Albspirit

Media/News/Publishing

“Pajisja e përgjimit”, ambasadori italian: Shpejt zbardhet e vërteta

 Ambasadori Italian ne Tiranë, Alberto Cutillo, kërkon nga Prokuroria zbardhjen sa më shpejt të çështjes së pajisjes së përgjimit, ndërsa thekson se selia diplomatike po bashkëpunon ngushtësisht me autoritetet shqiptare, duke i dhënë atyre të gjitha informacionet e nevojshme.  Në një intervistë për Vizion Plus, diplomati Italian tregohet i rezervuar në deklarata, por shpreh besimin se shumë shpejt do të zbardhet e vërteta e përfshirjes italiane në këtë çështje.

“Di që ky argument ka qenë në qendër të vëmendjes se mediave dhe të debatit politik. Duke qenë se ka një hetim që po kryhet nga autoritetet shqiptare, ju e kuptoni se nuk mund të them shumë. Mund të them vetëm se bashkëpunimi ynë me Prokurorinë është i shkëlqyer. Kemi dhënë informacione për të gjitha aspektet e përfshirjes italiane në këtë çështje. Kështu që unë kam besim se brenda një kohe shumë të shkurtër, prokuroria do të mbyllë hetimet, të paktën përsa i përket palës italiane”, u shpreh Cutillo.

Në lidhje me reformën në drejtësi, Cutillo thekson se ka nisur të ketë dyshime që kjo reformë do të mund të realizohet përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Diplomati Italian deklaron se apelet e ndërkombëtarëve nuk duhen perceptuar si një presion kohor, por sipas tij shtyrja më tej e reformës do t’i humbiste Shqipërisë jo vetëm shansin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE këtë vit, por shumë më tepër se kaq.

“Isha i sigurt që do të realizohej pak muaj më parë, tani më duhet të pranoj se kam nisur të kem disa dyshime. Kjo reformë prek Shqipërinë dhe për këtë duhet të bëhet nga forcat politike, institucionet dhe nga qytetarët shqiptarë. Kështu që nuk duhet të ketë dyshime për rolin e komunitetit ndërkombëtar, që është në mbështetje, jep asistencë teknike dhe ky rol nuk mund të perceptohet si një lloj presioni në dinamikën politike shqiptare.

Por ajo që duhet theksuar dhe që duhet ta dinë edhe qytetarët shqiptarë është se nëse kjo reformë është e rëndësishme, atëherë është e rëndësishme edhe që të realizohet shpejt. Vetëkuptohet që nëse kjo reformë bëhet tani, ka një shans për hapjen e negociatave që këtë vit. Nëse kjo reformë do të shtyhej pas zgjedhjeve, atëherë ky shans do të mbyllej dhe shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm që procesi i aderimit do të fillojë më vonë”, tha Cutillo.

Please follow and like us: