Albspirit

Media/News/Publishing

Rama: Jam krenar, por jo i kënaqur me koalicionin

Në një intervistë për Top Story, dhënë të mërkurën, Kryeministri Edi Rama shtriu edhe njëherë tjetër dorën e dialogut në drejtim të Partisë Demokratike për reformën në drejtësi, madje Rama ‘i lutej’ opozitës për ta përmbyllur këtë reformë.
Por veç ftesës drejtuar kundërshtarit politik, Rama foli edhe për skenare të mundshme për fatin e kësaj reforme, ligjin e dekriminalizimit, por edhe për të ardhmen e koalicionit.

Pyetja e parë është shumë e thjeshtë. Jam shumë e interesuar për reformën në drejtësi. Do të mund t’ia dalim me reformën në drejtësi? Do ta bëni vetëm, me Partinë Demokratike? Do ta bëni?
Edi Rama: Unë jam shumë shpresëplotë që do t’ia dalim dhe është tamam kështu që duhet shtruar pyetja, jo ‘do të mund t’ia dilni’, por ‘a do t’ia dalim’ sepse është një reformë që shkon përtej interesave të një pale dhe që bashkon të gjithë opinionin publik. Sot në Komisionin e Reformës kemi dhënë pëlqimin dhe jemi gati të votojmë nen për nen të gjithë draftin e paraqitur me mbështetjen e Venecias.

Por Partia Demokratike ka një draft të ri, ka kërkesa të reja. Ka në fakt një përpjekje për kontakt kryetarësh. Ju ka thënë zoti Majko besoj që nuk është shumë e vështirë që të takohet Lulzim Basha?
Edi Rama: Së pari, PD pasi ka votuar në parim draftin ekzistues papritur është shfaqur me një draft të ri që nuk është kontribut përmirësues i draftit ekzistues, por një ftesë për të braktisur punën e një viti e gjysmë dhe për ta nisur atë nga e para me një strukturë krejtësisht ndryshe dhe faktikisht edhe me qëllime krejtësisht ndryshe. Drafti i PD në thelb synon të konservojë këtë sistem, të mbrojë të paprekura privilegjet në këtë sistem. Kjo është e papranueshme! Ndërkohë që do ta miratojmë vetëm apo jo, është një pyetje që nuk është ende momenti për ta bërë. Të gjithë duhet ta dijnë që rruga tjetër është referendumi, por për të shkuar në referendum duhen sërish 94 vota. Shumica që ndryshon Kushtetutën është edhe shumica që jep miratimin për referendum. Kjo është një alternativë që besoj se ka ende mundësi për të provuar deri në fund dakordësinë edhe me partnerët ndërkombëtarë, sepse në këtë mes nuk jemi vetëm. Partnerët ndërkombëtarë janë bashkautorë, siç e kanë thënë edhe publikisht. Unë i kam bërë një ftesë Lulzim Bashës, publike, serioze me shkrim dhe kam marrë një refuzim që është në traditën e PD edhe në të shkuarën.

Ftesa juaj nuk kishte gjë konkrete, këtë herë ka gjë konkrete?
Edi Rama: Nëse bëhet një ftesë për dialog, besoj që ftesa duhet të jetë e hapur, pa kushte, pa kufi duke i dhënë të drejtën palës që fton që të ngrejë çështje që konsideron më të rëndësishme. Prandaj ftesa mbetet e hapur, koha vrapon, prandaj nëse duam së bashku të çelim dyert e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

A mendoni që fundi i qershorit do ta gjejë Shqipërinë me një reformë të miratuar, në analizën tuaj, pa vënë bast?
Edi Rama: Unë nuk shoh filxhan dhe për më tepër filxhanin e PD, që është më e vështirë se edhe për fallxhoret më të shkathëta, sepse në filxhanin e Partisë Demokratike gjen vetëm baltë dhe gjen vetëm personazhe të kriminalizuar që kriminalizohen çdo ditë.

T’u bëj një pyetje për formularët e dekriminalizimit. Tani që letrat janë hapur, mendoni që ka ardhur koha që partitë e mëdha duhet të kërkojnë një ndjesë publike për ata që janë zgjedhur në parlament, bashki e kudo?
Edi Rama: Së pari, tani besoj që është e qartë që jemi në kushtet e Sudes kur doli dhe tha që kjo ishte loja, me ndryshimin që tek SHQUP-i nuk po del njeri dhe të thotë që kjo ishte loja, por faktikisht njerëzit e kanë kuptuar që kjo ishte një lojë, pasi faktikisht as 19 kriminelët e paralajmëruar nuk janë zbuluar, asnjë deputet i PS nuk rezulton të jetë subjekt i ligjit të dekriminalizimit, që është ligji më i ashpër, unikal në botë, antikushtetues në thelb, por me vullnetin për t’ia lënë PD të gjithë hapësirën që të vërtetojë akuzat e veta. Unë jam krenar që i vetmi kontribut që kemi në atë ligj, kontribut specifik i PD, është futja e nenit për ta shtrirë këtë proces pastrimi në administratë, pasi PD e kishte vetëm për të zgjedhurit. Rezulton se ata janë në një telash shumë të mëdha sepse ju kanë dalë nga ferrat personazhe që deri dje PD mbase nuk i dinte, apo nuk i konsideronte brenda grupit të vet parlamentar.

Nuk ka ndjesë? Nga ana juaj të paktën? Nuk e shikoni të arsyeshme?
Edi Rama: Për çfarë?

Po dy prej ish-deputetëve të maxhorancës, nuk janë më në parlament, njëri ka lënë mandatin për çështje të së shkuarës, ndërsa tjetri është në gjyq.
Edi Rama: Së pari, edhe ky është një proces i madh balte dhe kriminalizimi të njerëzve, pasi ne sot jemi në kushtet kur aplikojmë ligjin dhe është ligji ai që vendos se kush janë ata që nuk e meritojnë të qëndrojnë aty dhe kush mund të qëndrojë dhe fakti që asnjë deputet dhe i zgjedhur i PS nuk cenohet nga ky ligj tregon që kemi qenë të hapur, të vërtetë dhe pa pretenduar se ne jemi engjëj dhe demokratët janë djajtë, ne jemi thjeshtë më të mirët sepse besojmë në disa vlera dhe parime që e bëjnë të majtën një forcë progresive dhe që ka epërsi në këtë territor.

Tani po shkoni të takoni Ilir Metën, ai flet më shumë për refugjatët sirianë, ju për Trump sesa për koalicionin dhe të ardhmen e 2017, e keni vendosur do jeni bashkë?
Edi Rama: Jemi në një koalicion që mund të konsiderohet reformist që ka garantuar nisjen e një kthese të vështirë në të gjitha drejtimet. Janë bërë një nr reformash që nuk ishi9n bërë në 20 e kusur vit. Unë jam krenar por jo i kënaqur sepse ka shumë për të bërë dhe më e rëndësishmja, rezistenca që na bëhet, jo vetëm nga PD, por nga të katër anët është rezistenca e të shkuarës dhe e gjithë zakoneve të këqija në raport me përpjekjen për të ndërtuar një Shqipëri të denjë për gjeneratën tjetër. Në këtë aspekt koalicioni e ka kryer detyrën e vet. Sa i takon të ardhmes, ka gjithmonë një moment për të bërë gjërat dhe momenti për të bërë bilancin dhe strategjinë e katër viteve në vijim do të vijë, por nuk është ky.

Please follow and like us: