Serbia “njeh” Kosovën në Francë
Serbia “njeh” Kosovën në Francë – dy shtetet u prezantuan me flamuj në takimin ministror
Nikolic ka refuzuar të shkojë në Mal të Zi, në festimet për përvjetorin e pavarësisë së këtij shteti, por përfaqësuesve të Beogradit nuk u ka penguar të shkojnë në Francë në një takim ministror ku Kosova është përfaqësuar si shtet.
Kosova dhe Serbia janë përfaqësuar si shtete dje në Francë, në një takim ministror të organizuar nga Ministria e Jashtme franceze.
Aty ka marrë pjesë Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës Petrit Selimi dhe Ministri i Jashtëm në largim i Serbisë Ivica Dacic, ndërkohë që në samitin e Ministrave të Ballkanit Perëndimor janë vendosur edhe flamujt e Kosovës dhe Serbisë. Vetëm pak ditë më parë, më saktë gjatë fundjavës, Presidenti Serbisë Tomislav Nikolic ka refuzuar të marrë pjesë në festimet e pavarësisë së Malit të Zi, për shkak të pranisë së Presidentit Hashim Thaçi.
Siç dihet Serbia është dakorduar në bisedimet e Brukselit që të jetë bashkëpunuese në iniciativa të tilla. Për këtë tashmë ekziston edhe një marrëveshje me të cilën Kosova përfaqësohet me fusnotë e cila potencon dallimet rreth statusit të Kosovës.
Por Serbia kohë pas kohe nuk e respekton marrëveshjen.
Takimi ministror ka pasur për qëllim përgatitjen e agjendës për samitin e 4 korrikut që organizohet me iniciativë të Presidentit Francois Hollande e ku do të marrin pjesë shefat e shteteve të Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa nga vendet e BE’së do të marrin pjesë Gjermania, Austria, Kroacia, Italia dhe Sllovenia. /GazetaExpress/