Albspirit

Media/News/Publishing

Pse ua lamë vehabistëve diasporën shqiptare?

Pse ua lamë vehabistëve diasporën shqiptare?

Zyrtarët e dy shteteve shqiptare, në vend të mbështesin e të financojnë shkollat shqipe, në vend të përpiqen të ruajnë kujtesën kombëtare të brezit të ri, i kanë braktisur mizorisht nxënësit shqiptarë të Diasporës, duke ua lënë shoqatave vehabiste. Zyrtarët shqiptarë, kur ishin veprimtarë e matrapazë politikë, e zhvatën dhe e mashtruan popullatën e Diasporës, ua morën kafshatën e gojës, i dogjën në investime, u premtuan, ndërsa i harruan, prandaj sot, kur nuk ua kanë nevojën, apo kur nuk mund t’i mashtrojnë më, i shitën të shoqatat islamike.

Nga Gani Mehmetaj

“Zbrazen shkollat shqipe në Zvicër, mbushen xhamitë”, është titulli i një portali shqiptar në Perëndim. Titulli alarmon: fëmijët e shqiptarëve të diasporës jo vetëm nuk do ta ruajnë traditën kombëtare, jo vetëm nuk do të mësojnë shkronjat shqipe, jo vetëm nuk do të dinë asgjë për historinë e kulturën e tyre, por ata po e braktisin qytetërimin evropian, po getoizohen edhe më, atyre po ua fshijnë kujtesën hoxhallarët mercenarë, duke i kthyer në mesjetën shkretinore të fiseve beduine me të cilat nuk i lidh asgjë: as gjaku, as gjuha, as tradita dhe as gjeografia. Mijëra kilometra i kanë ndarë dhe i ndajnë fëmijët shqiptarë nga fiset beduine, qindra vjet i ndajnë edhe në shkallën e qytetërimit. Keqpërdorimi i skajshëm i fesë, sikurse po e bëjnë islamikët arab e turq, duke i futur në këtë mes fatkeqit e kombit tonë, do të krijojnë humnera të frikshme në mes të shqiptarëve e perëndimorëve. Pse duhet të bëhemi fli për një kauzë antikombëtare? Pse duhet të bëhemi gazi i botës? Ky fenomen i shëmtuar po zhvillohet para syve tanë, ndërsa askush nuk e bën asnjë hap që të ndryshojë gjendje, askush nuk i ve në veprim mekanizmat që ta kthejë historinë e Diasporës për së mbari. Para 15 vjetësh, shqiptarët e Diasporës ishin pika më e ndritshme e historisë kombëtare të çlirimit të Kosovës dhe të demokratizimit të Shqipërisë. Sot ata po përballën më hakmarrjen e strukturave mafioze shqipfolëse që e zhvatën Diasporën, po pësojnë nga shërbimi i fshehtë serb, sepse Diaspora i nxori nga kthetrat e pushtuesit bashkëkombësit, duke i ndihmuar materialisht e më armatim, po përballën më islamikët që nuk ua harruan mërgimtarëve tanë ku e thërrisnin në ndihmë Nënën Terezë e Skënderbeun që t’ua lidhnin fijet e shkëputura me Perëndimin. Prandaj, që të tri këto forca antikombëtare, duan ta mbyllin sa më shpejt e sa më mizorisht kapitullin që mund t’ua nxjerr të palarat, apo që mund t’u krijojë probleme, sepse diaspora e mobilizuar kombëtarisht është forcë më e madhe ekonomike e atdhetare, është motori i zhvillimit të dy shteteve shqiptare. Mirëpo, elitat tona politike e shtetërore të kapura nga Turqia erdoganiste e vehabistët e Arabisë Saudite, duan ta kenë sa më larg këtë forcë atdhetare, prandaj e futen në lojë shkombëtarizimin përmes islamikëve.
Ta sfidosh kombin tënd, duke e braktisur shkollën shqipe e të shkosh në mejtepe për të mësuar gjuhën arabe në zemër të Evropës, është më shumë se sfidë, është provokim i hapur ndaj mikë pritjes perëndimore, është tradhti ndaj kombi tënd, është shkas i mjaftueshëm që të na shlyejnë nga familja evropiane. Ta shkelmosh gjuhën tënde dhe të përqafosh një gjuhë shkretinore që nuk e ka mësuar as babai as babagjyshi, është më shumë se t’ua bësh gjëmën kujtesës së atyre fëmijëve që i detyrojnë të shkojnë në mejtepe vehabiste, është përpjekje e hapur për shkombëtarizim dhe për armiqësim me ata që u afruan mikë pritje. Ata fëmijë shkojnë në mejtepe sepse prindërit e tyre i detyrojnë, apo sepse hoxhallarët i mashtrojnë më joshje e premtime.
