Albspirit

Media/News/Publishing

Instituti “Konfuci” nxit shkëmbimet kulturore kino-evropiane

Në fund të prillit u zhvillua në Bruzh të Belgjikës konferenca e përfaqësuesve të rreth 20 instituteve “Konfuci” në 11 vende evropiane për vitin 2016. Pjesëmarrësit në konferencë ishin të mendimit se institutet “Konfuci” kanë dhënë një ndihmesë të veçantë për nxitjen e shkëmbimeve kulturore kino-evropiane.Bruzhi është një qytet i lashtë belg. Në shekullin e 14-të ai ka qenë një nga qendrat tregtare në Europë. Me rastin e zhvillimit të konferencës së Institutit “Konfuci”, në ndërtesën e pushtetit vendor të provincës së Flandrës Perëndimore në qendër të Bruzhit u ngrit flamuri kombëtar i Kinës.

Drejtori i Institutit “Konfuci” në Universitetin e Flandrës Perëndimore Philip Vanhaelemeersch e njohu gazetaren e CRI-së me një projekt të ri të këtij instituti, krijimin e një harte të qytetit të Bruzhit për turistët kinezë, për t’i ndihmuar ta njohin më mirë këtë qytet. Ai tha:

“Do të kontaktojmë me turistët kinezë për të marrë kërkesat e tyre, pastaj do t’u japim sugjerime për turizmin e tyre në Bruzh. Do t’u rekomandojmë turistëve kinezë të vizitojnë vende ku mund të kenë kontakte të drejtpërdrejta me banorët e Bruzhit. Për shembull, shumë turistë banojnë në hotele të mëdha, kurse këtu ka edhe shumë hotele të rehatshme familjare që zakonisht nuk shënohen në hartë. Njëkohësisht, shëtitja me biçikletë në Bruzh është një mënyrë shumë e mirë për njohjen e këtij qyteti dhe në hartën tonë shënohet posaçërisht itinerari i udhëtimit me biçikletë.”

Drejtori i Institutit “Konfuci” në Universitetin e Aalborg-ut të Danimarkës Haensel Thorsten Bude ka interes të madh për shkëmbimet ndërkulturore. Sipas tij, pedagogët e institutit mundohen që metodat e mësimdhënies së gjuhës kineze të plotësojnë sa më mirë kërkesat e studentëve vendorë, gjë që është në vetvete një shkëmbim kulturor. Kur u krijua në vitin 2009, në Institutin “Konfuci” të Universitetit të Aalborgut nuk kishte asnjë student, por tani pas disa vjetësh, më se 1000 studentë mësojnë gjuhën kineze në këtë institut çdo vit. Haensel Thorsten Bude thotë:

“Në të kaluarën, shkollat daneze nuk kishin shumë lidhje me Kinën dhe mësuesit e pedagogët nuk e njihnin këtë vend. Me përkrahjen e Zyrës Shtetërore të Përhapjes Ndërkombëtare të Gjuhës Kineze të Kinës, ne krijuam lidhje me palën kineze, duke zhvilluar bashkëpunim me shkollat përkatëse kineze. Si rrjedhim, pedagogët e studentët kanë mundësi ta vizitojnë Kinën. Instituti Konfuci ka luajtur rolin e urës për nxitjen e shkëmbimeve njerëzore.”

Kreu i Sektorit të Programit “Erusmus Mundus” të Drejtorisë së Përgjithshme për Arsimin dhe Kulturën të Bashkimit Evropian Vito Borrelli mori pjesë në konferencën e Institutit “Konfuci”. Në fjalimin e tij ai afirmoi rolin e këtij instituti:

“Dihet nga të gjithë se sekreti i zhvillimit të bashkëpunimit të frytshëm mes Evropës e Kinës është besimi i ndërsjellë. Ky nuk është një angazhim afatshkurtër, por është një veprim afatgjatë i zhvilluar në bazë të lidhjeve njerëzore. Duhet ta falënderojmë Institutin ‘Konfuci’ për sjelljen në Evropë të kulturës e gjuhës së bukur kineze.”

Zv.sekretari i përgjithshëm i Selisë së Përgjithshme të Institutit “Konfuci” Ma Jianfei u shpreh se deri tani në vendet evropiane janë krijuar më se 400 institute ose klasa “Konfuci”. Këto institute ose klasa janë bërë pjesë e rëndësishme përbërëse e shkëmbimeve njerëzore e kulturore kino-evropiane, duke luajtur një rol të veçantë:

“Instituti ‘Konfuci’ ka nxitur shkëmbimet midis personave nga të dy palët, veçanërisht studentëve. Tani çdo vit mijëra studentë evropianë vizitojnë Kinën për të ndier magjinë e kulturës kineze e për të njohur gjendjen e zhvillimit të Kinës. Nga ana tjetër, Instituti ‘Konfuci’ u ka krijuar mundësinë studiuesve e pedagogëve të shkollave të larta e të institucioneve kërkimore të Kinës e të Evropës të zhvillojnë studime të përbashkëta. Çdo vit Instituti ‘Konfuci’ organizon ndërmarrjen e studimeve të shumta me tema të ndryshme, si strategjia ‘Një Brez e një Rrugë’, marrëdhëniet kino-evropiane, zhvillimi i tregtisë mes Kinës e Europës etj. Rezultatet e studimeve për këto tema kanë nxitur zhvillimin e marrëdhënieve midis dy palëve” (Fani)

Please follow and like us: