Albspirit

Media/News/Publishing

Paketa e shpëtimit për Greqinë


Ministrat e financave të Eurozonës thanë se kanë arritur përparim të madh në negociatat për marrëveshjen e fundit të lehtësimit të borxhit për Greqinë pas disa orë diskutimesh në Bruksel të martën në mbrëmje. Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte kërkuar pakësimin e barrës së borxhit të Greqisë si kusht për financime të tjera të shpëtimit.

Banorët e Athinës reaguan të përmbajtur ndaj premtimit për uljen e borxhit, duke thënë se pas gjashtë vjet masash shtrënguese, ata kanë pak shpresë se ky cikël do të ndalet së shpejti.

Pas disa muaj ecejakesh, Eurogrupi miratoi sot herët një paketë shpëtimi. Greqia do të marrë pjesën e parë të paketës prej 11.4 miliard dollarësh në qershor pas miratimit të përpjekjeve të saj të fundit të reformave nga Bashkimi Evropian.

Kjo është paketa e fundit e shpëtimit në gjashtë vitet e trazirave ekonomike që ka çuar në borxhin e tanishëm public të Greqisë në rreth 180 përqind të prodhimit të brendshëm bruto.

Por atmosfera është e nderë në Athinë pas raundit të fundit të rritjes së taksave të miratuara nga parlamenti grek të djelën.

“Fatkeqësisht situata me të cilën përballemi është shkaktuar gjatë shumë viteve. Nuk është vetëm tani,” thotë Niko, një banor i papunë i Athinës.

“Çfarëdo të thotë ministri gjerman Schaeuble, pa lehtësim të borxhit Greqia nuk do të jetë në gjendje ta paguajë atë”, thotë një tjetër banor i Athinës, George Siakos.

Hapat e detajuar në ofertën e fundit të eurozonës për lehtësimin e borxhit do të ndihmojnë Greqinë të përdorë tregjet e letrave me vlerë dhe të rifitoj besimin e investitorëve, thanë zyrtarët e qeverisë greke.

Lehtësimi i borxhit, që do të vendoset përfundimisht në vitin 2018 në se Athina përmbush zbatimin e detyrimeve të paketës së shpëtimit, do të përfshij gjithashtu zgjatjen e afatit të pagimit të borxhit.

Tregjet financiare e mirëpritën marrëveshjen e cila shmangu përsëritjen e mospagimit të pagesës së borxhit të Greqisë tek FMN-ja vitin e kaluar që e solli Athinën në prag të daljes nga eurozona dhe kërcënoi destabilizimin e bllokut me 19 vende anëtare.

Please follow and like us: