Hë mo, kur del “Shukriu” i dytë?
Hë mo, kur del “Shukriu” i dytë?*
Dje takova një demokrat, i cili gjysmë entuziast më pyeti: “Hë mo, ç’thuhet, kur del ‘Shukriu numër 2’?” Nuk pata as kohë ta pyes se si, qysh e tek, për çfarë e kishte fjalën, se, pa mbaruar fjalinë e parë, shtoi fjalinë e dytë: “Po doli, mbaruan, i rrëzuam dhe iku”. Në fakt, ky nuk është i vetmi demokrat që kam takuar, që i mbante shpresat e rrëzimit të qeverisë te një histori e ngjashme me atë që i ndodhi Kryetarit të Bashkisë së Dibrës dhe që qarkulluaka me kohë në kafenetë dhe në TV-të e Tiranës. Nuk ka asgjë të keqe që opozita të shfrytëzojë të gjitha mënyrat, të ndershme dhe “të pandershme”, për të sulmuar një mazhorancë, por fakti që një pjesë jo e vogël e opozitës po pret historinë e dytë me “mik”, e ka një problem, kjo është e dukshme. Janë jo të paktë njerëzit që mendojnë se, me një opozitë të një lloji tjetër, kjo qeveri do të kishte rënë me kohë. Megjithatë, kjo mbetet për t’u parë.
Në aspektin historik, do të ishte e padrejtë që kjo qeveri, që për mua personalisht, e kam thënë që në krye të herës, vuri piketat më të mundshme të gabuara ekonomike, sidomos në raport me vendet e tjera të rajonit, kjo qeveri, nën regjimin e së cilës linjat e avionëve me drogë janë bërë si autobusë urbanë, kjo qeveri, pas çdo koncesioni atipik të së cilës qëndron një hije korrupsioni, kjo qeveri që rrethon gjykatat, kjo qeveri që mund të ketë përgjuar dhe Kryetarin e Shtetit dhe Kryetarin e Parlamentit, fundja fundit, kjo qeveri që nuk arrin dot të shpenzojë dhe paratë e buxhetit, për shkak të mungesës së projekteve serioze, kjo qeveri të binte nga “miku”….! Kjo do të ishte prapë një fat i madh për këtë qeveri. Kjo do të ishte hapje dere për një ristartim të mëvonshëm.
Që tani i kam parasysh fjalët e Kryeministrit aktual, nëqoftëse kjo qeveri do të binte nga “miku” dhe jo nga ata faktorë që duhej të binte me të vërtetë,ndër të cilët ipari për mua është paaftësia: “Po ça o burrë, na lanë pa bërë gjithë ato gjëra o burrë, do kishim mbaruar legalizimet o burrë, për pak do kishim realizuar shëndetësinë falas o burrë, po në nëntor, që HillaryClinton vizitën e parë, sa të zgjidhej Presidente e Amerikës, do ta bënte në Shqipëri o burrë, ej po më e tmerrshmja mër burrë, sa isha bërë gati me ndërru ministrat mër burrë, ej po për dy qeflinj budallenj ngeli dhe Majko pa u bërë President mër burrë, o burrë, o burrë, o burrë…” dhe kështu mund ta hanit si herën e parë, që këtë burrin ta provonit prapë.
Ndaj, në qoftë se do ketë serial të dytë me “mik”, shikojeni sikur të ishte seri e Bidait dhe vazhdoni të bëni opozitë. Rama është nga ato “fruta” që jo vetëm duhet shtrydhur deri në fund, por dhe nuk i duhet lënë t’i bjerë bërthama në tokë, se jo vetëm mbin prapë vetë, por në këtë situatë ka me dhjetëra të tjerë rreth tij dhe jashtë tij që mund të mbijnë si ai.