Albspirit

Media/News/Publishing

SKANDAL/ Liza Tabaku, pa dosje në burg

Në një kohë që dosja penale ndaj Liza Tabakut, ish-drejtoreshës së Arsimit Lushnjë, e dënuar për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion” pret të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë, burgu ku ajo qëndron nuk është në dijeni të asnjë vendimi ndaj saj.
Në burgun e grave “Ali Demi” në Tiranë, i njohur edhe si IEVP 325, Liza Tabaku, e akuzuar për marrje ryshfeti deri në 3 mijë euro në këmbim të emërimeve të mësuesve, gëzon statusin e të paraburgosurës.
Dosja me emrin e saj në këtë institucion është thuajse bosh. Fakti i pazakontë u pohua dje nga një jurist i këtij burgu në Gjykatën e Tiranës. I pranishëm në shqyrtimin e një kërkese të Liza Tabakut për amnisti, përfaqësuesi ligjor i burgut tha se burgu kërkuesja Tabaku figuron si e paraburgosur në IEVP “Ali Demi”.
Vërejtja e gjyqtares Tereza Lani, (Merkaj) se përse drejtoria e Burgut 325 nuk kishte vënë në dispozicion të gjykatës dinamikën e vuajtjes së dënimit të kërkueses Tabaku, nxori në pah mangësitë e dosjes.
“Nuk kemi dosje të Liza Tabakut. Nuk ka vendim gjyqësor të Shkallës së Parë, apo vendim të formës së prerë për të. Në dosjen me emrin e saj ne disponojmë vetëm një vendim caktim mase sigurie ‘arrest në burg’”, tha përfaqësuesi i burgut.
E gjendur në të tillë situatë, gjyqtarja Lani vendosi që Gjykata Tiranë t’i drejtohet Gjykatës së Lushnjës përmes një shkrese zyrtare, ku të kërkojë vendimin e Shkallës së Parë për kërkuesen Tabaku, si edhe informacion nëse ky vendim është ankimuar dhe se në çfarë gjendje ndodhet aktualisht dosja penale në ngarkim të saj.
Me tej gjykata ndërpreu seancës, për shkak të mosparaqitjes së kërkueses Liza Tabaku dhe avokates së saj mbrojtëse.
Ish-drejtoresha e Arsimit Lushnjë u deklarua fajtore nga Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë dhe u dënua me 9 vjet burg në qershor 2015 për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” në rrethana rënduese dhe “shpërdorim detyre”. Ajo përfitoi uljen e një të tretës së këtij dënimi për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Gjykata shpalli të fajshëm për akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm” dy të bashkëpandehurit e të njëjtës dosje, djalin e saj, Xhonluko Tabaku, me 3 vjet burg dhe të pandehurin Rigert Zeneli, me 1 vit burg.
Dosja në fjalë është përfunduar së gjykuari edhe në Apelin e Vlorës dhe aktualisht gjendet në Gjykatën e Lartë. Rekursi i Prokurorisë për këtë çështje është regjistruar në Gjykatën e Lartë më 16 mars 2016, ku pret të shqyrtohet nga një Kolegj Penal me relator gjyqtarin Shkëlzen Selimi. /pan/
Please follow and like us: