Albspirit

Media/News/Publishing

Kjo është shëndetësia falas? Drejtori: Shitën lopët për të marrë diplomat

Kjo është shëndetësia falas? Drejtori: Shitën lopët për të marrë diplomat

Shëndetësia falas! Është kjo kryefjala e ministrit të Shëndetësisë, apo dhe kryeministrit Edi Rama. Por realiteti është krejt ndryshe. Kamera e emisionit investigativ “Stop” ka shkuar në spitalin rajonal të Pukës. E ajo që është në të vërtetë: Një spital i rrënuar nga themelet deri tek çatia.

Enver Sulejmani, drejtori i këtij spitali e thotë me gojën e tij se gjendja është e mjerueshme. Jo për gjë, por planet flasin vetë! Sulejmani thotë se ka marrë premtim nga ministri se ky spital do rregullohet, por deri tani nuk është lëvizur as guri më i vogël.

Përveç infrastrukturës në këtë spital mungojnë edhe mjekët. Pasi një nga mjekët e sëmundjeve të brendshme ka ndërruar jetë dhe tjetër nuk ka, i gjithë pavijoni është mbyllur.

Një tjetër fakt që drejtori i spitalit e thotë me gojën e tij, është dhe pajisja e infermiereve me diploma. “Kanë shitur edhe lopët për të marrë diplomën. Kanë paguar rreth 3500 euro për të marrë diplomën”, thotë me krenari drejtori i spitalit për mikrofonin e emisionit “Stop”.

Probleme të tjera? Sa të duash… Largimi i punonjëseve nga puna, pa ndonjë arsye. Olivera Myftari, me arsim të lartë thotë se ndonëse ishte duke punuar në spital, si mami, në shtëpi i kishte vajtur zarfi i shkarkimit nga puna.

“Shkova tek zyra e drejtorit edhe e pyeta, ai me tha që s’ka rëndësi shkolla, kush vjen i fundit, hiqet nga puna”, ka thënë Olivera Myftari për mikrofonin e misionit “Stop”.

Historia vazhdon… Personi që bënte grafitë në spitalin rajonal të Pukës, kishte kaluar nga magazinier në laborant.

“Kam mbaruar një kurs 1-vjeçar në Tiranë për laborant. Kam bërë punë të ndryshme, pastaj kalova me rritje në detyrë”./tvklan.al

Please follow and like us: