Replikë me Petrit Vasilin për demokracinë dhe kriminelët në politikë
Nga Mentor Kikia
Mbrëmë dëgjova Petrit Vasilin në një emision televiziv, ku diskutohej për dekriminalizimin. Duke iu referuar deputetëve dhe kryetarëve të bashkive, të cilët në kohën kur duhej të bënin universitetin punonin si trafikantë droge dhe tutorë prostitutash, Vasili tha: Lëreni të shkuarën, çfarë iku iku, s’ka pse i kthehemi më. Të shikojmë përpara. Jo more, me këtë logjikë i bie që as ministrat e djeshëm sot, dhe as këta të somit nesër, të mos dënohen nëse zbulohet se kanë vjedhur.
Unë për vete refuzoj publikisht dhe kategorikisht të më përfaqësojnë, në çfarëdo lloj niveli apo forme, këta njerëz, qoftë dhe për një ditë të vetme.
Por më e bukura ishte se Petrit Vasili fajin ia hodhi popullit për ta. Përse i keni futur në lista- e pyetën dhe ai tha: Epo, përderisa i voton populli…
Këtu ke të drejtë z.Vasili. Ju (të gjithë ju e kam fjalën, jo Ti personalisht) këtij populli i keni punuar të 99-tat. Por unë mendoj se ky popull meriton jo vetëm qindin, por edhe 99 të tjera. Sepse vërtet ia ka dhënë votën këtij soji.
Por më duhet të replikoj këtu për cilësinë e votës, edhe pse nuk dua ta justifikoj atë pjesë të popullit që shkëmbn votën me para.
Jo, populli nuk e ka votuar këta soj z.Vasili. Ju i futët ata në lista deputetësh apo i kandiduat për kryetarë bashkish, sepse ata janë të fortë, janë banditë, kanë para dhe votat i sigurojnë duke i blerë me paratë e krimit, i sigurojnë me presione e kërcënime, i sigurojnë me premtime për favore nga më të ndryshmet. Pikërisht për këtë arsye ju i keni afruar ata në partitë tuaja. Jo sepse kanë vlera, as sepse populli i cmon dhe nderon. Provojeni bëjeni këtë vend demokratik dhe hidhini ata që keni sot në parlament në ringun e votës së lirë, pa ta shikoni se sa prej tyre do të konfirmohen.
Hiqni dore nga sistemi i listave të mbyllura dhe nga blerja e votës me paratë e këtyre banditëve dhe ta shikoni sesa do i votojë populli.