Albspirit

Media/News/Publishing

KLSH hap letrat e Llallës

Kontrolli i Lartë i Shtetit hap letrat e kryeprokurorit Adriatik Llalla, për veprimtarinë financiare, gjatë vitit kalendarik 2015. Si rrallë ndonjëherë, institucioni më i lartë i kontrollit financiar në Shqipëri ka kontrolluar veprimtarinë ekonomike të institucionit qendror të akuzës, tek i cili referohen shkeljet dhe abuzimet me natyrë penale, të zyrtarëve të nivelit të lartë. Një grup prej tre adutituesish dhe një drejtuese, të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë zbarkuar për dy ditë me radhë në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme, për auditimin financiar të organit të akuzës.

Audituesit kanë kontrolluar veprimtarinë ekonomike nga data 5 deri në datën 7 Maji. Grupi përbëhej nga Mimoza Lloji, Melina Kabo, Hektor Kosova dhe Manjola Naço. Kjo e fundit ka monitoruar dhe drejtuar auditimin. Në bazë të planit të auditimit dhe konstatimeve, grupi i auditimit do të hartojë raportin përfundimtar ditët e para të muajit gusht. Paraprakisht mësohet se grupi i kontrollit ka konstatuar shkelje administrative, por edhe shkelje të natyrës penale, të cilat i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Gjithsesi, mbetet për t’u parë reflektimi i pasaktësive në pasqyrat financiare, i shkeljeve dhe abuzimeve, në raportin përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Kontroll ILDKP
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar veprimtarinë financiare të Inspektorit të Lartë Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për periudhën 01.01.2015 -31.12.2015. Grupi i audituesve i përbërë nga M. Kavaja, I. Idrizi, H. Kosova dhe M. Naço, kanë audituar veprimtarinë ekonomike të ILDKP që nga data 10 shkurt deri në 26 Prill. Pas kontrollit të degëve të saj, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbarkuar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Një grup kontrolli i përbërë nga F. Zilja, A. Kristo, Y. Stafa dhe I. Dervishi, me në krye Manjola Naço, kanë zbatuar në Ministrinë e Shëndetësisë që nga data 1 shkurt deri në datën 1 maji të 2006. Grupi i kontrollit kanë audituar veprimtarinë ekonomike për periudhën 01.01.2014 deri në 31.12.2015.

Bashkia Tiranë
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar veprimtarinë e Bashkisë së Tiranës, mbi zbatimin e përputhshmërisë dhe rregullshmërisë. Grupi i kontrollit përbëhej nga Ryisim Xhaja, Lolita Baholli, Taulant Dervishaj dhe Luljeta Nano. Auditimi ka nisur në datën 1 shkuar të 2016 dhe ka përfunduar në 25 shkurt. Në 20 maji, KLSH ka hartuar raportin përfundimtar mbi rezultatet e auditimit. Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e ka konsideruar këtë kontrollon si pjesë e sulmit të Presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha, ndaj Bashkisë së Tiranës. Sipas, Veliaj nishani ka mobilizuar Kontrollin e Lartë të Shtetit, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Shërbimin Informativ Shtetëror kundër Bashkisë së Tiranës. Gjithsesi, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim edhe në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e drejtuar më parë nga kryebashkiaku Veliaj.

Please follow and like us: