Irani “respekton” marrëveshjen bërthamore
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) ka thënë se Irani është duke mbajtur rezervat e uraniumit dhe ujërat e rëndë brenda kufijve të përcaktuar me marrëveshjen bërthamore.
Kjo e fundit është arritur vitin e kaluar midis Republikës Islamike dhe gjashtë fuqive botërore.
Në raportin e publikuar të premten, ANEB ka thënë se gjatë tre muajve të fundit “Irani nuk ka pasur më shumë se 30 tonë metrikë ujëra të rëndë” dhe se “stoqet e uraniumit të pasuruar të Iranit nuk kanë kaluar 300 kg”.
Vlerësimi tregon se Irani është duke vepruar në përputhje më të ngushtë me limitet e përcaktuara, krahasuar me raportin paraprak të ANEB-it.
Në muajin shkurt, ANEB ka thënë se Irani, në një kohë, ka tejkaluar kufirin e ujërave të rëndë, porse shpejt është kthyer brenda kufijve të marrëveshjes.
Uji i rëndë paraqet shqetësim potencial, sepse përdoret në reaktorët që prodhojnë sasi të konsiderueshme të plutoniumit – një rrugë e mundshme për armë bërthamore.
ANEB është përgjegjës për të monitoruar marrëveshjen që Irani ka nënshkruar në muajin korrik me Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.
Me marrëveshje, Irani ka reduktuar aktivitenin bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare kundër tij.