Albspirit

Media/News/Publishing

Michel Houellebecq, ky ‘provokator’ i madh

Sfida në raport me Michel Houellebecq sot nuk është shmangia e tij, e as kritika vend e pa vend; sfida është ta lexojmë dhe kuptojmë atë për nga problemet që ai shtron e që janë aktuale për çdo shoqëri

Agon Sinanaj

Në intervistën dhënë për ‘Paris Review’ shkrimtari më i lexuar francez sot, Michel Houellebecq, në tri raste i drejtohet gazetarit se “me përgjigjet e tij nuk është duke provokuar”. Në një rast kur Houellebecq përgjigjet se beson në “lumturi të amshueshme”, sakaq gazetari e pyet me habi: Ju besoni në lumturi të amshueshme, të pakufizuar? – Po, i përgjigjet Houellebecq, dhe shton: “Nuk jam duke e thënë këtë sa për të provokuar”.

Kjo ‘paranojë’ dhe përkorje e Houellebecq se ‘mos është duke provokuar’ dhe ky mosbesim cinik i intervistuesit, shpërfaq më së miri përmasën e vërtetësisë që e gjejmë të shtrirë në letërsinë e tij. Në njërën anë frika e gazetarit, duke e ditur se përkundruall ka njeriun më të kritikuar të kohës, dhe në anën tjetër, një ‘Houellebecq paranojak’ teksa kujdeset se mos po keqkuptohet.

Njeriu që problematizoi, apo më mirë ‘provokoi’, temat më të ndjeshme në shoqërinë franceze dhe jo vetëm – duke filluar nga ‘shoqëria e publicitetit’, religjioni, ndikimi harbut i një teknologjie që gjithnjë e më shumë po përvijohej në shoqëri, e deri te seksi dhe kulti i individit në shoqërinë kapitaliste – s’kishte sesi të pritej ndryshe përveç si ‘provokator’. Dhe një njëri që provokon (pra që i mëshon të vërtetës pa kalkuluar), s’ka sesi të merret seriozisht!. Pra mosbesimi i gazetarit është i kuptueshëm lehtë, sikur po aq i kuptueshëm është kujdesi i Houellebecq se ‘mos është duke provokuar’.

Me t’u botuar veprat, si “Thërrmijat elementare”, “Zgjerimi i fushës së luftës”, “Platforma” dhe së fundi “Nënshtrimi”, shpërthyen kritikat në Francë dhe më gjerë. Letërsia e tij u quajt seksiste, madje në raste edhe ‘pornografike’, ndërsa vetë ai u akuzua si islamofob. Madje kritikat shkuan deri atje sa një grup për mbrojtjen e të drejtave civile e çoi edhe në gjykatë për nxitje të urrejtjes. U lirua në fund në emër të lirisë së shprehjes. Ndërsa ata më të përkorët, pra ata që kishin marrë mundin t’ia lexojnë librat, letërsinë e Houellebecq e klasifikuan si vazhdimësi të traditës së realizmit në letërsi që fillon me shkrimtarin e madh francez, Honore De Balzak.

Me kritikat qe i befasuar edhe vetë Houellebecq. Jo me kritikën si të tillë, por më shumë nga habia se mos, ata që po trumbetonin, nuk ia kishin marrë mundin as t’ia lexojnë librat. Në një përgjigje të shkurtër ndaj kritikëve, Houellebecq e shpreh kështu këtë habi:

“E para, ata më urrejnë më shumë seç i urrej unë. Është e vërtetë që jam bërë simbol i shumë gjërave jo të pëlqyeshme. Më quajnë cinik, nihilist, mizogjen, islamofob. Dhe kjo ka bërë që disa njerëz të mos lexojnë librat e mi sepse e kanë të gatshëm mendimin në kokën e tyre, pa ditur fare për çfarë bëhet fjalë. Një shkrimtar nuk mund të lexohet vetëm me 2-3 novela. Por, kritikët e kanë ndarë mendjen”.

Siç janë sarkastike pothuaj të gjitha veprat e Houellebecq, nuk mund të pritej një përgjigje tjetër. Por ajo që bie në sy më shumë është habia e tij me kritikat e vobekta ndaj librave të tij. Deri në atë masë sa shprehet se “njerëzit janë ndalur së lexuari librat e mi”. Prandaj sfida në raport me Houellebecq sot nuk është shmangia e tij, e as kritika vend e pa vend; sfida është ta lexojmë dhe kuptojmë atë për nga problemet që ai shtron, e që janë aktuale për çdo shoqëri.

Ngjashëm si Balzaku, që pothuaj në të gjitha veprat lëvron përçudnimin e shoqërisë borgjeze në Francë, pas revolucionit të 1789-s, edhe letërsia e Houellebecq rrok pikërisht këtë dimension realist të zvetënimit të njeriut bashkëkohor nga ajo që Houellebecq me shumë qejf do ta quante ‘shoqëria erotiko-publicitare’. Një shoqëri atomizuese si kjo, që nën diktatin e tregut të lirë, përmes nxitjes së epshit dhe nevojave fiktive dhe një konkurrence mbytëse, ka zvetënuar çdo gjë njerëzore. Prandaj për të funksionuar asaj i duhet ta organizojë epshin në shoqëri dhe ta zhvillojë atë në përmasa të papara. Siç shprehet vetë Houellebecq: “që shoqëria të funksionojë, që konkurrenca të vazhdojë, duhet që epshi të rritet, të zgjerohet dhe të përpijë jetën e njerëzve”.

Viktimë e një shoqërie si kjo është edhe Bruno, njëri nga personazhet tek “Thërrmijat elementare”. Si profesor letërsie, Bruno nuk resht së ngarenduri pas kënaqësive trupore; madje deri atje sa ky bëhet i vetmi kuptim i jetës për të. Në një shoqëri që e fetishizon konkurrencën, edhe Bruno s’ka sesi të mos e krahasojë veten me secilin që i del para. Krahasimi me tjetrin këtu merr përmasa të atilla sa përfundon në racizëm; Bruno urren zezakët pasi ata “merren si më të zotë me gratë”. Por Bruno nuk është racist i vetëdijshëm. Ai është viktimë e një shoqërie që gjithnjë e më shumë imponon konkurrencën përmes organizmit të epshit në përmasa hyjnizuese. Bruno ta kujton Zhan Valdanin, personazhin tragjik tek të “Të mjerët” e Viktor Hygos, të cilin shoqëria e fut në birucë vetëm sepse ka vjedhur një bukë. Por, askush nuk pyet për gjendjen e Zhan Valdanit para se ai ta ketë kryer aktin e hajnisë. Tek e fundit, çfarë hajni është ai që vjedh një bukë në furrë! Zhan Valdani është viktimë e një shoqërie e cila vetë e katandis atë në varfëri, dhe e njëjta më pastaj e fut në qeli.

Tek “Thërrmijat elementare” Houellebecq përmend edhe ndikimin e madh që patën lëvizjet anarkiste, si ajo e hipive, që u importuan nga Amerika në Francë në gjysmën e shekullit të kaluar, si dhe ndikimi i madh që pati te njerëzit, shkenca dhe teknologjia. Këtë ndikim Houellebecq e jep përmes Mishelit, vëllai i Brunos për nga nëna, me profesion shkencëtar. Misheli, i futet punës së madhe që ta zhvillojë teorinë e tij për përpunimin e një kodi gjenetik, që do të mundësonte riprodhimin jo më përmes seksit, por përmes laboratorëve shkencorë. Por gjatë kësaj rruge të vështirë, ai harron të lidhë qoftë edhe një raport me një njëri të vetëm. I mbyllur në vetvete, dhe i dhënë krejtësisht pas punës se tij shkencore, Misheli përfundon më keq se vëllai i tij: ai në fund kryen vetëvrasje.

Më mirë nuk ngjet as me protagonistin e romanit tjetër “Zgjerimi i fushës së luftës”. Një i ri 30-vjeçar me profesion administrator i teknologjisë informative, pasi i caktohet detyra që ta zbatojë një projekt të Ministrisë se Arsimit për futjen e teknologjisë nëpër shkollat franceze, rrëshqet në një gjendje limontie. Heq dorë krejtësisht nga profesioni pasi vetëdijesohet për ndikimin e keq të teknologjisë te njerëzit. Fytyrat përunjëse të profesorëve tek i thonë “duam të punojmë me të vjetrën” e tmerrojnë aq fort, sa heq dorë krejtësisht nga profesioni dhe tërhiqet në vetmi.

Personazhet e Houellebecq, që të gjitha pa përjashtim, shpërfaqin gjendjen dehumanizuese të njeriut bashkëkohor, në kushtet e një shoqërie të tregut, që më së paku ka si synim njerëzoren. Njerëz të zvetënuar, pa ambicie, të pazotë që të lidhin qoftë edhe një raport njerëzor – personazhet e Houellebecq na bëjnë që, qoftë edhe për një moment të vetëm, të mendojmë për gjendjen në të cilën ndodhet njeriu i sotëm.

Please follow and like us: