Kush ishte Kostandin Arianiti?
Kostandin Arianiti (1457-1531) ishte djali i sundimtarit shqiptar Gjergj Arianiti dhe trashëgimtar i titullit princëror. Në moshën 12 vjeçare pas vdekjes së Gjergjit, bashkë me të ëmën mori rrugën e mërgimit, u rrit në oborret princërore të Italisë dhe u bë zot i Monferratos, kapedan i Pizas në Itali. Më 1495 Kostandin Arianiti iu përgjigj thirrjes së krerëve të lëvizjes çlirimtare shqiptare dhe së bashku me Martin Firmanon organizuan një ekspeditë për t’u kthyer në Shqipëri. Ekspedita dështoi pa nisur, sepse Venediku ndërhyri me forcat e veta dhe e pengoi. Kostandin Arianiti u vu në dispozicion të perandorit Maksimilian që e emëroi zëvendës të përgjithshëm në Itali dhe e dërgoi ambasador në Romë. Më 1516 u emërua zot i Fanos në Italinë qendrore dhe vdiq po atje.