Toka bujqësore, afati i formalizimit deri në dhjetor 2017
Titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore do të mund të regjistrohen deri në dhjetor të vitit që vjen sipas një projektligji të qeverisë. Zhbërja e reformës agrare në fillim të viteve 1990 nuk është se i ka nxitur zotëruesit të regjistrojnë tokën në hipoteka sipas vendimeve të vitit 1991.
Afati fillestar për regjistrimin e këtyre titujve ishte deri më 30 qershor 2016, por është propozuar të shtyhet deri në dhjetor 2017.
Në rastet kur komisioni i ndarjes së tokës, ka ndarë tokën bujqësore, por nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi, ligji ngarkon kryetarët e bashkive, t’i plotësojnë ato, në përputhje me kriteret dhe procedurën e përcaktuar në këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë kanë vetëm rolin kontrollues, në rast të ankimimeve nga individët dhe institucionet e ndryshme. Prefekti i qarkut e mbikëqyr realizimin e këtij procesi.
Procesi ngec në bashkitë e reja
Bashkitë e reja, të cilat dolën nga zgjedhjet lokale të vitit 2015, në vijim të punës së filluar nga komunat e bashkitë e mëparshme, po punojnë për realizimin e këtij procesi. Sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, mospërfundimi i tij në afatin e planifikuar, ka ardhur për shkak të mosnjohjes së tij nga administrata e re, përgatitjes së kapaciteteve njerëzore dhe të bashkëpunimit të mjaftueshëm me institucionet e tjera shtetërore.
Megjithëse gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar një sërë aktivitetesh sensibilizuese dhe koordinuese nga ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nga vendimet e këshillave komunalë/bashkiakë që disponon Komisioni Qeveritar i Tokës rezulton se janë miratuar vetëm një numër i vogël titujsh pronësie. Ndërsa një numër bashkish ndonëse kanë nisur procesin, ende janë në fillim të tij.
Nëse ky afat nuk do të shtyhet, pra procesi nuk përfundon në rrugë administrative, përfituesit do të detyrohen t’i drejtohen organeve gjyqësore (kjo e drejtë është e parashikuar në ligj), por do të ketë më tepër kosto për ta. Me qëllim që t’ju vihet në ndihmë përfituesve, që të formalizojnë pronësinë e tyre dhe ta disponojnë atë ligjërisht, si dhe bazuar në volumin e punës që kanë kryer deri tani bashkitë, qeveria ka propozuar se afati i përfundimit të këtij procesi të jetë në datën 31 dhjetor 2017.
Procesi i vlerësimit të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, kryhet nga komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, pranë prefektëve të ҫdo qarku dhe mbikëqyret nga Komisioni Qeveritar i Tokës.
Shtetit i ngelen 158 hektarë
Nga raportimet e komisioneve vendore rezulton se gjatë gjithë veprimtarisë, deri më 31 dhjetor 2015, janë paraqitur 18 500 (tetëmbëdhjetë mijë e pesëqind) kërkesa nga qytetarët dhe institucionet shtetërore. Nga të cilat 10 065 (dhjetë mijë e gjashtëdhjetë e pesë) kërkesa janë mbyllur me përgjigje administrative dhe për 3 482 (tre mijë e katërqind e tetëdhjetë e dy) kërkesa janë marrë vendime administrative.
Rezulton se ka ende një numër shumë të madh kërkesash që duhet të shqyrtohen (rreth 5000). Komisionet vendore kanë marrë gjithsej 3 482 (tre mijë e katërqind e tetëdhjetë e dy) vendime, nga të cilat 1 507 (një mijë e pesëqind e shtatë) vendime për pavlefshmëri të titullit të pronësisë.
Sipërfaqja e trajtuar nga këto vendime është 1142,43 ha tokë bujqësore. Nga gjykata janë marrë gjithsej 332 (treqind e tridhjetë e dy) vendime të formës së prerë, që i korrespondon një sipërfaqeje tokë prej 158,55 ha dhe një fond financiar prej 7 090 391 lekë, të cilët kalojnë në pronësi të shtetit.
Rreth 75% e kërkesave të paraqitura në gjykatë për vendimet për pavlefshmëri të titujve të pronësisë, nuk janë shqyrtuar përfundimisht ende nga gjykatat e të gjitha shkallëve. Kjo kërkon që komisionet në vijim të ndjekin proceset gjyqësore, në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor. Për të trajtuar kërkesat e papërfunduara, me vendim administrativ, për të ndjekur volumin e madh të procedurës gjyqësore, për kërkesat e paraqitura në gjykatë, duke patur parasysh volumin e madh të punës me sistemin gjyqësor, si
dhe ankimet që paraqiten në lidhje me titujt e pronësisë që plotësojnë bashkitë, është propozuar që afati i përfundimit të këtij procesi të jetë në datën 31 dhjetor 2017.