“La Boheme” – Fotot e suksesit të sopranos shqiptare Inva Mula në teatrin e Beogradit
Ka qenë një sukses intepretimi i sopranos shqiptare me famë botërore Inva Mula mbrëmjen e së mërkurës në skenën e Teatrit të Beogradit, në rolin e Mimit në operën “La Boheme”. Performanca e Inva Mulës u dirigjua nga dirigjenti Dejan Cabic dhe u shoqërua nga kori dhe orkestra e Operës së Beogradit. Inva Mula është e ftuar speciale në këtë shfaqje, që realizohet në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar së fundmi mes Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë dhe atij serb. “Jam shumë e lumtur që shkoj në një teatër ku 71 vite më parë e madhja Tefta Tashko Koço ka kënduar “La boheme”. Kjo përbën histori. Unë këndoj për herë të parë në ketë teatër në periudhën postkomuniste”, është shprehur Inva Mula. Në nëntor të vitit 1945 ishte sopranoja Tefta Tashko Koço, e para artiste shqiptare që ngjitej në skenën serbe. Ajo interpretoi rolin e Mimisë tek opera e Puçinit “La Boheme”.