Rrugëtimi i Çajupit, 150 vjet më pas
Andrea GUDHA
Monokomedi e vogël hyjnore me dy akte
Mars 2016
“Me qiejt mos u mbani, se nuk mbahen gjëkundi. Të ndahet feja nga kombësia”. Andon Zako (Çajupi)
Prolog
Rrëfimtari: Çajupi u lind në Sheper të Zagories më 27 Mars 1866. Jetoi, punoi dhe mendoi për Shqipërinë si rrallëkush larg saj, në Egjipt.
Nuk më kujtohet se si, kur në një nga pasditet e këtij dimri të ftohtë, me shi e me përmbytje, duke folur me një prej miqve të mi për vjershat dhe shkrimet e fuqishme të Çajupit, miku im më befasoi me rrëfimin e një ëndrre, e cila më pas, u ndërthur me një tjetër ëndërr timen, për t’u shtruar qetësisht në faqet e këtij shkrimi.
Miku im më shoqëroi deri në fund të ëndrrës sime…
Se ç’rrugë bëri dhe si erdhi, askush s’qe në gjendje ta thotë, po pasi u takua me miqtë e Klubit të Selanikut, me burrat e Zagorisë, me Marigonë dhe me Gjinon, Çajupi u “këshillua” me doktor Adhamudhin, bisedoi me Nastradinin, pastaj me La Fontenin dhe me poetët indianë.
Kur u përball me Baba Tomorin, u ndal përpara madhështisë së tij, ra në mendime dhe u përlot i trishtuar për vdekjen e parakohshme të gruas së tij zvicerane, Eugenias (Evgjenia), një vit pas martese.
Me brengë në shpirt iu drejtua Zotit, me po ato fjalë që i ish drejtuar dhe nga Lugina e Nilit:
O Zot i vërtetë, s’të erdhi keq për djalë
Kur i more mëmën dhe më le të gjallë?
Në qetësinë hyjnore mbretëronte vetëm një heshtje e zgjatur…Pasi s’mori përgjigje, Çajupi vazhdoi i dëshpëruar:
O Zot i madh,
Bëre derrin dhe arinë
Por, ç‘deshe që bëre dhe “Njerinë”?
Nga thellësitë e universit i erdhi më në fund jehona e një zëri të ëmbël:
“Ki durim biri im…”.
Çajupi në Parajsë
Në vitin 1930 Çajupi shkoi në Parajsë. Atje u takua me shokët dhe miqtë e tij filozofë dhe intelektualë dhe ndieu se s’kishte më ndarje nga vitet. Gjeti njerëz të ikur nga bota prej kohësh, priti dhe të ardhur të tjerë, vit pas viti.
U përqafua plot mall me vëllezërit patriotë Frashëri, me Ismail Qemalin, Dr. Mihal Turtullin, Faik Konicën, Fan Nolin, Asdrenin, Luigj Gurakuqin, Migjenin, Ali Asllanin, Gjergj Fishtën etj, etj.
Përshëndeti me dorë edhe aktorin e madh Aleksandër Moisiu, por ai nuk e vuri re, pasi ishte zhytur në prova të rolit të Hamletit të Shekspirit, nën degët e shqyera të një peme.
Në një tavolinë, nën hijen e një ulliri, i bënë përshtypje disa burra të fisëm, të moshuar që bisedonin. Njëri prej tyre, më i moshuari ishte i veshur me fustanellë. Portretin e tij kishte përshtypjen se e kishte parë në një muze të madh të Parisit dhe të Athinës.
U bë kureshtar dhe pyeti se kush ishin.
I thanë: “Burri me fustanella është arvanitasi Vasil Goudas (Gudha), sekretar personal dhe Zv.gjeneral i Marko Boçarit, kurse në krahun e majtë janë arbëreshët mendjendritur Jeronim de Rada dhe Zef Serembe”.
Më tej u takua edhe me Dr. Jani Bashon, përkthyesin Vexhi Buharaja, Dr.Vasil Labovitin, Dr.Vasil Jorgjin, me kompozitorin e rinisë Kastriot Gjini dhe me shumë miq të tjerë të rinjë. Miqve që takonte, si gjithmonë modest e fjalëpak, u dhuronte me kënaqësi nga një libër në shenjë kujtimi.
Kohë pas kohe, Çajupi gjente rast dhe takohej me këdo që i digjej zemra për Shqipërinë.
Dhe ja, tani afër, më 25 Dhjetor 2015, në një tavolinë miqësore, u takua me Lasgush Poradecin, Pano Taçin, Frederik Reshpjen, Mentor Xhemalin dhe Petro Markon.
Çajupi me dorën e vendosur në ballë ndiqte me interes bisedën e tyre, e cila ishte e qetë, por tek tuk ndizej e merrte zjarr.
Lasgushi me bastunin e tij e drejtonte bisedën aty ku duhej.
Frederiku dukesh i pezmatuar…
Panos i kuptoheshin fjalët me vështirësi, ngaqë kishte probleme të mbartura me dhëmbët e rëna prej vitesh. Dentisti më i mirë e kishte udhëzuar për të vendosur “protezë komplete”.
Mentori i lodhur fizikisht e shikonte Çajupin dhe tundëte kokën. Drejtoi trupin dhe lehtazi ia mori këngës “Zura një bilbil me vesë”. Çajupi u befasua nga zëri i mrekullueshëm dhe ra në mendime të thella: “Nga del ky zë i fuqishëm burimor? Çfarë do të shpreh ky njeri me këtë këngë kaq të bukur lirike dhe po aq të ndjerë”?!
Me Petron bisedoi edhe veçmas. Ai ishte burrë i pashëm, me jakën e bardhë të këmishës mbi xhaketë, me gjoksin gjysmë të zbuluar dhe, për fat, dëgjonte më mirë se të tjerët nga veshët, si banor i ri, i pranuar kohët e fundit në Parajsë.
Si fisnik dhe xhentil që ishte ndaj femrave, Çajupi, së bashku me Evgjeninë ftoi në një pasdite për t‘u takuar me zonjat e nderuara Elena Gjika (Dora D’Istria) dhe Musine Kokalari. Ai doli 5 minuta më përpara për t’i pritur mikeshat. Evgjenia nuk mundi të vinte, pasi ishte e rënduar nga paraliza dhe duhej të kujdesej edhe për djalin e saj të vetëm, Stefanin.
Zonjat u përshëndetën me respekt me Çajupin dhe u ulën së bashku me të në një tavolinë, ngjitur në trungun e një qershie. Tavolina ishte shtruar me një mbulesë të bardhë dhe e zbukuruar anash me qëndisma nga Lunxhëria. Në mes të tavolinës ishte një buqetë me manushaqe dhe një qiri i ndezur.
Me sy të lagur dhe me sinqeritetin e tij prekës, gjatë bisedës, Çajupi u tha zonjave që ta falnin për lotët dhe turbullimin nostalgjik, sepse kishte shumë më tepër se 100 vjet që ishte shkëputur nga vendi i lindjes.
Ai u ofroi atyre nga një gotë verë të kuqe. Zonjat e pranuan me mirësi gotën e verës dhe, pasi i kujtuan vjershat e tij, i uruan me gjithë zemër:
Zonjat: “Çajup, urojmë të të kemi dhe 150 vjet të tjerë në mes nesh”!
Rrëfimtari: Pranë tavolinës u kalon si një “flutur” një grua trupvogël me një veshje karakteristike. Ajo iu dha nga një buzëqeshje të ëmbël dhe nxitoi me hapa të lehta…
Musineja: “Eshtë Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhi, Shenjtorja Nënë Tereza, humaniste e madhe, e përkushtruar përjetësisht ndaj njerëzve të varfër dhe të vobektë pa dallim feje, race e kombësie”.
Rrëfimtari: Biseduan me përmallim dhe për shumë gra të shquara, për vetëmohimin e tyre për Shqipërinë dhe, pasi u përshëndetën, u larguan…
Në fund të takimeve me atdhetarët pas gëzimit, Çajupi ndiente një mërzitje të pashpjegueshme dhe një mërmëritje të brendshme, që shpesh i dilte jashtë me rënkime. “Ah”, “Ah”, “Përse”?…
Këto u bënë zëra e tinguj, që nisën të përsëriteshin, sidomos netëve. Ai i ndjente tek përhapeshin drejt yjeve, në univers, duke u shkrirë me një melodi, që s’dihej nga vinte, për t’u derdhur më gjerë në shtratin e një simfonie “Dashuria njerëzore”, që kumbonte me finalen: “Përse?”, “Përse?”, “Përse”?…
Simfonía përsëritej e pasurohej vokalisht me zëra banorësh të rinj të parajsës, duke u endur nëpër hapësira dhe duke u bashkuar në unison me koralen hyjnore “Aleluja”.
Por, “Ah”-et nuk iu ndanë atij asnjëherë dhe “Përse”-ja nuk gjeti përgjigje!…
Kthimi në Tokën –Mëmë
Çajupi tentoi disa herë të takonte në Parajsë drejtpërdrejt Zotin, por Ai ishte shumë i zënë me punë dhe atij i mbeti peng që nuk e takoi dot.
Në Mars të vitit 2016 vendosi të kthehej në vendlindje pas 150-vjetësh dhe të komunikonte qetësisht me Zotin nga Toka – Mëmë, falë edhe teknologjisë së re të informacionit…
Veshi kostumin, rregulloi kravatën, krehu flokët dhe mustaqet dhe zbriti në Tokë nga Parajsa
Fillimisht arriti në Kajro. I tronditur dhe i çuditur nga ngjarjet në vendet islame, nxitimthi udhëtoi nëpër luginën e Nilit, përshkroi Urën e Bosforit dhe po afrohej në Mëmëdhe.
Sapo mbërriti, u ndal tek Ura e Subashit.
Në një nga lokalet piu me etje një gotë ujë të ftohtë dhe pa me mall fshatrat përkarshi. Nga radioja e lokalit dëgjohej një këngë për kurbetin. Çajupit i mbeti gota e ujit në dorë. I erdhi ndërmend Mitrua dhe vargjet e tij për kurbetin. I dukeshin të ngjashme, gati njëlloj me të tijat: “Akoma dëgjohen këto vargje dhe tani, në shekullin e 21-të”?!
Pronari i lokalit e kuptoi se ai nuk ishte udhëtar i zakonshëm, ndaj iu afrua dhe i tha: “Zotni, dëgjoje, dëgjoje me nge këngën dhe ujin pije pa merak, se uji vjen direkt nga burimi, nga Gurra e Picarit. Të rrish i qetë”!
Njerëzit e krahinës janë të vizituar mendërisht nga doktori i mirënjohur Izet Çulli, kurse këngën që dëgjon në radio e këndon grupi i Zagorisë.
Soliste është këngëtarja Mimoza Kosturi, bijë nga Sheperi. Këngën e Kurbetit e ka kënduar edhe nëna e saj para 50 vjetësh…
Vargjet e tanishme më duket se i ka shkruar poeti i bregut Lefter Çipa, ndoshta janë shkruar dhe nga atdhedashësit emigrantë poeti Agim Shehu nga Zvicra, apo Dr. Emil Asdurian nga SHBA.
Melodinë e këngës, në mos qofsha i gabuar, e ka shkruar i madhi Ferdinad Deda, ose Vasil Tole si bir i Zagorisë”.
Rrëfimtari: Më tej ndërhyn pronari i lokalit.
Pronari i lokalit: “Sot fshatrat e Labërisë, Odries, Zagorisë pothuajse janë shkretuar. Banorët e fshatrave kanë shkuar familjarisht në kurbet…”(!)
Rrëfimtari: Kur ai e pa udhëtarin që e dëgjonte dhe e shikonte si i hutuar ndërhyn sërish pronari i lokalit.
Pronari i lokalit: “Zotni, nuk di sa më kuptove, pasi shqipen e flas jo si dikur, sepse kam qenë mbi 15 vjet emigrant në Greqi dhe…”.
Rrëfimtari: Në kujtesën e Çajupit trokiti kurbeti i shqiptarëve në shekujt e fundit, kurbet që dhe ai e kishte provuar në kurriz.
U përmend kur sytë i panë një pjatë me kastraveca me ngjyrë jeshile vezulluese në banakun e lokalit.
Pronari ia ofroi pjatën me kastraveca dhe i lexoi një fare dyshimi në sy.
Pronari i lokalit: “Shijen e kanë të mirë, por nuk e di se çfarë lloj kastravecash janë, me farë apo pa farë. Për këtë duhet pyetur Prof. Isuf Kalo. Ai më duket se i di mirë këto gjëra”.
Rrëfimtari: Çajupi doli nga lokali, ktheu shikimin nga qielli dhe vendosi të nisej për udhë për të mos e zënë nata rrugës.
Pronari i lokalit: “Zotni, po të duash, po të jap një mushkë me qira, që i njeh mirë rrugët, që të çojnë në Zagori. Po të dhuroj dhe një aparat celular modern, që e kam blerë në Athinë. Bisedo me miqtë e tu kur të duash, mund të dëgjosh dhe lajmet në televizor apo në radio”.
Rrëfimtari: Poeti s’mund të rrinte pa i shprehur mirënjohjen.
Çajupi: “Mirë, faleminderit”.
Çajupi e pa mushkën në sy, e përshëndeti me disa fjalë dhe hipi mbi të së bashku me librat e tij. Për çudi mushka po ecte pa u grindur anës rrugës, buzë lumit Drino.
Pasi kaluan Valarenë, Çajupi e drejtoi mushkën për nga rruga e Zagorisë, por ajo ndaloi. Nuk i bindej më. Tentoi disa herë me durim dhe me qetësi, por pa rezultat. I djersitur dhe i lodhur që nuk arriti dot ta bindte mushkën, gjykoi se nuk mund të udhëtonte më tej me të dhe tha me vete: “Qenka mushkë xanxare, kokëfortë”.
Zbriti nga mushka, i vendosi lekët e qirasë në samar, e përkëdheli dhe e la në fushën e Valaresë.
Në Valare iu kujtua Ali Pashë Tepelena, iu kujtuan vargjet: “Harro mushkë Valarenë, se Ali Pashën e prenë…” dhe s’po i ikte nga mendja koka e prerë e Pashait, po duke u larguar, ajo dalëngadalë iu sfumua dhe u faqos në librat e fundit të Prof. Fedhon Meksit.
Me peshën e librave në krahë mori të përpjetën në këmbë për në fshatin e lindjes, Sheper.
U freskua dhe piu ujë Sterpeni, u çlodh në fushën e Çajupit dhe me një degë trëndeline në dorë ecte me gëzim, si dikur, kur ishte fëmijë për në vendlindje.
Udhës i zunë sytë ca kalimtarë, por nuk mundi që të përshëndetej dhe të bisedonte me ta, pasi ata ecnin me vrap me çanta në krah dhe flisnin me vete. I çuditur pyeste veten:
“Për ku nxitojnë këta, vallë?” Disa fytyra të tyre i ngjasonin me të stërgjyshërve.
Kujtoi bashkëfshatarët e tij…
Më në fund hyri në fshat dhe filloi të çmallej me shtëpitë dhe me kujtimet e rinisë.
I lodhur nga rruga e gjatë u shtri nën hijen e rrapit. E zuri gjumi.
Në ëndërr i dilnin vajzat e bukura të gjimnazit të Nivanit, kravatat e mësuesve, kuvendimet e burrave të fshatit, këngët, mishrat e pjekur, sinitë me byrek dhe dollitë me raki në dasmën e Marigosë me Gjinon…
Por, ëndrra iu pre në mes kur, si një fantazmë i doli një fytyrë burri shtatgjatë dhe me flokët përpjetë.
Kiço Spiri: “Mirë se na erdhe në fshat, O Çajup! Unë jam Kiço Spiri, poeti i ri i Zagorisë. Dikur, kur kisha një hall, shkova në Tiranë për të takuar bashkëfshatarin tonë dhe adashin tim në Ministrinë e Tregtisë. Roja, tek hyrja e Ministrisë nuk më lejoi. Dola jashtë në rrugë dhe fola me zë të fortë:
“Kiço ti, Kiço unë,
Dil Kiço se kam pak punë”.
Pranë meje kaloi poeti i madh Xhevahir Spahiu. Ai u shtang në vend kur dëgjoi vjershën time. Më buzëqeshi, më dha dorën dhe më tha:-Të lumtë!
Ma ngrohu zemrën. Pasi tundi kokën me kaçurrela dhe e hodhi shikimin nga dritaret e Ministrisë, iku. Ika dhe unë”.
Rrëfimtari: Çajupi, i ngazëllyer nga ato që dëgjoi, u përmënd. Hapi përgjysmë sytë e përgjumur, por nuk pa njeri. Hodhi dorën tek çanta e librave, u sigurua që i kishte pranë dhe u kthye nga krahu tjetër. E zuri gjumi përsëri.
Të nesërmen, nën rrezet e diellit të mëngjesit u zgjua, u çua, pastroi kostumin nga gjethet e rrapit dhe u ngjit në majë të malit të Çajupit.
Atje, i ulur mbi një shkëmb, me ballin e rrudhosur dhe me shikimin larg sodiste bukuritë e natyrës përkarshi, vargmalet Trebeshinë – Dhëmbel – Nemerçkë dhe Shëndëlli – Lunxhëri – Bureto.
Ktheu kokën pas, u përshëndet me malin e Tomorit, pastaj pa dhe shtëpinë e vëllezërve Frashëri, ku ende kishte pak ndriçim nga Qiriri i Naimit.
Papritmas, përballë Çajupit po afrohej me shpejtësi një re e dendur, e zezë në formë akrepi.
Koka dhe veshët filluan t’i buçisnin si koshere bletësh. Në veshë i thërrisnin zëra të ndryshëm të panjohur dhe që shoqëroheshin me të qeshura dhe ngërdheshje, por fytyrat e njerëzve që i flisnin (meshkuj e femra) ai nuk i dallonte:
Zërat e panjohur: “Çajup, ç’deshe që zbrite në tokë? Ne e dimë brengën që të bluan përbrenda, por brenga tënde nuk ka për të gjetur kurrë përgjigje?! Në Parajsë ku ishe, ndoshta mund të të sqaronte më mirë shkencëtari Çarls Darvin, si babai i studimit “Origjina e Njeriut”. Të qeshura Ha Ha, Ha…
Rrëfimtari: Veshët iu zhurmuan nga të qeshurat djallëzore…! Çajupi nuk kuptonte se ç’po ndodhte… Shtrëngoi kokën fort, fort me të dy duart dhe mbylli veshët me gishtat e tij që i dridheshin nga frika…Kjo situatë e tmerrshme, fatmirësisht nuk zgjati shumë.
Reja e zezë po largohej dhe veshët ju qetësuan nga zërat e panjohur.
“Mallkuar qofshin këto zëra tinzare”, tha Çajupi nën zë.
E mblodhi veten. I gjallëruar në shpirt nga ajri i Tokës –Mëmë, mori frymë thellë.
Pa e hequr dorën nga zemra, që kish nisur t’i dhimbte, me sytë nga qielli ai iu drejtua Zotit:
“O i madhërishmi Zot
Arrita të zbusja derrin
Bisedova dhe me arinë
Por nuk munda dot të komunikoja me “Njerinë”!
Të lutem dhe të përgjërohem, më thuaj si t’ia bëj, çfarë këshille më jep”?
Dhe Zoti i tha: “I dashur biri im, të këshilloj që të lidhesh në celular me Diogjenin. Shiko mirë, se janë ndërruar numrat që nga shek.5 p.e.s. Pasi ta gjesh, kërkoi Diogjenit ‘Qiririn’ e duhur për të gjetur në shekullin e 21-të një ‘NJERI’ për së mbari…”.
Çajupi, entuziast dhe i mbushur me ajrin e pastër në majë të malit ngriti antenën e aparatit dhe formoi në celular numrin e Diogjenit. Por linja ishte shumë e ngarkuar…Duke pritur që ajo të lirohej kaloi në radio.
Nga AFP dëgjoi në frengjisht lajmin e Qeverisë Franceze se shkrimtari i madh Ismail Kadare dekorohet “Komandant i Legjionit të Nderit”.
Mori frymë thellë dhe u mbush tërë kënaqësi.- Ah, “Darka e gabur”… Faleminderit Kadare që na nderove shqiptarizmin në botën e qytetëruar!
E hoqi mendjen nga lajmet e tjera.
Por, çastet e kënaqësisë nuk zgjatën shumë. Ato iu tretën shpejt, kur në valët e ndryshme të radios dëgjonte zëra në gjuhë të ndryshme që bërtisnin: “korrupsion galopant”, “padrejtësi”, “hajdutë”, “mashtrues”, “njerëz të pangopur”, “prostitucion”, “mafiozë”, “narkotrafikantë”…, “luftra”, “terrorizëm”, “refugjatë”, “fëmijë emigrantë mbyten në detin Egje…”, “Europë”, “Europë”, “Europë”.
Çajupi nuk po orientohej dot në hapësirë dhe në kohë se ç’po ndodhte me këto lajme te çuditshme por, fillimisht, u qetësua, pasi mendoi se ndoshta luhej në ndonjë teatër vepra e tij “Klub’ i Selanikut”.
Gjersa papritur, dëgjoi dhimbshëm në italisht Papa Françeskun që, nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, po thosh: “Bota po helmohet nga Materializmi”.
“Ç’bëhet kështu”, tha me vete Çajupi dhe i mërzitur kaloi një stacion më tej, kur befas, dëgjoi si jehonë nga RTVSH që, në Shqipëri, iu dha çmimi i parë librit “Vrima”. Çajupit i qeshi buza, fërkoi duart me gëzim dhe tha me vete:
“Erdhi dita, që dhe poezia ime e “Kandarit” të qëndrojë krenare në Bibliotekën Kombëtare”.
Dhe me nostalgji mërmëriti disa vargje:
“Grua po prishet kandari
S’është më ai i pari
Që qëndronte ditë e natë
Gati si barut i thatë…”.
Ndërkaq, në aparatin e celularit u dëgjua një zë i lodhur në greqishten e vjetër:
Hipokrati: “I keni rënë gabim numrit. Nuk jam Diogjeni, jam Hipokrati, babai i Mjekësisë”.
Rrëfimtari: Çajupi u befasua dhe ngeli i turbulluar. Pastaj i dha vetes kurajë dhe u prezantua se kush ishte. Atëhere u prezantua tjetri.
Hipokrati: “Jehonën e librave të tua e kam dëgjuar dhe të respektoj, por, nuk më thua, si je me shëndetin?
Rrëfimtari: Çajupi nuk mund të rrinte pa kthyer përgjigje.
Çajupi: “Në saje të Telemedicinës komunikova me Profesorin e nderuar të kardiologjisë Pandeli Çina, i cili më gëzoi kur më tha se zemrën e kam të fortë. Por nga mushkëritë nuk jam mirë, doktor. Herë pas here kam vështirësi në frymëmarrje”.
Në çast, Hipokrati hapi Traktatin e Mjekësisë në kapitullin “Njeriu dhe Natyra” dhe u mat t’i rekomandonte diçka për ta lehtësuar, po nuk ishte i sigurt që do të kish sukses, kur mendoi se ç’ajër të helmuar nga smogu thith i shkreti njeri.
Pas kësaj u zhyt në mendime të thella… do ta trajtonte si “pacient” apo si “klient”!? Fjalën “klient” dhe “mall” në mjekësinë e sotme ai nuk e kuptonte dot.
Shfletoi Enciklopeditë Mjekësore, por termat që i duheshin, nuk i gjeti gjëkund. Për të qenë më i sigurt, pyeti pasardhësit e tij Galenin dhe Avicenën. Që të dy apostujt e mjekësisë ngritën supet dhe nuk i dhanë dot përgjigje babait të mjekësisë…
Hipokrati, nën peshën e rëndë të përgjegjësisë morale të Betimit të tij, po vriste mendjen se si të komunikonte me Çajupin. Ktheu kokën pas dhe depërtoi në thellësinë e shekujve. Në pasqyrën magjike të shëndetit pa globin tokësor, por meridianet i dukeshin të çrregullta.
