Përse “Interforce” po e fsheh pajisjen e përgjimit
Misioni policor italian, Interforce, që vepron në Shqipëri nuk pranon t’ia dorëzojë pajisjen e përgjimit prokurorisë shqiptare. Refuzimi i italianëve i shton dyshimet se ajo ka kryer përgjime të paligjshme në Shqipëri. Pyetja që kërkon përgjigje në këtë rast është se kush i ka bërë përgjimet; policia shqiptare, siç akuzon opozita, apo vetë italianët?
Përgjigjja – thonë burime të prokurorisë për lapsi.al – do të merrej pas verifikimit të të dhënave që janë regjistruar në memorjen e aparaturës IMSI Catcher, të prodhuar nga një agjenci e specializuar italiane.
Ajo u fut pa u regjistruar në Shqipëri. Dhe sipas prokurorisë, dy specialistët e policisë italiane që thuhet se kishin marrë atë me vete për të trajnuar policinë shqiptare, kanë shkelur ligjin. Në vitin 2015 një pajisje e ngjashme u fut po nga italianët në Shqipëri, por ajo u regjistrua, për arsye se ligji e detyronte deklarimin e saj në doganë dhe pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Një burim pranë prokurorisë tha për lapsi.al se italianët duhet ta kishin regjistruar në çdo rast pajisjen në doganë dhe për futjen e saj në Shqipëri qoftë pala italiane qoftë zyrtarët e policisë shqiptare që i kanë pritur italianët në Durrës, duhet të kishin vënë menjëherë në dijeni Prokurorin e Përgjithshëm.
Prokuroria ka marrë në pyetje disa zyrtarë të policisë shqiptare, por kur vjen fjala për të pyetur specialistët italianë, çështja komplikohet.
Ish –shefi i policisë italiane, Alessandro Pansa, në një letër që i dërgoi kryeprokurorit Adriatik Llalla, i vinte në dukje faktin se personeli italian që kishte ardhur në Shqipëri me pajisjen, me mision për të trajnuar policinë shqiptare, gëzonte imunitet dhe për këtë arsye nuk mund të hetohej.
Letra e kryepolicit Pansa nuk është marrë në konsideratë si provë për hetimin e nisur, pasi ajo është një shkresë personale drejtuar kreut të organit të akuzës. Por në brendi të saj ajo përmban disa fakte të rëndësishme që i shërbejne orientimit të hetimit.
Në të specifikohet momenti i hyrjes në Shqipëri, pranohet se nuk është regjistruar, sqarohet se italianët u pritën nga zyrtarë të policisë shqiptare në Durrës dhe saktësohen zonat ku është përdorur.
Megjithë sqarimet e detajuara të ish –kreut të policisë italiane, që është vënë në lëvizje me iniciativë personale, siç thonë burime nga prokuroria, grupi hetimor ka të nevojshëm kontrollin e pajisjes për të parë se për çfarë është përdorur ajo në Shqipëri, konkretisht në Tiranë, Elbasan e Vlorë.
Inteforce vazhdon të mos i kthejë përgjigje kërkesës së prokurorisë shqiptare. Heshtja e palës italiane ngre dyshime të tjera. A kanë kryer vetë italianët përgjime për llogari të tyre në Shqipëri?
Në një rast të tillë, prokurorët nuk kanë shpresë se pajisja do t’u vihej në dispozicion. Por në çdo rast, vonesa në kthimin e përgjigjes të italianëve shton dyshime të tjera se pajisja po tentohet të pastrohet nga materialet.
Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, pajisja është futur në Shqipëri nga kreu i misionit Interforce në Tiranë, për shkak të lidhjeve familjare që ai ka me kompaninë italiane që e ka prodhuar atë. Bashkëshortja e tij, sipas mediave italiane e shqiptare, është e punësuar në kompaninë Ditta Ercom.
Mbetet mister edhe vendi se ku gjendet tashmë aparatura.
Alessandro Pansa sqaronte në letrën e tij se në kohën kur ajo nuk përdorej, qëndronte në zyrat e Inteforce brenda ambasadës italiane në Tiranë.
Por misioni i trajnimit ka përfunduar, pasi siç thotë Pansa, 5 efektivë të policisë italiane morën mësime përmes saj.
Dy italianët që kryen trajnimet thuhet se janë kthyer në Itali. Nuk dihet nëse kanë marrë me vete edhe pajisjen e përgjimit, të instaluar në BMë –në me të cilën ata hynë në Shqipëri më 11 mars 2016.
https://www.facebook.com/cercizloloci/