NATO e bashkuar dhe e vendosur në sfidat ndaj sigurisë globale
Në ditën e dytë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po mbahet në Tiranë, diskutimet kryesore u përqëndruan në çështjet e sigurisë.
Fokusi kryesor i diskutimeve në Komisionin e Mbrojtjes dhe Sigurise ishte siguria globale, por edhe ajo në Ballkan. Një rëndësi të madhe iu kushtua edhe rolit të NATO-s në Afganistan, ku dhe Shqipëria ka kontribuuar duke dërguar trupa. Një tjetër çështje diskutimi ishte zbatimi i rekomandimeve të dala nga Samiti i Uellsit, si dhe përgatitja për Samitin që do të mbahet në Varshavë. Një tjetër çështje ishte ajo e Ukrainës, ku i’u kushtua një rëndësi e lartë mbështetjes që NATO duhet të ketë ndaj këtij shteti. Po ashtu, u diskutua për kapacitetet e NATO-s dhe rritjen e rolit detar të saj.
Por kryetema ishte lufta ndaj terrorizmit, sidomos ndaj ISIS, ku u bisedua për masat në luftën ndaj tyre.
Ajo që u vlerësua nga diskutuesit ishte se Shqipëria është e angazhuar në të gjitha sfidat që ka sot NATO, siç janë kërcënimi i Rusisë në Lindje, kriza e emigrantëve, por edhe lufta ndaj terrorizmit dhe ISIS. Për të qenë në hapin e aleatëve, vendi ynë po përshpejton për të krijuar një qendër ekselence të NATO-s në Shqipëri, e cila do të shërbejë për të rritur aftësinë e vendit tonë për të përballuar këto sfida.
Mbajtja e kësaj asambleje 2 vjet pas Samitit të Uellsit dhe vetëm 6 javë përpara Samitit të Varshavës, bën që kjo Asamble të ketë një rëndësi të madhe.
Duket e largët koha kur në përputhje me Deklaratën e Samitit të Lisbonës, e cila njohu partneritetin strategjik të NATO-s me Rusinë, NATO rriti bashkëpunimin me Federatën Ruse, duke përfshirë këtu edhe fushën e mbrojtjes raketore. Por tashmë panorama botërore ka ndryshuar nga ajo e dy viteve më parë, kur Rusia duke thyer çdo marrëveshje e traktat ndërkombëtar aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë, si dhe vijon ende sot aktivitete të vazhdueshme shtrënguese përreth Ukrainës.
Lëvizja e NATO-s u vendos në Samitin e Uellsit, kur 2 vjet më parë u vendos që Aleanca të kalojë në gatishmëri të lartë sa i përket kufirit të saj lindor, duke u mbrojtur kështu nga një krizë tjetër në republikat Balltike në Letoni, Lituani apo Estoni. Për këtë është drejt përfundimit dislokimi i trupave në bazat e Polonisë, ku NATO ka kaluar tashmë në nivelin e lartë të gatishmërisë dhe trupat shqiptare, spanjolle, polake dhe britanike vetëm një javë më parë, gjatë stërvitjes “Brilliant Jump 2016″ treguan se kanë aftësinë e duhur për t’i bërë ballë çdo krize të mundshme.
Në këtë aspekt, Shqipëria ka treguar se është një vend i angazhuar në zgjidhjen e kësaj krize, ku siç është theksuar gati dy javë më parë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndaj Rusisë do të vijohet me dy rrugë, hapje për dialog, por edhe demonstrim i forcës duke mos u mbrapsur aspak nga kufijtë lindor të Aleancës.
Një tjetër pikë që u prek gjatë Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s ishte lufta ndaj terrorizmit, kur që prej Pranverës Arabe, u lind ajo që sot quhet ‘Shteti Islamik”, si edhe grupe të tjera terroriste, të furnizuar nga fenomeni i luftëtarëve të huaj në të gjithë botën. Goditjet që terrorizmi ka dhënë në Turqi disa herë, por edhe në zemër të Europës, në Paris dhe Bruksel, kanë bërë që vendet e Aleancës të rrisin gatishmërinë e tyre ndaj këtij kërcënimi, që në disa aspekte mund të jetë edhe më kërcënues sesa kriza me Rusinë.
Kjo ka bërë që shtetet pas disa viteve, kur kishin lënë mënjanë shpenzimet për mbrojtjen, të rikthehen të investojnë për sigurinë, madje duke detyruar Aleancën që të vërë një limit prej 2% të PPB që çdo shtet duhet ta ketë për të investuar për mbrojtjen. Madje SHBA ka kërkuar që shpenzimet të katërfishohen.
Por terrorizmi, përveç frikës dhe vuajtjeve që ka mbjellë në shoqëritë e Europës ka sjellë edhe një tjetër efekt anësor dhe ky ka qenë kriza e emigrantëve, që janë dyndur në Europë, duke tentuar të ikin nga lufta dhe dhuna.
Për të gjitha këto sfida, që NATO përpiqet t’u japë zgjidhje, sigurisht në bashkëpunim me BE-në dhe institucione të tjera, nuk mund të jenë të dështuara, pasi kjo do të sillte copëzim të unitetit në kontinentin evropian.
Prandaj në këtë aspekt, një rëndësi të madhe ka edhe stabiliteti rajonal mes vendeve të Ballkanit. Por vetëm një Ballkan i integruar në strukturat ndërkombëtare si NATO apo BE mund të jetë një rajon i stabilizuar dhe i sigurtë.
Pikërisht mbështetja që i bëri në këtë aspekt anëtarësimit të Malit e Zi drejt NATO-s, shkon në këtë drejtim. Po ashtu edhe dje edhe sot u nënvizua nga përfaqësuesit shqiptarë se vendi ynë nuk do të aplikojë politika bllokuese sa i përket anëtarësimit të vendeve të rajonit në NATO.
Asambleja Parlamentare e NATO-s, që nga krijimi i saj në vitin 1955, u siguron anëtarëve të saj mundësinë që të debatojnë çështjet politike dhe të sigurisë së Aleancës dhe të ndikojnë në marrjen e vendimeve që lidhen me të ardhmen e saj.
Asambleja Parlamentare e NATO-s kontribuon në çështjet kryesore që kanë të bëjnë me sigurinë e zonës Euro-Atlantike dhe ndihmon në kontrollin më eficent nga parlamentet kombëtare të institucioneve që kanë të bëjnë më mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare.