Gabimi i autoriteteve britanike, fshihen të dhënat e 800 të dyshuarve për terrorizëm

Autoritetet britanike kanë humbur gabimisht të dhëna dhe informacione të rëndësishme për më shumë se 800 persona të cilët dyshoheshin për lidhje me organizata terroriste. Në materialet e fshira aksidentalisht përfshiheshin shenjat e gishtërinjve, ADN-ja si dhe detaje të tjera të rëndësishme të personave në fjalë. Zyrtarët janë shprehur se gjithçka ka ardhur si pasojë e një nënvlerësimi pasi në bazë të ligjeve në Britaninë e Madhe, çdo e dhënë e grumbulluar për një të dyshuar fshihet në mënyrë automatike nëse askush nuk kërkon ruajtjen e tyre.
Autoritetet britanike kanë bërë një gabim madhor duke fshirë aksidentalisht të dhënat për 800 persona të cilët dyshoheshin se ishin të lidhur me organizata terroriste.
Një ngjarje e tillë është konfirmuar edhe në rrugë zyrtare, teksa theksohet se kjo është një humbje e cila mund të sjellë pasoja në luftën kundër-terrorizmit. Të dhënat përfshinin shenjat e gishtërinjve, ADN-në si dhe detaje të tjera të rëndësishme.
Zyrtarët janë shprehur se gjithçka ka ardhur si pasojë e një nënvlerësimi të bërë nga efektivët e policisë si dhe nga agjentët sekretë. Në bazë të ligjeve në Britaninë e Madhe, çdo e dhënë e grumbulluar për një të dyshuar fshihet në mënyrë automatike nga sisitemi në rast se asnjë organ vendas nuk kërkon ruajtjen e tyre.
Informacionet e humbura lidheshin me persona të cilët ishin shoqëruar në ambientet e policisë mbi dyshime për terrorizëm, por mbi ta nuk ishte provuar asnjëherë ndonjë akuzë. Agjensitë inteligjente kanë deklaruar se kjo është një humbje e madhe për autoritetet në një kohë kur rreziku i sulmeve terroriste mbetet mjaft i lartë. Që prej sulmeve të Brukselit dhe të Parisit, autoritetet britanike e kanë rritur së tepërmi vigjilencën për të parandaluar tragjedi të ngjashme.