Driada Dervishi: Zgjedhja e Pirandelos dhe një aludim mbi perçen e lirinë
Një prej imazheve që mbetet në mendje pas përfundimit të shfaqjes, është mbase një prej skenave të fundit: koka të mbështjella me perde, një burrë e një grua, të ‘pafytyrë’ që luftojnë secili; një për lirinë e një për egon e zhelozinë: Adelina Muça dhe Dritan Boriçi. Një prej këtyre çasteve që është kapur nga fotografja Soela Zani të kujton mbase “The Lovers” 1928, një prej veprave më të njohura të Rene Magrite. Veçse ‘kuadrot’ janë të pafundme, mbasi Driada Dervishi ka dashur që çdo skenë të jetë një pikturë. Mandej Arie nga “Traviata”, “Flauti magjik”, “Opera për tri grosh” dhe “Rinaldo”, pjesë baleti nga “Otello” i japin të tjera ngjyra kryeveprës së Luigi Pirandellos “Sonte do të luajmë pa tekst”.
Pjesa do të jetë në Teatrin Kombëtar çdo të enjte, të premte, të shtunë e të diel, ndërsa fundjavën e kaluar premiera u prit ngrohtë nga publiku, i cili jo vetëm që e rroku tekstin dhe mendimin e Pirandelos, por edhe duartrokiti konceptin regjisorial apo lojën e aktorëve. “Lascia ch’io pianga”, interpretuar nga Adelina Muça, balada e Olta Dakut, apo “Sempre libera”, “Libiamo” dhe “Papageno e papagena”, që vijnë me zërat e trupës, sjellin në teatrin e fjalës edhe këngën. Vetë aktorët janë ushtruar për një kohë të gjatë që kënga të vijë po aq natyrshëm sa interpretimi i tekstit të Pirandelos.
Kostumet të çojnë në fillimvitet e shekullit të shkuar, ndërsa pjesa rikthen vëmendjen te gratë, mbyllja dhe liria e tyre. Skenat i lënë vend njëra-tjetrës, ndërsa shfaqja sjell para publikut edhe atë që njihet si backstage. Kryevepra e dramaturgjisë botërore vjen me regjinë e Driada Dervishit dhe me interpretimin e aktorëve: Dritan Boriçi, Adelina Muça, Met Xhelili, Sokol Angjeli, Olta Daku, Niada Saliasi, Olta Gixhari, Amos Zaharia, Besmir Bitraku, Gent Hazizi, Neritan Liçaj, Marsel Rupi dhe me pjesëmarrjen e Yllka Mujos. Kostumet janë të Desantila Likës, koreografia e Elton Çefës, muzika nga Sokol Hidersha dhe Metila Dervishi, me fizarmonikë Elton Balla, ndërsa balerinët që kërcejnë janë Frenki Ziaj, Mateo Nushi dhe Evisa Lazri. Regjisorja Driada Dervishi vjen në “GSH” në një bisedë për shfaqjen.
-Pse zgjodhët Pirandelon, ka diçka të veçantë për ju?
Nuk është dashuria ime për Pirandelon që më bëri të marr këtë pjesë. Me çdo autor është dashuri e re që nis nga fillimi. Pjesa më pëlqeu që kur e lexova, siç ka ndodhur edhe me shfaqjet e tjera të miat, me Çehovin, Mrozekun apo Strindbergun; është një lloj kimie brenda trupit që në momentin që e imagjinon pjesën në skenë.
-Pra ndërsa e lexon pjesën mendon edhe mizanskenat?
Po, menjëherë. Atëherë nuk mendoja se do e vija në Teatrin Kombëtar. Rrugëtimi i shfaqjes ka nisur para dy vitesh, e gjatë kësaj kohe kam menduar çdo detaj e etyd dhe është përpunuar vazhdimisht. Pas “Vanjës, Sonjës, Mashës” mendova të konkurroja me një projekt në Teatrin Kombëtar. Shfaqja u miratua dhe e kam përkthyer para një viti, ndërsa bëra një përshtatje të madhe të personazheve, sepse ka ende më shumë motra në veprën e Pirandelos dhe ka ende më shumë oficerë që vijnë në shtëpi. Vendosa ndërkaq të krijoja kastin. Sigurisht, e kisha të ndarë mendjen që në fillim që Mona do të ishte Adelina Muça, aktore që premton mjaft për skenën e teatrit shqiptar. Ajo është aktore e teatrit të Durrësit dhe unë i kisha besuar disa role të mira më herët, si Hermian te “Ëndrra e një nate vere”, Natalian te “Martesa” e Çehovit, tek Oscar Wilde po ashtu. Kam parë te ajo një aktore e cila ka një mençuri të bukur dhe kam vlerësuar mënyrën se si e trajton karakterin.
-Pse keni shtuar në pjesë edhe arie nga operat?
Vetë Pirandelo ishte një ‘dashnor’ i operës dhe në pjesën e vet kishte disa opera që thjesht përmendeshin. Unë vendosa t’i shkoja më tej, duke sjellë më shumë elementë. Aria që këndon Mona në fund i shkon shumë rolit të saj, do thosha, i shkon fatit të trishtë të personazhit, ashtu siç roli i shkon Adelinës, e cila e sjell me mjeshtëri, dhe unë nuk shoh në moshën e saj një aktore që do e realizonte më mirë se ajo.
-A keni pasur frikë nga kjo pjesë, si do pritej?
Sigurisht, kam pasur dyshimet e mia për pjesën sepse edhe vetë Pirandelo, kur e shkroi kishte dyshime. Në fillim nuk ia botuan, aq sa madje i shkruante një mikut të tij: “Nuk e kuptoj pse veprat e mia duhet të botohen menjëherë në një vend tjetër dhe pastaj në vendin tim”. Kisha frikë e dyshim nëse do të kuptohej ky eksperiment, që edhe unë vetë doja të bëja në këtë pikë. Është diçka e re, e ndryshme, që të bën të reflektosh mbi teatrin bashkëkohor te ne. Për këtë kam pasur mbështetje nga aktorët e rinj dhe ata me eksperiencë. Teatri ynë po krijon një brez aktorësh të rinj e të talentuar. Për mua është fat që disa prej tyre i kam në shfaqje.
-A munden këta, sipas jush, të arrijnë brezin e vjetër, të cilët ne jemi rritur duke i admiruar?
Në shfaqjen time janë tre breza aktorësh. Nuk dua të bëj krahasime, dua të them që mënyra e të bërit teatër ndryshon, dhe nga fytyrat më të mirat që ka pasur teatri ynë janë Olta Daku, Neritan Liçaj e Dritan Boriçi. Janë ata figurat e sotme e teatrit shqiptar. Përkushtimi i tyre për të kapur çdo moment e detaj dhe për të qenë gati për të kënduar e interpretuar me mjeshtëri aktoriale është i admirueshëm. Duket sikur kjo harrohet shpesh, se ndërsa shkohet te gjërat që i pëlqejnë publikut, harrojmë që teatri është profesion i vështirë. Të gjithë duhet të eksperimentojmë për të sjellë gjëra e forma të reja.
-Gërshetimi i backstaget me shfaqjen dhe skenën ka ardhur këndshëm dhe është mirëpritur…
Po, ndihet dashuria e stafit të shfaqjes për teatrin. Yllka Mujo është kaq e hapur për të kënduar e vallëzuar dhe është në skenë duke vrapuar; është po ashtu Sokol Angjeli, që sjell një karakter shumë të bukur, si dhe Met Xhelili, dhe të gjithë këta janë përballë të rinjve si Amos Zaharia, Bes Bitraku, Niada Saliasi, Olta Gixhari, që vallëzojnë, kërcejnë, dhe nuk shoh asnjë dallim mes tyre. Kemi punuar nga mëngjesi deri në 12 të natës në dy muaj prova intensive.
-Si janë zgjedhur aktorët?
Jo se nuk besoj te audicioni, por në Shqipëri është një komunitet i vogël artistësh dhe, duke i njohur të gjithë aktorët, i dija të gjitha profilet dhe jam e kënaqur që pas përzgjedhjes sime secili ka vendin e vet, dhe duket madje sikur rolet ishin një kostum i qepur për ta. Magjia e kalimit nga një skenë te tjetra vjen natyrshëm. Unë kam bërë shumë shkurtime nga teksti dhe shumë përpunime, dhe ndërkohë kisha menduar se cili rol shkon me cilin aktor.
-Ju keni realizuar vetë edhe skenografinë: abazhurë, pak stil jazz në veshje, një ndriçim ndryshe, korniza pikturash në skena të ndryshme. Si ishte ky eksperimentim?
Është shfaqja e tretë që jam marrë edhe me skenografinë. Them se teatri modern është një teatër imazhi dhe është syri ai që shijon i pari. Në mendje mbesin imazhet, që janë shumë herë më të forta se shumëçka. Shikimi dhe dëgjimi ndikojnë te emocionet, pasi janë perceptimet e para. Unë jam adhuruese e pikturës, dhe pse nuk di as të shkarravis. Kam dashur që çdo skenë të jetë një pikturë më vete dhe jam munduar ta arrij.
