Albspirit

Media/News/Publishing

Teknologjitë e reja nuk mund t’i nxjerrin në pension përgjegjësitë tona të vjetra

Jemi përpara një të ardhmeje që nuk mund ta parashikojmë. Por një gjë e kemi në mendje: Teknologjitë e reja janë thjesht mjete pune. Ato nuk mund t’i nxjerrin në pension përgjegjësitë tona të vjetra!

thoma gellciNga Thoma Gëllçi

Drejtor i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar

Ju falënderoj për ftesën për të folur për median e gjeneratës tjetër, megjithëse unë personalisht kam nisur punë si gazetar dhe drejtues mediash në shekullin e kaluar, pra në vitet ‘90…

Ju ftoj për një apo dy minuta të imagjinojmë një situatë hipotetike

Po le të supozojmë për një moment që unë një gazetar i fundviteve 90 ka rënë gjumë letargjik dhe jam zgjuar sot më 20 maj 2016.

Sapo të njihem pak me median e kësaj kohe, do të kem një moment dileme se nuk do të arrij të vendosë menjëherë nëse është në parajsë apo është në ferr?

– Unë sheh lajme që janë bërë pa gazetarë. Nuk e kam fjalën për teknologjinë e fundit që lajmet sportive i shkruan kompjuteri.

– Unë shoh që gazetarët, përfaqësuesit e pushtetit të katërt, nuk janë më aq të respektuar sa dikur….

– Unë dëgjoj një gjë të padëgjuar që gazetarët nuk marrin rroga ose paguhen me vonesë.

– Unë shoh që njerëzit që merren me marrëdhënia publike (PR) kanë mbetur pa punë se këtu e bëjnë falas “gazetarët”

– Unë shoh….kompjuter, email, website, aplikacione, ekrane te mëdhenj e të vegjël, por e kam të vështirë të kuptoj se çfarë po ndodh.

– Unë shoh televizione me ngjyra, 3D, transmetime live, transmetime me hologramë…, por prapë ka një paradoks…, jam i mbytur me informacion, por jam edhe më konfuz… Të gjithë mund të bëhen gazetarë, redaktorë, botues… dhe prapë mungon një gjë e madhe….

Epoka që po jetojmë quhet epoka e Revolucionit të informacionit. Po për të kuptuar këtë revolucion ndoshta na ndihmon kthimi 400 vjet më pas.

Saktësisht më 1620. Një filozof, Francis Bacon tha: “Knowledge is power” – “Dija është pushtet”. Ka qenë për vite të tëra edhe slogan i CNN.

Po cila dije është pushtet?! Testi i vërtetë i “dijes” nuk është nëse kjo gjë është e vërtetë apo jo, por sa na jep pushtet ne? Sa na vlen ky informacion? A është i vlefshëm?

Beteja e vërtetë më shumë se për vëmendje është sa i shërbejmë interesave të publikut?!

Dallimi mes asaj çfarë është “interes i publikut” me atë që është “interesant për publikun” është një prej sfidave me të cilat përballet media e sotme.

Unë kam disa ditë që kam filluar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit Shqiptar. Edhe në atë institucion gjendja është si kudo: me një këmbë në të shkuarën dhe një këmbë në të ardhmen. Jemi duke punuar për rrjetet e transmetimit dixhital dhe njëkohësisht nuk kemi asnjë studio televizive të pajisur me kamera që filmojnë për këtë format; bëjmë tenderë për blerje kompjuterësh dhe ende nuk dimë se si punohet në rrjet, si transferohet një file; kënaqemi me termin rrjete social dhe nënkuptojmë me këtë thjesht Facebook, Twitter apo Youtube ku ekspozojmë fotot e drekave dhe darkave.

Kemi projekte për dixhitalizimin e arkivit dhe e kemi arkivin të mbuluar nga pluhuri, lagështia dhe me mungesë drite dhe pa mbrojtje nga zjarri. Ndërtojmë stacione transmetimi modern dhe merremi me ish pronarët e pretenduar të tokave që kërcënojnë punëtorët tanë .

Por vështirësitë dhe prapambetja e deritanishme kapërcehet jo duke u qarë. Jemi në punë për ndryshim. Jemi në kontakte dhe diskutime me AMA për lidhjen e kontratës së shërbimit të transmetimit publik, kemi përgatitur draft kontratën midis RTSH dhe operatorëve privatë lokalë për mbështetjen e tyre për transmetime në njërin prej rrjeteve të RTSH, jemi në organizimin e një konference me të gjithë grupet e interesit për përcaktimin e strukturës programore të kanaleve të reja të rrjetit të RTSH.

Pra kemi shumë punë për të bërë. Ajo që na pret përpara është një sfidë. Është një sfidë e transformimit të plotë. Në terrenin mediatik shqiptar, Radio Televizioni Publik duhet të dallojë nga një mënyrë e veçantë perceptimi dhe pune. E veçanta e tij është se ky institucion nuk mund te jetë – dhe nuk do të jetë – thjesht një stacion radioteleviziv midis shumë të tjerëve qe i shërbejnë publikut me informacion dhe argëtim. E veçanta e këtij Radiotelevizioni përcaktohet nga roli i tij si një mekanizëm shoqëror që u prin ndryshimeve pozitive në shoqëri. Në këtë kuptim, të gjitha platformat e tij mediatike (Radio, TV, website, lajmet, shfaqjet, koncertet apo edhe çdo gjë tjetër) do të rikonfigurohen që t’i shërbejnë këtij qëllimi. Po kështu do të rregullohen marrëdhëniet brenda rrjetit të RTSH. Gjithçka brenda programeve do të jetë e integruar dhe kjo do të reflektohet në strukturën administrative që do të përputhet me atë programore.

Jemi përpara një të ardhmeje që nuk mund ta parashikojmë. Por një gjë e kemi në mendje: Teknologjitë e reja janë thjesht mjete pune. Ato nuk mund t’i nxjerrin në pension përgjegjësitë tona të vjetra!

*Fjala e mbajtur sot në konferencën e organizua nga AMA dhe MIAP

Please follow and like us: