Albspirit

Media/News/Publishing

Reagime ndaj vizitës së Obamës në Hiroshimë


Ndërkohë që mijëra vetë pritën me brohoritje vizitën e Presidentit Obama në Hiroshimë, ndaj tij pati edhe kritika si për faktin që nuk kërkoi ndjesë për bombën bërthamore, apo edhe për vetë simbolikën e mesazhit të vizitës. Ndërkaq, të mbijetuarit e sulmit bërthamor të vitit 1945 shprehin optimizëm se gjesti i presidentit amerikan do të jetë një hap në drejtimin e duhur.

Mijëra vetë pritën Presidentin Obama ndërsa mbërriti tek memoriali në përkujtim të shpërthimit bërthamor të vitit 1945 që shkatërroi pjesën më të madhe të qytetit të Hiroshimës. Ai shpjegoi pse vendosi të vizitonte këtë memorial si presidenti i parë amerikan.

“Qëndrojmë tani këtu dhe përpiqemi të imagjinojmë momentin kur ra bomba. Shtrëngohemi të parafytyrojmë tmerrin e fëmijëve. Të dëgjojmë të qarën e heshtur. Kujtojmë të gjithë të pafajshmit e vrarë në të gjitha luftërat.”

Megjithëse Presidenti Obama nuk kërkoi ndjesë për sulmin bërthamor, kandidati republikan Donald Trump e kritikoi vizitën e tij në Hiroshimë.

“Është për të ardhur keq. Udhëheqja që kemi në këtë vend është krejtësisht e paaftë dhe nuk dinë çfarë bëjnë. Ai ka shkuar në Hiroshima. Për sa kohë që nuk kërkon ndjesë, le të bëjë çfarë të dojë.”

Në mediat sociale pati shumë kritika nga Irani, për faktin që Presidenti Obama nuk i kërkoi ndjesë popullit japonez. Ndërsa në një editorial të ish-amabasadorit italian Roberto Toscano, lavdërohet gjesti i guximshëm i Presidentit Obama që është një vazhdimësi e përpjekjeve të tjera të tij, si arritja e një marrëveshjeje me Iranin për reduktimin e programit bërthamor, apo riafrimi me Kubën, një vend i vjetër armiqësor ndaj SHBA-së.

Ndërkaq të mbijetuarit e bombës bërthamore dhe familjarët e tyre shprehin mirënjohje që Presidenti Obama po rikthen në vëmendjen e botës çështjen e rrezikut të armëve bërthamore.

Megjithëse japonezët e mbijetuar janë të ndërgjegjshëm që tashmë ka shumë më tepër armë bërthamore në botë, ata shpresojnë se gjesti i Presidentit Obama do të jetë një hap drejt çarmatimit bërthamor.

Vetë presidenti Obama duket se e shfrytëzoi vizitën e fundit në Azi për të theksuar një mesazh paqeje dhe pajtimi me vende me të cilat Shtetet e Bashkuara kanë qenë më parë në konflikt, siç u bë e qartë edhe gjatë ndalesës së tij në Vjetnam.

Please follow and like us: