Albspirit

Media/News/Publishing

Mos-reformimi i sistemit të drejtësisë

brikena bogdo

Nga Brikena Bogdo

Kush e pengon reformimin e drejtësisë, apo më saktë, kush ka interes që, të mos reformohet? Përgjigja po qartësohet tashmë: Politika. A mundet, që kjo politikë e pareformuar, të dëshirojë realisht reformimin e sistemit të drejtësisë? Një sistem i reformuar, së pari është i pavarur. Politika shqiptare, e cila është krejtësisht e varur, nga korrupsioni, kërkon që këtë model, ta përçojë edhe tek pushtetet e tjera. Kur je i shitur, edhe tjetri dëshiron, të jetë i shitshëm. Kur je i blerë, kërkon që, edhe tjetri, të jetë i bleshëm. Kur je i varur, kërkon që, edhe tjetri, të jetë i varur.

Së pari, është e pamundur që një pushtet, i cili vetë nuk është i reformuar, të dëshirojë, apo të mund të reformojë një pushtet tjetër. Dhe së dyti, duke ia lënë politikës përgjegjësinë e një pushteti tjetër, automatikisht e ke vënë ndën një pushtet tjetër. Pra, është prishur balancimi dhe pavarsia e pushteteve, që është thelbi i republikave demokratike.

Përpara se, të hapim debatin e stërmadh, sistemi, apo individi, duhet të thellohemi edhe më tepër në gjykim. Dhe pyetja duhet të fillojë: – Cili është koncepti i reformimit, në të gjithë pushtetet shqiptare? Më pas, shndërrohet në eminente, vendosja e individëve të duhur, për të zgjedhur sistemet e duhura. Qeveria amerikane ka insistuar, pikërisht tek sistemi i drejtësisë, por nëpërmjet politikës, pra nëpërmjet një rruge, krejt të gabuar. Në sistemin e drejtësisë, ajo ka synuar forcimin e shtetit ligjor, zvogëlimin e korrupsionit dhe rritjen e mbikqyrjes nga publiku. Për të reformuar sistemin e drejtësisë, qeveria amerikane ka perceptuar dy rrugë, së pari, mbikqyrjen e publikut dhe së dyti, krijimin e gjykatave të specializuara.

Gjykata Administrative, për të cilën SHBA-të luftuan fort, është një gjykatë e specializuar që, gjykon çështje gjyqësore administrative, të cilat kanë të bëjnë me ankesat ndaj institucioneve publike (kjo, me sa duket, ishte arsyeja përse u pengua aq shumë, kalimi në parlament i kësaj gjykate, deri në djegien e fondeve të qeverisë amerikane, asokohe). Tashmë, e dimë historikun e gjykatës administrative, se si rrodhën ngjarjet. Ajo u keqpërdor nga politika, për kapital politik. U dogjën miliona dollarëe fonde, të qeverisë amerikane, vetëm që gjykata administrative, të mos ishte kapital politik i maxhorancës së atëhershme. Në po të njëjtën situatë, maxhoranca e sotme kërkon përfitim politik, duke ndëruar rolet me opozitën, e cila kërkon me çdo kusht, t’a pengojë atë. Politika shqiptare, shikon vetëm interesin politik, jo atë publik, aq më tepër atë juridik.

Gjykatat e specializuara janë thelbi i sistemeve të fuqishme gjyqësore dhe i shteteve demokratike. Gjykatat e specializuara, me sa duket, do të jenë thelbi antikorrupsion, në një sistem drejtësie, aq të përfolur, sa ai i joni. Gjykata Administrative, ngritur pas shumë pengesash dhe shkopinjsh ndën rrota, vënë nga politika, ndërkohë , ka një sukses të padiskutueshëm.

Sistemi gjerman i drejtësisë është një nga sistemet më të suksesshme europiane, që operon me gjykata të specializuara. Sistemi gjerman ka një nivel shumë të ulët korrupsioni. Ata kanë kuptuar se, infrastruktura efikase mundëson, edhe zbatime ligjore efikase të ligjit. Infrastrukturë e duhur, për zbatueshmërinë e duhur. Në Gjermani, gjykatat e specializuara ishin infrastruktura efikase për të realizuar pavarsinë e gjyqësorit. Pas pavarsimit të gjyqësorit, reformimi i saj është një hap lehtësisht i arritshëm.

Shqipërisë kjo i volitet, më së shumti, gjyqsori, të pavarësohet nga politika. Në sistemet e fuqishme gjyqsore, në shtete të fuqishme si p.sh, në Gjermani, jo vetëm nuk diskutohet varësia e gjyqësorit nga politika, por ata duan pavarësi edhe Brenda, përbrenda gjyqësorit, apo krijimin e shumë gjykatave të specializuara, të specifikuara dhe të profilizuara për fusha të ndryshme. Në Gjermani, krahas gjykatave të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë, funksionojnë edhe pesë gjykata të larta, ajo e punës, ajo ekonomike, financiare, dhe e përgjithshme.

Por, edhe sistemet më të fuqishme dhe efikase do të dështonin, nëse nuk do të zbatohej nga individët e duhur. Tre janë pikat më të rëndësishme për gjyqtarët, stazhi, kërkesat e forta në përzgjedhje dhe kontrolli i vendimeve të tij. Të treja, ne i kemi që në ligj, e deri në zbatim, krejt difektoze që, i hapin rrugë korrupsionit. Por, ajo që që i ka hapur rrugën korrupsionit, në të gjithë sistemin gjyqësor, janë vendimet joligjore. Ajo që ndërkombëtarët kritikojnë fort, tek sistemi yne i drejtësisë, është kontrolli shumë i dobët i vendimeve gjyqësore. Për këtë, juristët hedhin ide që,  duhet një komision, i cili të kontrollojë, në mënyrë shumë të rreptë, vendimet gjyqësore.

Në vende me gjyqësor të forte, si në Gjermani është pkërisht, kontrolli i fortë tek arsyetimet e vendimeve. Kjo ndarje në kohë, midis vendimit për një çështje dhe arsyetimit të tij, ka sjellë spekullime, siç në fakt, ka ndodhur me shumë vendime gjyqësore. Vendimet, me zbardhje në hark kohor, i hapin rrugë abuzimeve. Dimë rastin e gjyqtarit, që vonoi një vit zbardhjen e vendimit dhe ndërkohë u krye një krim tjetër nga i dënuari. Edhe në rastin më të mire, si tek Gjykata Kushtetuese, ku diferenca kohore, nga vendimi, në zbardhjen e tij, është tre muaj, gjithsesi ky hark kohor është i kontestuar nga juristë me zë, të cilët arsyetojnë se, kjo diferencë në kohë, iu hap rrugën abuzimeve.

Jurisprudenca njeh faktin që, vendimi juridik nuk preket, por mendimi juridik, po. Në Shqipëri, po ndodh që, edhe vendimi i formës së prerë, të preket, si shkak e pasojë e korrupsionit.   Ndërkohë që sistemi ka rezultuar krejt i paralizuar. Edhe nëse, kanë rezultuar shkelje, apo vendime të padrejta, nga gjyqtarët, ata kanë shkuar, në prokurori dhe më pas në parlament, duke e mbyllur çështjen.

Sigurisht problem është dhe zgjedhja e gjyqtarëve të cilët duhet të kalojnë të gjitha shkallët e gjyqësorit, për të arritur në sferat më të larta të tij. Në Shqipëri, ka patur raste, që janë emëruar gyqtarët nga shkalla e pare, direkt në shkallën e lartë. Në Austri, emërohet gjyqtari, në Gjykatën Kushtetuese, pasi ka mbaruar mandatin në Gjykatën e Lartë. Këtë pjesë, kaq të rëndësishme, ne nuk e kemi të përcaktuar në ligj. Në sisteme të fuqishme, zgjedhja e gjyqtarit është nga më të rëndësishmet dhe nga më të vështirat. Figura e tij vlerësohet, jo vetëm në rafshin professional, por edhe atë personal, duke u vëzhguar me imtësi, pjesë të karakterit dhe personalitetit të tij. Për përzgjedhjen e këtij gjyqtari, gjermanët kanë përcaktuar 40 pika, ku përfshihen familja, formimi, deri edhe mundësia e një sëmundje psikike, apo rezultatet e tij. Amerika ka përdorur formën më demokratike, në zgjedhjen e gjyqtarëve. Ata zgjidhen ,direkt nga populli.

Në Shqipëri, aktualisht, i gjithë diskutimi i nxehtë ndërpalësh, nuk mbështetet në faktin, kush është si personalitet, funksionari i drejtësisë, por kush do ta zgjedhë, dhe me sa përqind të kartonave të politikës, do të zgjidhet ai. Por, mbi të gjitha, lufta konsiston se, nga cili krah politik vjen ai. Që nga ky moment, reformimi i drejtësisë është një “dështim i paralajmëruar”. Cilët janë faktorët që, na vonojnë drejt një gjyqsori funksional? Si do të shmanget korrupsioni, në sistemin e drejtësisë? Ende nuk shohim nisma konkrete, për të shmangur korrupsionin, në këtë sistem, përveç, trajtimit politik të tij. Politika shqiptare, prej 20 vitesh, pengon reformimin e sistemit të drejtësisë. Kjo do të jetë edhe trendi në të ardhmen, përsa kohë do t’i lihet politikës shqiptare, reformimi i një pushteti tjetër, konkurrues me të dhe aq më tepër, kontrollues i saj.

Këtu, duhet të hyjë në lojë koncepti i më të mirëve, koncept i domosdoshëm demokratik, i deformuar në shoqërinë shqiptare. Pushteti funksionon, vetëm nëse, ai është i aftë që, të zgjedhë më të mirët. Në të kundërt, zbrazet, humbet sensin, shndërrohet në një barrë për zgjedhësit dhe në pëlqim, vetëm për militantët, siç ndodh aktualisht, në ambjentin shqiptar. Por, si shoqëria civile mund të imponojë zgjedhjen e më të mirëve? Kjo është pyetje, që ende, mbetet rebus i shoqërisë shqiptare..

 

Please follow and like us: