Wang Wenyin-i, biznesmeni filozof
Historia e Wang Wenyin-it në thelb është e zakonshme në Kinë, vendin që thuhet se krijon një miliarder në javë, pra historia e mrekullisë së kalimit nga të mospasurit asgjë në të pasurit e gjithçkaje. Por të rrallë kanë qenë ata që kanë krijuar një pasuri si e tij, e cila për një periudhë vlerësohet se ka arritur deri në 16 miliardë dollarë amerikanë. Ndërsa kur Wang-uishte fëmijë, familja e tij ishte aq e varfër, sa atij i duhej të vishte edhe pantallona pa xhepa, për shkak se prindërit nuk kishin para për të blerë copë edhe për xhepat. Për një kohë atij iu desh t’i kalonte netët duke fjetur në një tub betoni, ndërsa sot është një magnat i industrisë minerare, drejtues i një grupi që për një kohë ka qenë prodhuesi më i madh i bakrit në botë dhe që ka ardhur duke i diversifikuar gjithnjë e më shumë bizneset dhe u rritur gjithnjë e më shumë, çka ka bërë të përfshihet ndër 500 kompanitë kryesore botërore, duke u bërë edhe ndër kompanitë me vlerën më të madhe në Kinë.
Wang Wenyin-i jo rrallë është disi e vështirë të kuptohet se çfarë është duke thënë, sepse shpesh ai citon nga “Tao Te Ching”-u dhe vepra të tjera klasike kineze të lashtësisë. “Një sipërmarrës i mirë duhet të jetë një filozof i mirë”, këmbëngul miliarderi nga provinca kineze Anhui, që ka lindur pikërisht në ditën e parë të vitit 1968. Dhe kështu Wang Wenyin-i kalon duke lexuar dy deri në tre orë në ditë, ndërsa në vit lexon rreth 100 libra, dhe mban shënim shumë aforizma filozofike.
“Fillova ta studioja ‘Tao Te Ching’-un që në vitet e para të shkollës së mesme e tani mund ta them përmendësh,” thotë ai, duke nisur ta bëjë një gjë të tillë: “Natyra është e plotë, sepse nuk i shërben vetvetes. I urti qëndron prapa, dhe pastaj e gjen veten përpara. Ai i shpërfill dëshirat e veta dhe pastaj e sheh veten të kënaqur”. Dhe nuk është çudi që Wang Wenyin-i e mban mend përmendsh “Tao Te Ching”-un, ai e ka lexuar 300 herë atë. “Filozofia e ‘Tao Te Ching’-ut është e thellë, urtësia e tij vlen për të gjithë, pa marrë parasysh nga çfarë vendi jeni,” thotë 48-vjeçari, që mund të quhet edhe sipërmarrës filozof.
Wang Wenyin-it i ka pëlqyer të studiojë që kur ishte i vogël, një fëmijëri ashtu si edhe e shumë të tjerëve e kaluar në varfëri. Ai fitoi një çmim letrar në shkollën fillore, kështu që prindërit i qepën një këmishë dhe pantallona të reja për ceremoninë e marrjes së çmimit. “Por nuk kishim para për të blerë copë të mjaftueshme për t’u bërë pantallonave xhepa dhe ato më rrinin shumë ngushtë, po ashtu ngaqë nuk kishte mjaft copë për t’i bërë ato më të gjera,” kujton ai.
Me gjithë varfërinë, Wang Wenyin-i vazhdoi të ishte një nxënës i mirë, gjë që i dha mundësinë të ndiqte studimet e larta në Universitetin e Nankinit. Pas përfundimit të këtyre studimeve në vitin 1989, ai nisi punë si menaxher në një uzinë kimike në rrethinat e Shangait. Por një ngjarje më e rëndë e bëri djaloshin të vendosur t’i shpëtojë varfërisë: vdekja e gjyshit të vet. Wang Wenyin-i thotë: “Gjyshi im kishte qenë një biznesmen i suksesshëm, kështu që ne e kemi në gjen biznesin. Por gjyshi vdiq, sepse familja nuk kishte para për kujdesin e tij shëndetësor.”
Dhe kështu djaloshi hoqi dorë nga puna në shtet e u zotua se do të pasurohej.
Në vitin 1993, Wang Wenyin-i bëri të njëjtën gjë si shumë të rinj të tjerë, duke iu drejtuar Shenzhen-it, qyteti pararojë i revolucionit ekonomik në Kinë, në kufi me Hong-Kong-un. Ai kishte me vete vetëm 400 juanë (afro 55 dollarë). Fillimi ishte shumë i vështirë dhe atij i duhej të flinte netve në një tub betoni, teksa ushqehej shumë thjesht. I vetmi ngushëllim për djaloshin ishte se kishte arritur tashmë fundin dhe nuk kishte rrugë tjetër, përveçse të ngjitej lart. Adam Smithi ka thënë se tragjedia e vërtetë e të varfërve është varfëria e aspiratave të tyre, por për fat të mirë, Wang Wenyin-i kishte aspirata, dhe motivin, vullnetin e aftësinë. Artisti dhe biznesmenin e njohur amerikan Xhimi Dean ka vënë në dukje se për të varfëria ishte faktori më i madh motivues në jetë dhe e njëjta gjë mund të thuhet se vlen edhe për Wang Wenyin-in.
Pasi bëri disa punë të ndryshme, Wang Wenyin-i nisi të merrej me biznesin e prodhimit të kabllove dhe të telave. Ai hapi një fabrikë të vogël, pararendësja e grupit të sotëm “Amer”. “Gjatë vitit të parë bëra 10 000 juanë (afro 1360 dollarë amerikanë), gjatë vitit të dytë 100 000 dhe gjatë vitit të tretë 1 milion,” thotë ai.
Në vitin 1999 u themelua zyrtarisht Grupi Ndërkombëtar “Amer”, si furnizues i telave e kabllove dhe produkteve të bakrit. Me kalimin e kohës “Amer”-i njohu një rritje eksponenciale, duke arritur të jetë edhe prodhuesi më i madh i bakrit në botë.
Grupi Ndërkombëtar “Amer” është tashmë një sipërmarrje e teknologjisë së lartë, e cila kryesisht fokusohet në të gjithë zinxhirin e industrisë së materialeve të reja metalike dhe jometalike. Grupi synon zhvillimin e investimeve industriale e ndërtimin e parqeve të shkencës dhe teknologjisë, investimet strategjike, investimet financiare, platformat tregtare etj. në vitet e fundit.
“Amer”-i punëson një staf prej më shumë se 15 000 vetash. Selia e tij është në Shenzhen të provincës Guangdong, por grupi ka krijuar edhe seli të brendshme rajonale në Pekin dhe Shangai, si dhe seli jashtë vendit: në Los Anxheles në ShBA; në Gjenevë në Europë dhe në Singapor në Azi.
Vlera e të ardhurave të “Amer”-it vitin e kaluar arriti në mbi 300 miliardë juanë (40.8 miliardë dollarë amerikanë). Grupi renditet i 247-i ndër 500 kompanitë kryesore të botës, i 5-i ndërmjet 500 kompanive kryesore private të Kinës, i 4-ti nga 500 kompanitë kryesore private në industrinë e prodhimit të Kinës, i 45-i mes 500 kompanive kryesore të Kinës dhe i 15-i në mesin e 500 kompanive kryesore në industrinë e prodhimit të Kinës.
“Pas shumë vitesh pune të palodhur, ne të Grupit Ndërkombëtar ‘Amer’ më në fund përmbushëm një nga ambiciet tona afatgjata: të jemi pjesë e klubit të 500 kompanive më të mëdha globale të ‘Fortune’. Kjo është një arritje e madhe, e cila ka ardhur pas pothuajse dy dhjetëvjeçarëve progresi e strategjish e funksionimi të shkëlqyer,” thotë i kënaqur Wang Wenyin-i.
Me përshpejtimin e procesit të globalizimit ekonomik, “Amer”-i po bën të gjitha përpjekjet për të zbatuar mënyra të përparuara menaxhimi dhe modele të reja biznesi. “Ne jemi në rrugën e rritjes për të arritur objektiva edhe më të larta në të ardhmen.Objektivi i ‘Amer’-it është të përshihet në 100 kompanitë kryesore të botës,” thotë Wang-u.
“Amer”-i ka krijuar një numër parqesh dhe bazash industriale në mbarë Kinën, si Parkun Industrial të Materialeve të Reja Metalike me Precizion të Shenzhen-it; Parkun Industrial të Shkrirjes dhe Përpunimit të Thellë të Bakrit të provincës Jiangxi; Bazën Industriale të Prodhimit të Materialeve të Reja Metalike të Tongling-ut në provincën Anhui; Parkun Industrial të Prodhimit të Materialeve të Reja Metalike të Yingkou-t në provincën Liaoning; Parkun Industrial të Prodhimit të Materialeve të Reja Metalike Jometalike “Hongwei” në provincën Sichuan etj
Grupi Ndërkombëtar “Amer” ka formuar qendra tre kërkimore-shkencore jashtë vendit, në Zvicër, ShBA dhe Singapor. Në të njëjtën kohë, duke bashkëpunuar me disa institucione të njohura të arsimit të lartë, si Universiteti i Harvardit, Universiteti i Oksfordit, Universiteti i Kembrixhit, Universiteti i Uashingtonit, Universiteti i Nju-Jorkut, Universiteti i Qytetit i Hong-Kongut, Universiteti i Pekinit, Universiteti Jugor i Shkencës dhe i Teknologjisë, Universiteti i Anhui-t, “Amer”-i ka dhënë ndihmesën e vet për zhvillimin e arsimit.
Në “Amer” krenohen se zotërojnë, siç thonë, parqe zhvillimi biznesi me sipërfaqe mbi 10 kilometra katrorë, parqe zhvillimi industrial me sipërfaqe 100 kilometra katrorë, zona minerare në funksionim me sipërfaqe 1 000 kilometra katrorë, zona minerare në mbarë botën me sipërfaqe 10 000 kilometra katrorë, zona minerare me të drejtën e eksplorimit me sipërfaqe 100 mijë kilometra katrorë dhe rezerva minerare me vlerë të përgjithshme 10 trilionë juanë. Përveç kësaj, “Amer” zotëron më shumë se 1000 patenta dhe numri i tyre vjen duke u rritur shpejt.
Pas një periudhe më shumë se njëzetvjeçare zhvillimi, Grupi Ndërkombëtar “Amer” është shndërruar tashmë nga një lojtar rajonal në një industri të vetme në një udhëheqës global me një zinxhir të tërë industrial. Ndërsa Wang Wenyin-inë vitet 2010, 2011 dhe 2012 ka qenë kryetari i Konfederatës së 500 kompanive kryesore kineze. Wang është shpallur edhe sipërmarrës i dalluar dhe një ndër udhëheqësit kryesorë të biznesit në Kinë.
Lidhur me ecurinë e një biznesi, Wang Wenyin-i shprehet: “Një sipërmarrje zhvillohet pesë vjet pas krijimit nga rastësia, dhjetë vjet pas krijimit nga menaxhimi dhe njëqind vjet pas krijimit nga kultura.”
“Që nga dita e parë, qëllimi ynë ka qenë gjithmonë t’u ofrojmë produkte dhe shërbime me cilësi të lartë klientëve tanë. Klienti është në thelb të interesit tona dhe ne në ‘Amer’ i trajtojmë ata si pjesë e familjes sonë të madhe. Gjatë procesit tonë të rritjes kurrë nuk do të lëmë harresë atë që është më e rëndësishme. Risitë dhe zhvillimi i vazhdueshëm janë dhe do të jenë gjithmonë në qendër të modelit të biznesit tonë,” thotë ai.
Wang Wenyin-i shprehet gjithashtu se, me intensifikimin e konkurrencës globale, një kompani që të jetë e suksesshme ka nevojë që të ketë një strategji të fortë marke, e cila komunikon në mënyrë të qartë vlerat e saj dhe e dallon atë nga konkurrentët: “Në një ekonomi globale të karakterizuar nga modele biznesi të ndryshme dhe tregje të ndryshme, suksesi mund të arrihet vetëm me një forcë pune shumëkulturore që kupton dallimet mes tregjeve dhe merr vendime të shpejta e të sakta”.
Për të forca më e madhe konkurruese e një kompanie të mirë është aftësia e saj për të studiuar dhe për t’i kthyer njohuritë e marra në produktivitet.
Stafi është një pjesë e madhe e suksesit tonë, thotë biznesmeni 48-vjeçar. “Tërheqja e njerëzve të talentuar, duke i lejuar ata të përmbushin potencialin e tyre, është thelbësor për suksesin afatgjatë të ‘Amer’-it. Integriteti, aftësitë e shkëlqyera, efikasiteti, këmbëngulja, zell, krijueshmësia, puna në grup, të gjitha këto janë koncepte që ne i kemi shumë për zemër dhe po përpiqemi që të bëhen edhe pjesë e atyre që i bashkohen ekipit tonë,” shprehet Wang Wenyin-i. Dhe më tej shton: “Një grup njerëzish mund të quhet ekip vetëm nëse zemrat e tyre janë bashkë.”
Për biznesmenin filozof, e shkuara është një ndër faktorët që ndikon në suksesin e së ardhmes. “Sa mëson nga e shkuara përcakton sa larg mund të shohësh në të ardhmen,” vëren ai. Dhe më tej shton: “Nëse e gjen rrugën, nuk do të kesh frikë nga largësia mes teje dhe destinacionit tënd.”
Për Wang Wenyin-in, gjeniu është ai që godet shënjestrën të cilën të tjerët as që arrijnë ta shohin, njeri i madh është ai që merr vendime të drejta në kohën e duhur. Dhe pa dyshim, ai vetë është një biznesmen i madh, që ka arritur të realizojë ëndrrën e një kompanie të vogël për t’u bërë tashmë një ndër sipërmarrjet më të mëdha e më të sukseshme në botë
A mund të bëjnë të tjerët, veçanërisht të rinjtë, atë që ka bërë Wang Wenyin-i? “Nuk ka sukses që mund të kopjohet. Çdo histori suksesi pasqyron një kohë, vend dhe njerëz të veçantë. Brezit tonë iu deshën 20 vjet për t’u bërë të suksesshëm, por të rinjtë e sotëm, nëse zgjedhin rrugën e drejtë, mund të jenë të suksesshëm pas tre deri në pesë vjet pune të mundimshme. Kjo për shkak se ne jemi tani duke jetuar në një epokë të veçantë: epokën e internetit dhe të teknologjisë së lartë,” vëren manjati.
E megjithatë, Wang Wenyin-i e quan edhe veten pjesë të një periudhe të jashtëzakonshme. “E shfrytëzova prirjen e rritjes në Kinë dhe në botë. Jam me fat që kam lindur në një epokë të madhe,” shprehet ai, por duke shtuar se megjithatë, thjesht të kesh lindur në një periudhë të caktuar nuk mjafton. “Po sigurisht, edhe vetë bëra përpjekje të mëdha. Njerëzit normalë nuk punojnë aq shumë sa punoj unë. Ata nuk mposhten nga askush tjetër përveçse nga vetvetja,” thotë ai.
Një gabim që Wang Wenyin-i vëren se nuk do ta bëjë ndonjëherë është që t’ia dorëzojë të gjithë biznesin fëmijëve të vet. “Nëse do që kompania jote të vdesë më shpejt, kaloja atë tët biri,” thotë ai, duke shtuar se është shumë shpejt për të thënë nëse tre fëmijët e tij kanë “gjenin e biznesit”.
Si “Amer”-i, ashtu edhe Wang Wenyin-i janë të fokusuar jo vetëm në zhvillimin dhe zgjerimin e biznesit, por edhe në përgjegjësinë shoqërore. “Amer”-i edhe vetë Wang Wenyin-i personalisht kanë dhuruar për zonat e prekura nga fatkeqësitë, për zhvillimin e arsimit, për luftën ndaj varfërisë etj. “Ne në Grupin Ndërkombëtar ‘Amer’ jemi të vendosur për t’ia shpërblyer shoqërisë ndihmesën që ka dhënë në sukseset tona duke kontribuar në luftën kundër katastrofave natyrore, në projektet e mirëqenies shoqërore dhe nismave kulturore, duke mos harruar angazhimin tonë për të qenë të përgjegjshëm për mjedisin, duke u përpjekur për të minimizuar ndikimin në natyrë, përmes përdorimit të energjive të pastra dhe teknologjive të gjelbra,” vë në dukje Wang-u.
Wang Wenyin-i është i njohur si një biznesmen miqësor e i shoqërueshëm dhe që, ndryshe nga mjaft biznesmenë të tjerë, e gjen kohën për t’u marrë me pasionet e veta: leximin, drurin e trëndafilit dhe pemët bonsai.
Ai që dikur flinte në një tub betoni sot ka një vilë katërkatëshe, dyshemeja, muret dhe shkallët e së cilës janë prej mermeri dhe fle në një shtrat prej druri trëndafili me xhiblik. Edhe tryeza 5 metra e gjerë dhe karriget në zyrën e tij janë prej druri trëndafili dhe kushtojnë më shumë se 1 milion juanë. Po në zyrë Wang Wenyin-i ka shumë prej atyre që janë pasioni tjetër i tij, përveç drurit të trëndafilit: pemët bonsai. Ai tregon: “Jam marrë me bujqësi kur isha i ri dhe kjo është arsyeja pse kam këtë hobi. I krasit pemët çdo mëngjes. A e dini sa vegla përdor? Disa qindra”.
Ushtrimi i këtyre pasioneve nuk e ka penguar Wang Wenyin-in të jetë ndër njerëzit më të pasur në Kinë. Më pak se dy vjet më parë pasuria e tij çmohej në plot 16 miliardë dollarë. E megjithëse vlerësimi më i fundit i “Forbes”-it pothuajse e përgjysmon këtë pasuri, në 8.3 miliardë dollarë, sërish mund të shuhet se ditët kur Wang Wenyin-i vishte pantallona pa xhepa e flinte në tuba betoni për shkak të varfërisë, kanë ikur një herë e përgjithmonë.