Në qendër të globit qëndronte Zot i Mjekësisë Asclepios hijerëndë, i mbështetur në shkopin e tij shërues.Gjuha e gjarpërit lëviste dhe nxirrte vazhdimisht helm. Hipokrati, qendroi me përulje të thellë përpara Asclepois, por diçka ndjeu në shikimin e tij…
Iu kujtua ngjarja, kur në vitin 1965 me pelerinën në krahë u paraqit në Shkollën e Lartë Mjekësore të Harvardit, për të konkurruar si kandidat për studimin e mjekësisë moderne. Komisioni i provimit u habit nga shprehja “Të paktën të mos t‘i bëj dëm”, që Hipokrati dha si përgjigje, lidhur me trajtimin e pacientit. Komisioni nuk e pranoi dhe as ia njohu përgjigjen, që sipas “kushteve të reja” duhej të ishte: “Pacienti/klienti duhet pyetur nëse është i siguruar apo jo”.
Si mjeshtër i observimit Hipokrati i nuhati shpejt ndryshimet e ndodhura në shërbimin mjekësor në epokën e modernizmit, por ai duhej të bindej më mirë.
Ngriti ballin e rëndë nga ishulli Kos. Ktheu kokën nga Shkolla Mjekësore Asclepios ku kishte qenë mësues. Gërmadhat e shkollës mezi dukeshin nga çadrat e shumta të ngritura si kërpudha.
Hipokratit ju kujtuan vitet e arta, kur nga vendet e Lindjes së Largët e nga Kopshtet e Babilonisë vinin studentë të gëzuar për të studiuar në Mjekësi. Në çadra hynin e dilnin burra e gra me fëmijë në krah, djem dhe vajza që flisnin arabisht. Në duar nuk mbanin libra, por batanie dhe pako me ushqime. Nuk ishin studentë, por refugjatë! Britma dhe lotë…?! Hipokrati shfletoi fletët e kalendarit. Shekulli i 21-të!
Hipokrati mbylli sytë për një çast dhe me vendosmëri e hodhi shikimin e tij përtej detrave…
Diku, në horizont, i doli përpara fytyra e Presidentit Obama. E përshëndeti Presidentin me mirësjellje dhe pasi depërtoi në thellësinë e syve të tij, Hipokrati me kujdesin më shumë atëror se sa mjekësor, nxori nga xhepi i bluzës së tij të bardhë shaminë sterile dhe i fshiu butësisht ballin e djersitur nga “Obama Care”…
Më së fundi, Hipokrati i trishtuar dhe i lodhur nga mendimet e shumta, duke u bazuar tek logjika, i drejtohet Çajupit.
Hipokrati: “Eh mor biri im, unë mund të të jap recetë vetëm në rast se ti je i siguruar nga ana shëndetësore. Por, nga që s’kam përvojë për këto gjëra në Parajsë, po të jap numrin e ri të celularit të Diogjenit…ndoshta të ndihmon ai me qiririn e tij”.
Rrëfimtari: Çajupi e falenderoi dhe e mirëkuptoi Hipokratin për angazhimin e tij njerëzor.
U lidh pa vështirësi me Diogjenin dhe ai me shumë qetësi iu përgjigj Çajupit.
Diogjeni: “I dashur biri im. Nuk ta kursej Qiririn tim, por, më vjen keq se është shumë i konsumuar nga shokët e tu ndër shekuj dhe zor se mund të të ndriçojë për të gjetur dikë, që mund të quhet ‘NJERI’…”.
Ndoshta, pas ca kohe, mund të arrish të komunikosh me banorët e rinj në Planetin “Mars”…
Epilog
Rrëfimtari: …Filloi një acar i ftohtë me rreshje dëbore. Komunikimi me Diogjenin u ndërpre.
Çajupi po dridhej nga të ftohtit në majë të malit. Gjithçka përreth iu errësua. U lodh të ndizte një qiri të zakonshëm, por më kot. Era ia fikte. Mustaqet iu thinjën dhe brenda natës i doli mjekra e bardhë si bora e malit.
Kur zbardhi agimi, nga thellësia e pyllit të dendur me bredha të Hotovës së Frashërit, drejt majës së malit Çajup gjarpëroi dhe u përhap melodia “Kaba” e Laver Bariut. Afshi i ngrohtë i kabasë e ledhatoi Çajupin, i ngrohu trupin dhe, si nga një goditje elektrike, rifilloi t’i rrahë zemra.
Ajo e bëri të merrte krahë si një zog i lirë dhe të shkëputej nga Toka- Mëmë për të arritur në Parajsë.
Hera – herës, banorët e qiellit shihnin jo pa kërshëri atje, në Parajsë, një njeri, që ecte me libra në krahë dhe me një qiri të fikur në dorë, kokulur e të ngarkuar me mendime. Qëllonte që, nga lodhja, ai njeri, që gati-gati e lëshonte veten, të gjente qetësi dhe të harronte gjithçka vetëm kur, thuajse zhytej në tingujt e finales: “Përse?”, “Përse?”, “Përse?” të Simfonisë “Dashuria njerëzore”.
Si sirenë mbërrinin në veshët e tij disa zëra melodiozë fëmijësh, që preknin e vibronin edhe shpirtin e violinës. Nga telat e violinës thurreshin melodi…dhe nën ndriçimin e qirinjve, ndezur prej korales hyjnore “Aleluja”, Çajupit i shkëlqenin sytë dhe i qeshte fytyra.
Nga thellësitë e Universit tashmë i vinte jehona e zërit të ëmbël, që i rijepte forcë e besim me fjalët gjallëruese
“Ki durim, biri im… ki durim!…C’est la vie!”
Shënim.
Mono-komedia e vogël është plotësuar dhe përshtatur pas botimit të shkrimit në “Telegraf”, datë 20 Shkurt 2016.
U jam mirënjohës për inkurajimin në hapin tim të parë dhe të fundit në luginën e bukur të Çajupit: Harallamb Fandi-farmacist, piktor e letrar (Bari), Prof.Isuf Kalo dhe në veçanti: Çerciz Loloçi, gazetar, shkrimtar dhe botuesit të gazetës Telegraf: Engjëll Musai. (A. GUDHA)
Recetë gratis
Emri: ANDON
Mbiemri: ZAKO (ÇAJUPI)
Mosha: 150 vjeç
Adresa: PARAJSË
Nr.Regj: extra
Rp: Dashuri njerëzore
Mënyra e përdorimit: Të lexohet një herë në muaj pas perëndimit të diellit.
Indikimi: Për udhëtarët e jetës.
Kundërindikimi: Nuk këshillohet të lexohet nga njerëzit HiperSensibël!
Kujdes: Të mbahet larg nga Adoleshentët!
Data: 1/04/2016
Dr Andrea Gudha
Vula
Korespodencë mes miqsh:
I dashur Andrea,
Përgëzime për shkrimin! E lexova me shumë kënaqësi nga ana artistike dhe me po aq dhimbje për mesazhin, i cili çuditërish ëmbëlsohet dhe tingëllon bukur kur del nga zemra. Raca e njerëzve të mirë është në çdukje, kurse gjithçka që përfaqëson të keqen ka mbijetuar ndër vite dhe për fat të keq është shtuar. Por, ja që kështu është ndërtuar dhe funksionon bota. Ndofta, prandaj edhe nëntoka mban shumë më tepër qymyr se sa ar!
Prof. Isuf KALO
I dashur Andrea,
E mirëkuptoj shqetësimin tuaj intelektual për të bërë një arratisje në “të shkuarën” e sotme me një personazh si Çajupi, a nëpërmjet një ironie çajupiane. Më pëlqen! Mendoj se Çajupi është një musafir yti, pra, në këtë arratisje në të sotme, pak i heshtur. Çajupi ishte nga ata, që po të merrte udhë, do ta hapte gojën shqip, siç dinte ai… Kjo puna jote është më shumë një nostalgji e hidhur, se një satirë shëruese… çajupiane. Po ky është Dr Andrea… do ta pranojmë edhe kur do të jetë çajupian.
Sadik BEJKO
Andrea,
E lexova me kërshëri sinopsin tënd letrar për Çajupin. Kishte fantazi. E gjitha qe një gjetje a kërkim për ‘Njeriun e humbur’, sikurse ke një komplimentim për gjithë pjesën intelektuale… i ngjan një pasqyre ku janë të gjithë bashkë, parajsë-jetë. Të uroj gjithë të mirat!
Prof. Josif PAPAGJONI