Albspirit

Media/News/Publishing

Rama ideatori, realizuesi dhe përfituesi i Kriminalizimit të PS

islami

Nga Prof. Dr. Kastriot Islami

Bërja transparente e vetëdeklarimeve të deputetëve të parlamentit shqiptar ka mundësuar publikun vendas dhe partnerët ndërkombëtarë të “prekin” nga afër dukurinë e kriminalizimit të parlamentit, pushtetit vendor dhe administratës publike.Në fakt ajo që duket është vetëm maja e ajsbergut, është pjesa e pambulueshme e një dukurie që ka vënë në rrezik të ardhmen demokratike të vendit. Në realitet, individët me rekorde kriminale, janë pjesa më e “dukshme” e dukurisë që ka çuar në një regjim solid të interesave të oligarkisë, madje gjykoj se ata janë edhe pjesa me e lehtë për tu çmontuar. Në një formë më të “maskuar” dhe vështirësisht të goditshme, oligarkia e konceptuar dhe realizuar nga Rama ka përfaqësuesit e saj në parlamentin shqiptar dhe në krye të bashkive e në përbërje të këshillave bashkiake përmes i) biznesmenëve që e kanë vënë pasurinë përmes zhvatjes së aseteve publike nga privatizimet, dhe përfitimit të fondeve publike apo koncesioneve e marrjes klienteliste të lejeve të ndërtimit; ii) manjatëve të medias që kanë ndërtuar perandoritë e tyre mediatike në një marrëdhënie te dyshimtë e të paligjshme politikë-biznes-media; iii) zyrtarëve të lartë në pozicione kyçë (dogana, tatime, zyra të privatizimit, zyra licencash, prokurorë, gjykatës…).

Koka e “oligarkisë” është Edi Rama…

Shqipëria është vend më regjim oligarkik. Ky regjim tashmë i konsoliduar pas zgjedhjeve të vitit 2013 ka filluar mesa duket të konceptohet para 16 vjetëve me vendosjen e Ramës në krye të bashkisë së Tiranës. Ka marrë formën e një projekti të realizueshëm para 11 vjetësh me vendosjen e Ramës në krye të PSSH. Është testuar para 7 vjetësh në zgjedhjet e 2009.Dhe është realizuar me “sukses” në zgjedhjet e 2013, para 3 vjetësh. Ky regjim i konsoliduar në cdo aspekt, si asnjëherë tjetër më parë, synon në vendosë nën kontroll edhe drejtësinë, përmes projektit të Ramës për reformën e drejtësisë. Nuk ka asnjë dyshim se “koka” e rregjimit të Oligarkisë në Shqipëri është Edi Rama dhe siç çdo regjim tjetër autoritar, i një pakice kleptokrate, nuk ka asnjë dyshim se ai s’do të mund të çrrënjoset pa larguar Edi Ramën dhe shpurën e tij të ngushtë. Kjo është arsyeja përse Shqipëria është në një udhëkryq të rrezikshëm, mes vazhdimit të rrugës së demokracisë perëndimore liberale dhe futjes në rrugën e një regjimi autoritar oligarkik, banditesk, kriminal… Ky është një rrezik real që artikulojnë partnerët tanë, ndoshta me një gjuhëdiplomatike apo si konkluzion analitik për dukurinë e “interesave të oligarkisë” që është bërë shqetësuese për shumë nga vendet ish komuniste të Europës Lindore dhe të Ballkanit.

Troç dhe qartë: Kriminalizimin e ka ideuar Edi Rama…

Rama dhe media e tij klienteliste, pas publikimit të vetëdeklarimeve të deputetëve, po përpiqen ta paraqesin situatën simetrike madje të krijojnë idenë se të gjithë forcat politike janë të prekura nga dukuria e kriminalizimit në mënyrë të njëjtë. Prej këndej duan të arrijnë në përfundimin se “gjithë kjo ishte një lojë e dështuar e opozitës” e cila siç thotë Rama “madje ra në gropën që hapi vetë” apo siç artikulojnë disa të tjerë nga “ky proces mbeti vetëm aspekti moral”. E vërteta është krejtësisht ndryshe.  Kriminalizimin e PS e ka ideuar Rama me një koncept të qartë: në jug PS është më e pranishme dhe mjaftojnë disa “oligarkë” për të siguruar fitoren “historike” apo për ta thelluar aty ku PD është dobët, kurse në veri, aty ku PD ka qenë historikisht më e fuqishme, apo në disa zona të saj tradicionale, do të duhet për të përmbysur rezultatin të“vishen me kostum politik”, pra të kandidohen, të “fortë” lokalë, individë me rekorde kriminale, individë që zotërojnë pasuri të dyshimta që mund ti vënë në dispozicion të blerjes së votave, zotërues të televizioneve lokale. E thënë më shkoqur: Në veri e në zonat e saj tradicionale do ta çmontojnë Berishën me “kriminelë të veshur me kostumin e deputetit dhe/ose të kryetarit të  bashkisë”.

Projektin e kriminalizimit të PS e ka zbatuar me fanatizëm vetë Rama…

Për të realizuar këtë ide Rama ka grumbulluar informacionin e nevojshëm duke shkuar në çdo zonë dhe duke biseduar vetë më secilin prej tyre. Ka bërë marrëveshjet përkatëse duke marrë direkt nga goja e tyre të gjithë informacionin për “bëmat”, pra për gjithçka sot është bërë publike e madje më shumë se kaq. Objeksioneve apo “shqetësimeve” të partnerëve Rama i është përgjigjur më dy opsione: i) në zgjedhjet e 2009 duke ju thënë se këta individë më duhen të përballoj Metën i cili po ashtu në veri ka vendosur individë të të njëjtit profil; ii) kurse për zgjedhjet e 2013, është përdorur argumenti se “këta individë më duhen përkohësisht për të çmontuar Berishën në zonat e tij tradicionale dhe në veri”.  Madje në rastet kur presioni nga partnerët ka qenë shumë i lartë për ndonjë individ,është marrë angazhimi se pas fitores së zgjedhjeve ai do të s’postohet. Analiza e rezultatit të zgjedhjeve të 2013, në nivel qendre votimi, komune/bashkie dhe rrethi e madje në ndonjë rast edhe qarku tregon qartë se cilët janë individët “oligarkë” (me rekorde kriminale, me pasuri të dyshimta, në zotërim të mediave lokale…) që kanë përcaktuar zgjerimin e fitores në veri dhe në zonat tradicionale të PD.

Përfituesi më i madh i kriminalzimit të PS është Edi Rama…

Në zgjedhjet e 2009, Rama testoi projektin e tij të kriminalizimit të PS, duke marrë vetëm 65 mandate, por mbi të gjitha duke mos arritur të garantonte suksesin maksimal në veri dhe në zonat tradicionale. Arsyeja ishte se i mungonte “aleanca e qelbësirave” por edhe sepse jo në të gjithë zonat e veriut kishte gjetur individët e duhur. Nga analiza e rezultatit të 2009, ai arriti në përfundimin se suksesi i projektit të tij varej nga disa faktorë: i) thellimi i spastrimit të PS nga njerëzit me kontribute, vlera e integritet për të krijuar më shumë hapësirë për individët me rekorde kriminale; ii) thellimi i projektit të kriminalizimit/oligarkizimit të PSSH dhe iii) realizimi i “aleancës së qelbësirave” duke kombinuar përpjekjet me aleatët për të “dërmuar” Berishën në veri dhe në zonat e tij tradicionale.  Qëllimi u arrit, “aleanca e qelbësirave” (e vetëpagëzuar e tillë) siguroi 83 mandate, dhe në veri e në zonat tradicionale “oligarkët, kriminelet, manjatët” arritën të siguronin një rezultat “spektakolar”, që në raportin e OSBE/ODHIR cilësohet si a) blerje e votave dhe b) intimidim (kërcënim) i votuesve. Rama do të bëhej kryeministër me një maxhorancë prej 83 mandatesh, duke rezultuar “përfituesi më i madh” i kriminalizimit të parlamentit, në fakt i shkon më mirë i ‘oligarkizimit të parlamentit”. Ky projekt do to të thellohej me zgjedhjet vendore të 2015 duke sfiduar edhe këshillat e ardhura nga SHBA.

…Merruni vetëm me ideatorin, rekrutuesin dhe përfituesin e kriminalizimit..

Shumë politikanë kanë rënë në kurthin e Ramës dhe të medias të tij klienteliste duke u marrë me vetëdeklarimet e deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiake… Rama e ka zhvendosur debatin për përgjegjësinë e tij për kriminalizimin e PSSH në simetrinë e kësaj dukurie, duke thënë se “edhe PD ka të tillë individë…”, madje duke thënë se “PD ra në gropën që hapi vetë”.  Sejmenë apo ‘kukulla” të Ramës në grupin parlamentar dhe “analistë” të klientelës oligarkike, duan po ashtu të zhvlerësojnë procesin e dekriminalizimit duke thënë që kjo ishte një lojë morale e opozitës. Ka vetëm një mënyrë për të mos rënë në këtë kurth.Të tregohet e vërteta. E vërteta është se ideatori, rekrutuesi, realizuesi dhe përfituesi më i madh i kriminalizimit të parlamentit dhe të bashkive të vendit është një dhe vetëm një, Edi Rama. Këtë e kam thënë prej disa kohësh por e konsideronin reagim personal ndaj Ramës. Këtë qëndrim e ka përvetësuar tashmë elita drejtuese opozitare. Aktualisht këtë qëndrim e kanë edhe shumë opozitarë racionale. Shumë socialistë të ndershëm, me kontribute, vlera e integritet. Po vjen dita që këtë qëndrim ta përqafojnë shumica e shqiptarëve. Jam i sigurtë se shumë shpejt Edi Ramën do të mbrojnë në marrëzitë e tij vetëm një grusht nga ata që kanë përfituar në mënyrë korruptive nga regjimi i tij… madje edhe shumë nga individët me rekorde kriminale do të hidhen prej tij si limonë të shtrydhur… ashtu siç ka ndodhur këto 3 vjet…

Please follow and like us: