Francë: Për shkak të grevës filloi shpenzimi i rezervave strategjike të naftës
Autoritetet në Francë thonë se kanë filluar t’i shfrytëzojnë rezervat strategjike të naftës, derisa bllokada në rafineri ka shkaktuar mungesa në gjithë vendin.
Ministri i transportit, Alain Vidalies, tha sot se Franca ka mjaft rezerva edhe nëse greva zgjatë për javë të tëra.
“Problem nuk është furnizimi, por transporti”, tha Vidalies.
Gjatë ditës së djeshme, kompanitë e naftës i kanë mobilizuar qindra cisterna për ta shpërndarë naftën në gjithë vendin, pasi një e pesta e pompave të benzinës ballafaqohen me mungesa, meqë të gjitha rafineritë kanë pasur probleme me shkatërrime dhe mbyllje.
Punëtorët po protestojnë kundër planit të presidentit të Fracës, Francois Hollande, për ta ndryshuar ligjin e punës për reduktimin e pagesës për orar të zgjatur dhe për ta bërë më të lehtë përjashtimin e punëtorëve në disa raste të caktuara.
Qeveria thotë se ligji i ri nuk do të tërhiqet dhe se protestuesit do të ballafaqohen me përgjigje të ashpër nga policia.