Çmimin e Madh të Monakos.
Pas disa gabimeve dhe penalizimeve, në vitin 2009, Hamilton e nis garën në Monako nga vendi i 19, ndërsa nuk arrin të rikuperojë më shumë se 7 vende duke e mbyllur në të 12-n.
Në vitin 2010, kampioni botëror Jenson Button iu bashkua Hamilton tek McLaren, duke shtuar presionin mbi britanikun. Megjithatë, edhe kjo ishte një garë për t’u harruar me Hamilton që e mbyll i pesti.
Në garën e vitit 2011, Hamilton kishte sërish një fundjavë për t’u harruar, sidomos pas aksidentit me Felipe Massa. Ai e mbylli garën në vendin e 6.
Në vitin 2012, Hamilton garoi për herë të fundit në Monako me McLaren dhe e mbylli në vendin e 5.
Çmimi i Madh i Monakos së vitit 2013 ishte sërish një dështim për Hamilton që përfundoi i 4 në klasifikim. Megjithatë, ai mori të gjithë përgjegjësitë për zhgënjimin.
Në vitin 2014 më shumë se gara, në Çmimin e Madh të Monakos tërhoqi vëmendje tensioni mes shokëve të skuadrës te Mercedes, Hamilton e Rosberg. Britaniku e mbylli në vendin e dytë.
Edhe pse sapo kishte firmosur një kontratë të re me Mercedes, Hamilton dështoi sërish në Monte Karlo dhe ky dështim padyshim mund t’i faturohet ekipit. Gjithçka ndodhi në xhiron e 64-t pas incidentit Max Verstappen-Grosjean.
Makina e sigurisë hyri në pistë ndërkohë që Hamilton, i cili kryesonte garën deri në ato momente dhe nuk pati asnjë problem me makinën, thirret nga drejtuesit e skuadrës në “pit stop” për të ndërruar gomat. Por vonesa në bokse i kushtoi britanikut, i cili nuk arriti dot më pozicionin e mëparshëm, duke mbetur pas Rosberg dhe Vettel dhe duke e mbyllur garën në vendin e tretë.