-Pra, në një farë mënyre, ju keni sjellë një ndërthurje të artit kontemporan në skenë?
Po, por kam pasur edhe ndihmën e Desantila Likës. Unë mendoj se teatri është plotësim a kolazh i shumë arteve, një lloj instalacioni. Kjo ndërthurje që doja më bëri mua që të kisha këngë, balet e ‘piktura’ në skenë.
-Përveç shkurtimeve të tekstit, çfarë ke shtuar?
Janë shtuar nga unë, etydi i funeralit që nuk është në tekst, etydi i dasmës, ai i zhveshjes së vajzave, etydi i baletit po ashtu. Baleti doja të ishte një paralelizëm me skenën e fundit ku kemi temën e xhelozisë, marrë nga ‘Otello’; duke qenë se jemi një shoqëri ku gruaja mbahet e mbyllet, ndërsa perdja që shihet në skenë është një aludim mbi perçen në figurën femërore, për ta mbajtur të mbyllur. Kjo shfaqje ishte art për art, jo art për të shitur e për të rënë në sy. Unë kam pasur një lloj frike javën e fundit dhe thosha nëse do e kuptojnë njerëzit. Më pas kur kam dëgjuar të qeshurat e para, kam thënë “po, më në fund”. Kisha frikë se Pirandelo është autor i mirë, nuk është humor tallavaje. Ditët e fundit kanë qenë një stërmundim, por nëse një njeri punon deri në 5 të mëngjesit me kënaqësi, nuk e ndjen. Ditët e fundit kemi qëndruar pa fund në punë dhe kanë qenë dy prindër që më kanë ndenjur shumë afër: mamaja e Olta Dakut, që sillte frutat e thoshte ‘se ai njeri duhet të hajë’ dhe babai i Olta Goxharit, që sillte ushqime.
-Si ia del të punosh me brezat e vjetër si Yllka Mujo, Met Xhelili apo Sokol Amgjeli?
Sa e vështirë është t’u kërkosh atyre atë që ke në mendje? Meti ka qenë profesori im, por e gjitha kjo është marrëdhënie besimi që krijohet, dhe jam e lumtur për këtë. Edhe Tan Boriçi, edhe Yllka, edhe Meti apo Sokol Angjeli, më kanë dhënë besim. Është projekti i tretë me Yllkën, dhe ajo tani ikën nga provat duke më pyetur se çfarë mund të rregullojë diçka për nesër, dhe për këtë u jam mirënjohëse të gjithëve.
-Je mërzitur ndonjëherë sa të thuash mjaft?
Ndonjëherë mërzitem e më mbushen sytë me lot. Në një prajë këtyre rasteve, Bes Bitraku më ka thënë: “Ende nuk të janë forcuar muskujt e barkut?” Por, sado të mërzitesh, të nesërmen rinis dhe harron. Duhet të falënderoj bashkëshortin e djalin që më kanë qëndruar afër, si dhe mamanë time që është poeteshë, babain shkrimtar dhe motrat e mia muzikante, që më kanë ndihmuar për përzgjedhjen muzikore në shfaqje.
-Si ka ngelur Driada e thjeshtë?
Them se nuk kam ndërmend të ndryshoj. Më thonë se jam e butë, por unë kështu kam qenë gjithmonë. Pirandelo thotë se “ne lindim pa maska e më pas vëmë maska në çdo etapë të jetës. E në fund vdesim të tjetërsuar”. E dini si? Shqipëria nuk ka vipa, vipat janë ata që kanë pushtet e para, ndërsa artisti është larg vorbullës dhe nëse nuk ka standard për artistët, është e kotë të luajmë një status që nuk ekziston.
-Por, vështirësitë të bëjnë edhe të ashpër, apo jo?
Gjatë rrugës, humbim shumë miq, sepse nganjëherë bëhemi të babëzitur. Unë besoj te shpirti dhe besoj se teatri jep shumë shpirtit. Unë ndihem e lumtur kur krijoj. Nganjëherë artistët kanë edhe dramën e vet, kanë një lloj frustrimi; jemi në kontradikta. Por shumë autorë kanë thënë se “jeta është e shkurtër sa një ëndërr, sa ç’zgjat një shfaqje teatri”, ndaj nuk ia vlen të tjetërsohemi.