Ekspertë botërorë: Të shtyhen Olimpiket e Rios
150 ekspertë të shëndetësisë kanë nënshkruar një letër të hapur në adresë të organizatorëve të Olimpikeve duke kërkuar shtyrjen e Lojërave të Rios për shkak të kërcënimit nga Zika.
Sigluesit përfshijnë zyrtarë nga mbi 24 vende, ndër të cilët drejtues ministrish të shëndetësisë, shkencëtarë, dhe lektorë. Ata e cilësojnë zhvillimin e Olimpikeve këtë verë një akt të papërgjegjshëm dhe joetik. Letra është nënshkruar edhe nga këshilltari mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, Dr. Philip Rubin.
Varianti i virusit Zika, që është përhapur në Brazil dëmton shëndetin në forma të papara në të kaluarën nga shkenca, thuhet në letër.
Virusi mendohet se shkakton defekte tek foshnjat gjatë shtatzanisë. Përveç kërcënimit për atletët dhe organizatorët, specialistët shprehin shqetësim edhe për mbi 500 mijë turistë që do të mblidhen në Brazil për të ndjekur garat olimpike që fillojnë në gusht.