Nëse titulli i shkrimit të portalit shqiptar: “Zbrazen shkollat shqipe në Zvicër, mbushen xhamitë” – alarmon, pamjet janë edhe më dëshpëruese- në mjediset zvicerane, të rregulluara sipas shijes orientale, vogëlushet e prindërve shqiptarë, të mbuluara me shami turko-vehabiste- mësojnë alfabetin arab! E kanë braktisur shkollën shqipe, e kanë shkelmuar kulturën e historinë kombëtare, ndërsa mësojnë për luftëtarët pushtues arabë që e përhapen islamin më gjak e më shpat, në vend të mësojnë luftërat mbrojtëse e çlirimtare të Skënderbeut, heroit të tyre kombëtar.
Kush e nisi këtë gjëmë të shkombëtarizimit të filizave shqiptare? Shoqatat vehabiste e turko-anadollake më ndihmën e shqipfolësve të paguar. Cili është qëllimi? Sepse askush nuk investon pasuri përrallore në fëmijë të huaj. Kalamajtë shqiptarë, nesër do të rekrutohen për luftërat e pafundme në Siri, Irak e shtetet e tjera, ku priten të shpërthejnë trazira. Kush e financon mejtepin e mësimit të gjuhës arabe, në zemër të qytetërimit të krishterë? Prapë shoqatat e dyshimta, të cilat janë të lidhura me terrorizmin islamik. Më vetëdije po ua lëmë shoqatave vehabiste e turko-anadollake brezin e ri të fëmijëve shqiptarë në Diasporë, duke i shkëputur nga rrjedhat e kohës, nga shekulli XXI, për t’i kthyer në mesjetën e mizorive islamike.
Si ishte gjendja dikur, para se të vinin hoxhallarët e mejtepeve të shkretëtirës në Zvicër? Shkollat shqipe në Diasporë me arsimtarët shqiptar nga Kosova e Maqedonia, ua kanë mësuar me zell nxënësve gjuhën e alfabetin shqip, ua kanë shpjeguar historinë kombëtare, e kanë mbajtur gjallë kujtesën kombëtare, i kanë krijuar lidhjet në mes të fëmijëve të Diasporës e atdheut, ua kanë hapur horizontet e kulturës kombëtare, duke mos i shkëputur për asnjë çast nga të arriturat e qytetërimit të cilit i takonin. Shteti zviceranë, po ashtu e ka mbështetur shkollën plotësuese shqipe, ua ka dhënë hapësirat publike, madje ka dhënë disa milion franga për libra shqip, për heqjen e një pjesë të shpenzimeve për arsimtarët shqiptarë etj. Arsimtarët nuk morën asnjë mirënjohje nga shteti, pos shpërfilljes e nënçmimit, ata punuan nga entuziazmi e ideali kombëtar.
Ndërkaq më shuarjen e shkollave shqipe e aktivizimin e mejtepeve, pasojat më të mëdha do t’i heqin fëmijët, sepse posa të dalin në rrugë do t’i përbuzin, do t’i nënçmojnë, do t’i trajtojnë si mish i egër në trupin e tyre, të huaj, të padëshirueshëm, oriental. Kurrë nuk do të integrohen në qytetërimin evropian, por as nuk të arrijnë të trajtohen shqiptarë. Të huaj në Zvicër, edhe më të huaj në Kosovë. Ata do të shndërrohen në “arabë” të periferive të varfra, të prirë për dhunë e krime, ashtu sikurse janë shndërruar getot arabe e turke në Francë, Gjermani e Belgjikë. Natyrisht kjo do të jetë pjesa e fëmijëve të mejtepeve, sepse fëmijët shqiptarë të shkollave laike, do të shquhen ashtu sikurse edhe deri sot më mprehtësinë e ambiciet që na e zbardhin fytyrën.
Po dy shtetet shqiptare ç’ bëjnë? Zyrtarët e dy shteteve shqiptare, në vend të mbështesin e të financojnë shkollat shqipe, në vend të përpiqen të ruajnë kujtesën kombëtare të brezit të ri, i kanë braktisur mizorisht nxënësit shqiptarë të Diasporës, duke ua lënë shoqatave vehabiste. Zyrtarët shqiptarë, kur ishin veprimtarë e matrapazë politikë, e zhvatën dhe e mashtruan popullatën e Diasporës, ua morën kafshatën e gojës, i dogjën në investime, u premtuan, ndërsa i harruan, prandaj sot, kur nuk ua kanë nevojën, apo kur nuk mund t’i mashtrojnë më, i shitën të shoqatat islamike.
Athua duhet të presim përmbysjen e elitave politike e shtetërore me orientim antikombëtar, që ta shpëtojmë kombin nga islamizmi vehabisto-anadollak?

Please follow and like us: