Albspirit

Media/News/Publishing

Pas Karlo Bolinos, Koço Kokëdhima sulmon edhe Mero Bazen

Pas Karlo Bolinos, Koço Kokëdhima sulmon edhe Mero Bazen

Pasi humbi mandatin e deputeti, Koço Kokëdhima ka nisur një sulm frontal ndaj disa njerëzve më të afërt të kryeministrit Edi Rama, por që janë edhe kundërshtarë të tij.

Pasi dy ditë më parë sulmoi botuesin e shqiptarja.com, Karlo Bolinon, këtë herë Kokëdhima ka sulmuar botuesit e Temës, Mero Bazen.

Kokëdhima reagoi pas një shkrimi në gazetën Tema se humbja e kandidates Adelina Janollari (Stefani) për t’u zgjedhur kryetare e PS-së së Përmetit, ishte një përgjigje e elektoratit të majtë për Kokëdhimën.

Por ndërsa ndaj Bolinos lëshoi akuza të rënda duke e cilësuar si intrigant dhe mashtrues, Kokëdhima ka përdorur një gjuhë diplomatike ndaj Bazes.

“Mero Baze nuk është një raportues i paanshëm. Ai është i përfshirë në përplasjet e brendshme për influenca e rivalitet në shumicën e majtë. Shumë publikime të tij janë zgjatim i këtyre përplasjeve ne media. Dje, ai shkroi se dështimi i votimit për të zgjedhur Adelina Janollarin (Stefani), kryetare të Partisë Socialiste në Përmet, ishte një “përgjigje” kundër “kandidaturës së Kokëdhimës”. Ky është tërësisht një spekulim”, ka deklaruar Kokëdhima.

Më tej ai ka vënë në dukje se zgjedhjet në Përmet ishin dështimi i paralajmëruar i një votimi

“Përtej faktit që Adelina është një zonjë dhe socialiste shumë e nderuar, dështimi i votimit për të ishte i paralajmëruar. Tridhjetë nga pesëdhjetë e katër anëtarë të Asamblesë Socialiste të bashkisë së Përmetit, ju drejtuan me një letër Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë në datën 21 maj 2016, ku kërkonin që të lejoheshin të konkurronin përmes votës të tre kandidaturat e përzgjedhura në datën 13 maj 2016, nga kryesia e Qarkut Gjirokastër. Refuzimi i kandidaturës së Adelinës në votim besoj se erdhi edhe si pasojë e mosmarrjes në konsideratë të kësaj kërkese dhe e ndikimit të dy kandidatëve që nuk u përfshinë në votim. Refuzimi i një kandidature përmes votës nuk është një mesazh “kundër Kokëdhimës” dhe as një lajm i keq për partinë. Pa dyshim që ky proces mund të ishte përgatitur më me kujdes”, përfundon në reagimin e tij Kokëdhima.

Please follow and like us: