Kur ndaheshin “Beatles”-at
Ushtria e admiruesve nuk ishte e vetmja që e vuajti ndarjen e “Beatles”-ave. Në një rrëfim të çiltër mbi shpërbërjen e grupit legjendar, Paul McCartney tregon sesi kishte kaluar pas atij momenti në depresion, e kishte menduar edhe të hiqte dorë krejtësisht nga muzika.
Në programin “Mastertapes” të “Radio BBC”-së, artisti kujtoi sesa i humbur ishte ndierë pas asaj shkëputjeje të hidhur në 1970-n.
“Ishte e vështirë të dije se çfarë do të bëje pas ‘The Beatles’. Si mund të vazhdohej më tej. Isha i dëshpëruar. Po largohesha nga shokët e një jete”, tha Sir Paul McCartney.
Ai moment i vështirë, siç pohon më tej, e shtyu drejt alkoolit. Zyrtarisht, “Beatles”-at u ndanë në 1970-n, pasi publikut iu ofrua edhe kënga e tyre e famshme “Let it be”, por fara e përçarjes ishte hedhur që një vit më parë, kur përkundër dëshirës së Sir Paulit, grupi caktoi Allen Kleinin si menaxher të tij.
Edhe pse Klein ndihmoi në ristrukturimin e biznesit të “Apple Corps”, që i kishte sjellë bandës sa fitime, aq edhe humbje, ai mori një pjesë të bëshme të fitimeve të tyre dhe i kaloi kompanisë së vet të drejtat e regjistrimit të “Beatles”-ave në Amerikë.
Për t’u shkëputur nga influenca e menaxherit përfitues, McCartneyt iu desh të hidhte në gjyq shokët e grupit, çfarë dëmtoi përfundimisht lidhjen e tij të ngushtë me John Lennonin.