Putin: E amnistova Savchenkon për shkaqe humanitare
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha sot se e ka amnistuar piloten ukrainase, Nadia Savchenko, “për arsye humanitare” me shpresë se lirimi i saj do të ndihmoj në uljen e tensioneve në konfliktin në Ukrainë dhe për ta shmangur humbjen e jetëve të tjera.
Sot Rusia e ka liruar piloten Savchenko, e cila tashmë ka arritur në aeroportin e Kievit, pas këmbimit me dy të burgosur rusë në Ukrainë.
Kremlini tha se aeroplani me dy rusët, Aleksandr Aleksandrov dhe Yevgeny Yerofeyev, tashmë ka ateruar në aeroportin e Moskës.
Rusia e ka dënuar Savchenkon me me 22 vjet burg në muajin mars, pasi ajo ishte shpallur fajtore për involvim në vrasjen e dy gazetarëve rusë në pjesën lindore të Ukrainës.
Pilotja 34 vjeçare e ka hedhur poshtë çfarëdo involvimi në këtë vrasje dhe tha se ishte rrëmbyer dhe në mënyrë të paligjshme ishte dërguar në Rusi.
Muajin e kaluar, në Ukrainë janë dënuar rusët Aleksandrov dhe Yerofeyev, me nga 14 vjet, lidhur me akuza se kanë luftuar së bashku me separatistët e mbështetur nga Rusa në pjesën lindore të Ukrainës.
Ukraina tha se ata ishin pjesëtarë të inteligjencës ushtarake ruse, por Moska ka këmbëngul se ata nuk ishin në detyrë aktive kur janë zënë.