Gardhet e politikës
Nga Sokol HYSENAJ Politika jonë vazhdon me kokëfortësi, të ndërtojë gardhe si brenda vetes, ashtu dhe jashtë saj. Këto gardhe nuk e lejojnë atë të ketë një vizion të qartë për të ardhmen e vendit. Zvarritjet artificiale, që i bëhen Reformës në Drejtësi, kanë ngjallur zhgënjim dhe zemërim, tek aktorët kryesorë në politikën e Brukselit dhe të Uashingtonit. Me interesat e saj të ditës, politika jonë po i bën sfidë BE dhe Amerikës, duke ngritur një gardh të ri, që mund të vonojë për më tepër se tre vjet, integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe mund të ftohë marrëdhëniet me partnerin tonë strategjik, SHBA-në.
Skandali i përgjimeve provokoi alibinë e radhës, për ta shtyrë sa më tej këtë reformë jetike, për të ardhmen e vendit, duke ngritur gardhe të reja midis institucioneve. Ky skandal tregon, se politika jonë është e lakueshme deri në zvetënim, nëse ia do interesi politikë i ditës.
Si pasojë e kapjes së drejtësisë nga politika dhe korrupsioni, janë krijuar këneta të frikshme të krimit dhe të pandëshkueshmërisë së baronëve të saj. Me anë të “ligjit” qytetarëve u rrëmbehet prona dhe për ditë shohim, si pasurohen me afera të pista një grusht zyrtarësh, duke krijuar kështu një gardh të ri shoqëror me shufrat e korrupsionit. E drejtësia jonë e tulatur, fle në ndonjë qoshe me kodin penal mbi duar.
Arroganca dhe mungesa e kulturës politike bëjnë, që këto gardhe të lartësohen përditë. Si boshte ato kanë problemet e ditës, dhe “harrohen prej tyre” problemet më të rëndësishme, që kanë të bëjnë me fatet e këtij vendi e të këtij populli. Nëpër skutat e këtyre gardheve fryhen fenomene të tipit “Shukri”. Ky nuk është një fenomen i ri në politikën tonë, ai ka gati dy dekada e gjysmë, që si kërmill zvarritet nëpër gardhet e korrupsionit. Retorika e politikës sipas interesave të ditës këtë fenomen e vërtit sa majtas dhe sa djathtas.
Këto gardhe nga titullarët e politikës i kthejnë institucionet e vendit në sherrnajë dhe atëherë kur është e nevojshme një dakordësi e plotë. Një amulli debatesh dhe përplasjesh midis institucioneve komplikojnë edhe më tepër, aksionet kombëtare si ajo e Reformës në Drejtësi. Këto pseudoargumenta prodhojnë kriza, duke e bërë jetën e qytetarit të thjeshtë edhe më të varfër. Kjo zhurmnajë e provokuar si padashje, si një dumë rëre ka ditë që vërtitet në politikë, për t’i taposur sytë dhe veshët shoqërisë sonë.
Fjala e lirë ka kohë që është e ndrydhur nën stres. Plagët e krijuara prej shufrave të korrupsionit dhe të krimit, shoqëria jonë i ndjen ti therin mbi gjuhë. E marrëzia e politikës, për të qëndruar sa më gjatë në karrigen e pushtetit, zgjat fijet e saj të padukshme, për të përgjuar jetën e qytetarit.
Ligji i Dekriminalizimit ka nisur të hapë një e nga një fletët e aferave korruptive, në lakrorin e pushtetit. Ky ligj i shqetëson të gjithë, ndaj janë krijuar klubet e miqve dhe të interesave. Humori grotesk i klubeve të miqve, ka një çerek shekulli, që vërtit nëpër gishta ëndrrën tonë demokratike. Tallet me durimin tone, “për politikën që do të bëjë ndryshimin”.
Snobi i këtyre ditëve kanë qenë pajisjet përgjuese, që i zbuloi sigurimi i punimeve të Samitit të NATO-s, që zhvillohet në vendin tonë. Mënyra, se si këto pajisje kanë hyrë në vendin tonë dhe me çfarë funksioni janë përdorur, ka qenë molla e sherrit të radhës në politikën tonë. Në pak ditë është krijuar një gardh i ri, për ta mbajtur sa më larg reformën në drejtësi. Shufrat partiake dinë si të lakohen, nëpër hunjtë e interesave të politikave të ditës.
Kamerat, këto spiune të heshtura dhe moderne kafshojnë jetën dhe mbjellin frikë. Kjo mendësi mesjetare, i ka rrënjët në epokën errët gjysmë shekullore komuniste dhe formimit të njeriut të ri. E gardhi i përgjimeve vazhdon të ngrihet, duke e mbajtur të ndezur sherrnajen e politikës tonë. Përgjimi duhet të jetë në funksion të ligjeve dhe në duar të organeve kompetente.
Ndaj këtij fenomeni, të forta kanë qenë kritikat e Partisë Demokratike. Por këto kritika nuk duhet të përzihen me ethet elektorale. Nuk duhet që kjo sagë e përgjimeve të jetë alibia e radhës, për t’u larguar nga tavolina e bisedimeve, për reformën më jetike në të ardhmen e vendit. Nuk mund të krijohen gardhe, që do të pengojnë ëndrrën shqiptare të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Interesi kombëtar duhet të vendoset mbi çdo axhendë dhe interes partiak.
Partia Demokratike ka bërë propozime për ndryshimin e draftit të EURAIUS-it dhe OPDAT-it, gjë që do të sillte shtyrjen e kësaj reforme. Ajo kërkon ndërhyrje në 57 çështje, ku pikat më të nxehta janë emërimet në drejtësi, me tre të pestat e votave të deputetëve. Propozime të tilla, kanë krijuar një gardh midis dy partive kryesore të politikës, duke krijuar një ngërç të ri artificial.
Kjo reformë nuk ka vëmendjen e duhur nga klasa jonë politike. Asaj i mungon një dakordësi gjithëpërfshirëse. Politika nuk është e sinqertë as me vetveten në premtimet që bën. Kjo hipokrizi ka shtuar trysninë e ndërkombëtarëve, që kërkojnë, të dali jashtë gardheve të interesave partiake Reforma në Drejtësi. Kostoja e dështimit të kësaj reforme do të jetë e rëndë për gjithë shoqërinë tonë.
Një gjykatë e drejtë dhe e paanshme, do të jetë aspirata e një të ardhme demokratike. Korrupsioni është një oktapod gjigand, që po gëlltit në heshtje shoqërinë tonë. Për ta luftuar atë duhet, që çekiçi i drejtësisë të godas fortë dhe drejtë. Por kjo politikë nuk e dëshiron një drejtësi të tillë. Ajo i ngjan një gaforreje, që bën sa hapa para, aq dhe prapa, ku secila nga dy krahët kërkon ta mbërthejë drejtësinë me ganxhën e saj.
Politikës sonë i mungojnë urat dhe vizionet e qarta. Ajo ngre gardhe dhe atje ku sjellin dëme, apo atje ku duhet të ketë një vullnet të gjerë dhe një dakordësi gjithëpërfshirëse. Politika jonë me thonjtë e pistë nuk e lë drejtësinë të jetë funksionale. Jo rrallë në jetën e vendit ajo ka kërkuar të bëjë kompromise me drejtësinë, dhe jo drejtësi të pastër dhe paanshme.
Klasa jonë politike e denigruar në këtë çerek shekulli pluralizëm, ka ndërmarrë shumë reforma kur termave u është vendosur një de-përpara si: dekriminalizimi, dekomunistizimi dhe së fundmi dekusarizmi, terma që shëtitin nëpër mediat vizive dhe të shkruara. Dëshirojmë, që Reforma në Drejtësi mos të marri një de-përpara, për t’u degraduar si simotrat e saj, në këto vite të gjata në pluralizëm.
Në jetën e vendit është më e rëndësishme, të ketë më shumë gjyqtarë të pavarur, se sa gjyqtarë në shërbim të politikës, që ajo të jetë, sa më afër qytetarit të thjeshtë dhe të fitojë besimin e tij, për një drejtësi të pastër dhe funksionale. Politika vazhdon të endë alibira dhe sherre për interesat e saj të ditës.
Ajo nuk mund të qëndrojë, qoftë dhe një ditë të vetme pa sharë, pa kërcënuar dhe pa fyer. Skandalet janë të përditshme dhe llafollogjia e luftës mbi to, thith përditë shumë energji. Mllefi ngrihet mbi argumentin dhe emocioni mbi qartësinë e mendimit. Pajisja e përgjimit ndezi një betejë të ashpër e gardhet u ngritën deri në zenit. U thyen rregullat për privatësinë e jetës, se ua donte interesi disa zotërinjve me kostum dhe protokoll zyrtar. Kjo drejtësi e ndarë në sinore dhe që i kreh bishtin politikës, nuk është ajo drejtësi, që i nevojitet një shteti ligjor.
Gardhet e sherrxhinjve shqiptarë e kanë futur këtë vend në kolaps ekonomik dhe politik, duke e lënë në bisht të Ballkanit dhe të Europës. Shpifja dhe baltosja duke u fshehur pas gardheve që krijon politika, janë armët më luftarake në politikën tonë mesjetare. Për gardhet e sherrit në politikën tone, Knut Fleckenstein shprehet: “Sa here që vij në Shqipëri i gjej politikanët e këtij vendi, veçse duke bërë sherre”.
Brukselit po i humbet durimi me politikanët shqiptarë, që vazhdojnë deri në marrëzi të ngrenë gardhe dhe të bëjnë sherre për interesa të ngushta politike dhe ekonomike. Kjo kapriço është dramatike dhe kundër interesave të mëdha të vendit dhe mund ta shtyjë integrimin në Bashkimin Europian për disa vjet. Shoqëria jonë kërkon me ngut, që politika të prishi gardhet e ndarjes dhe të tregojë vullnet për të lënë mënjanë sherret partiake, për hir të interesave kombëtare. Mjaft me marrëzira të tilla!! Sot është koha e ndërtimit të urave të dialogut dhe hapësirave të bashkëpunimit.