Një grua fiton “Nobelin” e teknologjisë
Një grua është fituesja e Çmimit Ndërkombëtar për Shpikjet Teknologjike. Çmimi Millennium Technology 2016, i cili ka të njëjtin prestigj me “Nobel”-in në kinematografi, i është dhënë biokimistes amerikane, Frances Arnold, e Institutit Kalifornian të Teknologjisë. Asaj i janë njohur meritat për gjenerimin e proteinave të reja, të cilat nuk ekzistojnë në natyrë dhe mund të bëhen të dobishme për zhvillimin e ilaçeve, si dhe për prodhimin e biokarburanteve. Ky çmim ndahet një herë në dy vjet nga enti i pavarur finlandez, “Technology Academy Finland” dhe një prej fituesve ka qenë edhe Tim Berners-Lee, të cilit i atribuohen meritat e rrjetit botëror të internetit, shpikësit të dritave LED blu dhe të bardha, Shuji Nakamura, dhe pionierit të qelizave staminale, Shinya Yamanaka. Çmimi për këtë vit i është dorëzuar shpikëses Arnold gjatë një ceremonie në Finlandë, si nderim për studimet e saj, të cilat i kanë hapur rrugën të ashtuquajturit “evolucion direkt”, një riprodhim në laborator i evolucionit natyror, të finalizuar me krijimin e proteinave të reja më cilësore. Metoda e Frances Arnold-it shkakton mutacione të rastësishme, njësoj siç ndodh në natyrë. Gjenet e modifikuara prodhojnë proteina me aftësi të reja. Në këtë mënyrë, shkencëtarët mund të seleksionojnë ato më të përshtatshmet dhe ta përsërisin këtë proces deri sa të arrijnë nivelin e performancës së kërkuar.
Please follow and like us: