Garda e vjetër e PD kundër imponimit të reformës dhe ndryshimeve kushtetuese për orientimin seksual
Debati i fundit në grupin parlamentar të Partisë Demokratike konfirmoi qëndrimet e “gardës së vjetër” të opozitës për të mos pranuar me sy mbyllur ndryshimet kushtetuese të propozuara nga ndërkombëtarët si për reformën në drejtësi dhe nenet që kanë të bëjnë me orientimin seksual. Gazeta Panorama ka zbardhur një pjesë të debatit, ku duket se ka një dakordësi për t’i qëndruar linjës së ashpër në raport me ndërkombëtarët.
Lulzim Basha: Drafti i përgatitur nga ekspertët tanë për Reformën në Drejtësi shpreh ekzaktësisht çdo parim mbi të cilin ne besojmë se duhet ndërtuar reforma dhe përcakton qartë arkitekturën sipas së cilës duhet të funksionojë i gjithë sistemi. Ne nuk jemi forca që pengojmë reformën, përkundrazi, ne kemi propozuar që në muajin mars që të ecej me komponentin antikorrupsion dhe me amendamentet kushtetuese. Kërkuam që të bëhej e njëjta gjë që u bë me dekriminalizimin. Ky hap do të krijonte mundësinë e ndërtimit të institucioneve antikorrupsion, pasi ato duan kohën e tyre, më së paku 6 muaj. Për pjesën e institucioneve, Venecia e thotë fare qartë: Duhet vullnet politik i të dyja palëve. Gjithashtu ne kemi dhënë propozimet tona për procesin e ashtuquajtur të vetingut. Kemi gjykimet tona mbi mënyrën përmes së cilës duhet të kalojnë në filtër të gjithë anëtarët e sistemit të Drejtësisë.
Genc Ruli: Unë personalisht kam qenë i qartë në gjykimet që kam dhënë mbi Reformën në Drejtësi. Kam qenë dhe mbetem që duhet të jemi më sovranë në vendimet që marrim, duke mos pranuar në çdo moment vetëm mbikëqyrje dhe imponim. Këtu e kam fjalën edhe për këtë procesin e vetingut, në të cilin do të kalojnë në sitë të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët. Pse duhet që ky grup, i cili do të bëjë mbikëqyrjen, të jetë kaq ndërkombëtar? Unë kam bindjen se vendi ka resurset e mjaftueshme që ta realizojë procesin e vetingut përmes specialistëve shqiptarë. Ndërhyrja tjetër që kërkoj të investohemi është ajo e ndryshimeve kushtetuese. Kemi qenë të qartë që në fillim se këto ndryshime që po i bëjmë Kushtetutës po bëhen specifikisht për çështjen e Reformës në Drejtësi dhe për asgjë tjetër. Por kemi parë se krahas ndryshimeve kushtetuese që lidhen me reformën, është kërkuar që të ndërhyhet edhe në nene të tjera. Nuk dua të paragjykoj asgjë, ndoshta këto ndryshime kushtetuese mund të jenë të nevojshme të kryhen, gjithsesi, edhe nëse është kështu, ato duhet të realizohen në një moment të dytë. Për çfarë kërkohet ndryshimi i preambulës së Kushtetutës? Kur të futemi në Bashkimin Europian le të kryhen këto ndryshime, me që qenkan të nevojshme. Duhet të kuptojmë qartë pozitat tona, mos të kapërcejmë kompetencat që kemi e për të cilat na kanë votuar. Pjesa më e rëndësishme për të cilën do të doja të flisja është ajo e ndryshimeve që kërkohen të bëhen në Kushtetutë mbi orientimin seksual. Ne jemi parti konservatore dhe nuk mund të votojmë ndryshime kushtetuese që shkojnë në një tjetër linjë. Që në fillim e kam ditur që me b….dhe me zor do të futemi në Europë, por jo të futemi se do shesim b……. Unë po e them hapur se ndahem nga partia ime, nëse partia ime vendos të votoje këtë ndryshim kushtetues. Pra vota ime do të jetë kundër.
Arben Imami: Edhe unë jam kundër një pranie kaq të madhe të ndërkombëtarëve në procesin e reformës. E kam thënë hapur dhe publikisht se e vlerësoj çdo kontribut dhe asistencë të dhënë nga ambasadorët për reformën, por në fund ky duhet të jetë një produkt që duhet të mbajë firmën e shqiptarëve. Pse u duhet dhënë sovraniteti ndërkombëtarëve për çështje që mund t’i vendosin vetë ekspertët vendës? Edhe unë njësoj si Ruli jam kundër çdo ndryshimi kushtetues që nuk ka lidhje me Reformën në Drejtësi dhe për këtë kërkoj edhe nga anëtarët e komisionit në Kuvend të thonë fjalën e tyre. Nuk kemi pse tejkalojmë kompetencat tona dhe të ndryshojmë preambulën e Kushtetutës. Ndërhyrja për orientimin seksual kërkon një diskutim shumë më të gjerë, që nuk mund të bëhet në të njëjtën kohë kur po diskutojmë për Reformën në Drejtësi. Nëse këto janë çështje të rëndësishme dhe kërkojnë të kalojnë, atëherë të shkojmë në referendum për to.
Eduard Selami: Ajo që unë kërkoj është që të jemi gjithmonë të kujdesshëm kur u referohemi partnerëve ndërkombëtarë. Nuk e kam fjalën vetëm për Reformën në Drejtësi. Është shumë i rëndësishëm komunikimi politik që ne do të kemi për çështjen e reformës me audiencën e brendshme këtu në vendin tonë, me elektoratin tonë. Kur them të kujdesshëm, dua të kujtoj se pala tjetër është investuar që të krijojë një ide të gabuar në opinionin publik se PD është bllokuese e reformës. Kjo nuk është e vërtetë, ndaj edhe ne duhet ta sqarojmë.
Sali Berisha: Reforma në Drejtësi është diçka që kërkon dialog dhe sigurisht që do të vazhdojë deri në gjetjen e dakordësisë mes palëve. Unë do kërkoja nga të gjithë deputetët e PD-së të jemi të kujdesshëm dhe të qartë në qëndrimet që mbajmë për çështjen e dekriminalizimit. Mediat e tyre po shtrembërojnë faktet që kanë dalë nga publikimi i formularëve të dekriminalizimit. Po ndodh diçka e papranueshme, ne ata po na barazojnë me veten. Po si more zotëri mund të krahasosh ti dikë që ka kryer vrasje me dikë që është gjobitur për organizim mitingu të paligjshëm, siç mund të jetë rasti i Palokës?! Për këtë çështje duhet të jemi më intensivë edhe në seancë plenare.