Putin viziton Greqinë
Vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Athinë pas dhjetë vitesh dhe marrëveshjet e shumta që pritet të nënshkruajë me homologun e tij grek Pavlopoulos dhe kryeministrin Tsipras, i cili vizitoi vjet dy herë Kremlinin, tregojnë edhe një herë se dy vendet me lidhje të thella historike, kulturore dhe fetare kanë lënë pas një periudhë ftohjeje, duke parë se më shumë se kurrë në këto momente kanë interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike.
Putin shoqërohet nga një grup ministrash e biznesmenësh, midis tyre krerët e GAZPROM-it dhe ROSNEFT-it, me synim marrëveshje me kompanitë vendase të naftës dhe gazit natyror. Midis tyre veçohet gazsjellësi South Stream 2, një projekt i anuluar më parë dhe i kundërshtuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, por që merr jetë në kushtet e sotme, kur Moska kërkon të shmangë Ukrainën dhe Turqinë, si rrugë të gazit të saj natyror drejt Europës, pasi janë dy vende me të cilat ndodhet në konflikte të ashpra politike.
Greqia nga ana e saj ka interes sepse kalimi i një gazsjellësi të dytë në territorin e saj, pas atij Trans-Adriatik, i krijon mundësi për të përfituar çmime më konkurruese dhe rrit njëkohësisht rolin e saj strategjik në hartën energjitike në Ballkan dhe Europë.
Gjithashtu, pala ruse sjell dy propozime për blerjen e një pjese të portit të Selanikut, që do t’i japë mundësinë për të pasur një pikë strategjike në Mesdhe si dhe për blerjen 100% të kompanisë së trenave TRAINOSE dhe asaj të hekurudhave. Ndërsa Greqia, përveç synimit që ka për të tërhequr miliona turistë rusë, shpreson që nëpërmjet rrugëve të tërthorta ballkanike, me qendër kryesore Serbinë, të promovojë eksportet e saj drejt Rusisë, pasi fermerët grekë janë dëmtuar jashtë mase nga embargo që BE-ja i ka vendosur Moskës për çështjen e Ukrainës.
Në aspektin politik, siç është shprehur edhe presidenti Putin tek gazeta Kathimerini, Rusia sheh tek Greqia urën lidhëse me BE-në dhe NATO-n, pasi Moska kërkon fillimin e një dialogu me Brukselin për një sërë çështjesh, që nga thjeshtëzimi i procedurave për vizat e qytetarëve të saj, deri në krijimin e një aleance energjitike.
Putin të shtunën do të fluturojë drejt Selanikut dhe më pas do të niset drejt Malit të Shenjtë, i shoqëruar edhe nga Patriarku i Moskës Kiril, për një pelegrinazh me rastin e 1000-vjetorit të funksionimit të një manastiri rus.