OKB: Civilët në Falluxha janë në “rrezik të madh”

Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për fatin e rreth 50,000 civilëve në qytetin Falluxha të Irakut, ku forcat qeveritare kanë nisur një ofensivë për çlirimin e tij nga grupi militant Shteti Islamik (IS).
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, ka thënë se civilët janë në “rrezik të madh” dhe ka kërkuar krijimin e korridoreve të sigurta për ta.
“Situata humanitare padyshim se mbetet e paqëndrueshme, pasi luftimet vazhdojnë”, ka thënë Dujarric.
Ushtria, policia dhe milicitë aleate të Irakut kanë nisur të hënën operacionin për rimarrjen e Falluxhas, e cila ndodhet rreth 50 kilometra në perëndim të Bagdadit.
Falluxha ka qenë qyteti i parë që është pushtuar nga Shteti Islamik në janar të vitit 2014.
Rreth 10,000 familje që jetojnë atje, janë përballur me mungesa të ushqimit dhe gjërave të tjera të domosdoshme.