OKB: IS ka shtuar vrasjet e civilëve në Falluxha
Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për situatën e civilëve në qytetin Falluxha të Irakut. Forcat irakiane kanë nisur këtë javë ofensivën për rimarrjen e qytetit nga grupi militant Shteti Islamik (IS). “Brenda Falluxhës kemi raporte dramatike për rritje të ekzekutimeve të burrave dhe djemve që refuzojnë të luftojnë në anën e Shtetit Islamik. Raporte të tjera thonë se një grup njerëzish që ka bërë përpjekje të largohet, është ekzekutuar. Përveç kësaj, shumë njerëz raportohet se janë varrosur të gjallë nën rrënojat e shtëpive të tyre”, ka thënë Melissa Fleming, zëdhënëse e Komisionarit të Lartë të OKB-së për Refugjatë. Në Falluxha besohet të jenë të bllokuar rreth 50,000 njerëz. Ata që kanë arritur të dalin, i përshkruajnë si të tmerrshme kushtet atje. Falluxha është qyteti i parë që ka rënë nën kontrollin e Shtetit Islamik në vitin 2014.