Albspirit

Media/News/Publishing

PD ashpërson gjuhën: Pas Fred Kobures dhe Elisës së Traut, Rama përdor Nusen e Partisë

Partia Demokratike ka ashpërsuar gjuhën ndaj deputetëve dhe disa përfaqësuesve të Partisë Socialiste që ditët e fundit kanë dalë në deklarata për shtyp për të akuzuar opozitën se në radhët e saj ka deputetë që kapen nga ligji për dekriminalizimin.

Reagimet e forta të PD kanë nisur pas deklaratave të deputetit Alfred Peza dhe ish –drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali. Sot reagimi ishte për një deklaratë të bërë nga depuetja Olta Xhaçka. Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të deputetes së PS dhe reagimin e PD

Deklarata e Olta Xhaçkës

Për muaj me radhë, Lulzim Basha e Sali Berisha hodhën baltë e akuzuan mazhorancën se paska patur 19 kriminelë në grupin e saj parlamentar, por tani që u bënë deklarimet, jo vetëm që 19 kriminelët dolën imagjinarë, por rezulton se të dënuarit me burg janë në radhët e Partisë Demokratike.

Lulzim Basha e Sali Berisha, të dy bashkë, nuk thonë asnjë fjalë.

Nuk guxojnë të flasin as për Flamur Nokën që ka bërë deklarim të rremë duke u bërë subjekt i ligjit të dekriminalizimit, as për Alban Zenelin, deputetin e dënuar dy herë me burgim, e as për Arben Ristanin, sekretarin e tyre të përgjithshëm i cili rezulton i dënuar me të paktën 5 muaj burg për veprime antikushtetuese.

Pyetja është: A do thotë ndonjë fjale Basha e Berisha për deputetët e tyre të dënuar? Nëse për Bashen e Berishën çdo qytetar është i barabartë përpara ligjit, duhet të paktën ta thonë një fjalë e të dënojnë deputetët e tyre që rezultojnë të inkriminuar. Në të kundërt, askush nuk mund t’i besojë se dekriminalizimi për ta ka qenë një përpjekje e sinqertë për të pastruar parlamentin nga të ashtuquajturit njerëz me të shkuar kriminale.

Në të kundërt, konferencat e tyre për shtyp janë thjesht një farsë që synojnë të baltosin këdo e t’i bëjnë pis të gjithë në një përpjekje për të fshehur të vërtetat për veten e tyre, që mesa duket po ua mësojnë edhe të tjerët.

Reagimi i PD

Pas Fred Kobures së Partisë, dhe Elisës së Traut të Ngritur, radha për të bërë gargarë me jargët e shefit i erdhi Oltës, nuses së Partisë.

Nusja e partisë u keqpërdor sot nga Rama për të vënë shenja barazimi mes veprave të rënda kriminale dhe krimeve çnjerëzore të banditëve të rilindjes, me një arratisje nga Shqipëria e Ramizit dhe një aksident rrugor të 24 viteve më parë.

Eshtë qesharake se si Edi Rama mendon të fshehë banditët e tij, duke u kapur pas fijes së kashtës.

Vetëm pak ditë më parë ai katapultoi në krye të PS në Kavajë të dënuarin për drogë e trafiqe Gentjan Daja, i cili iku nga posti i Drejtorit Rajonal të Transportit në Tiranë sepse e kapte ligji i dekriminalizimit.

Por kjo tashmë është normë në partinë e Shullazit dhe Habilajve. Eshtë kthyer normë në partinë e Ndokës, Bardhit, Bushit, Roshit, Cubit, Frrokut, Prengës.

Edi Rama është lidhur prej kërthize me të gjithë të inkriminuarit e tij. Ai nuk ka as vullnetin dhe as dëshirën të ndahet nga ta. Ndaj jargavit pengje pa personalitet kundër opozitës, sepse mendon të legjitimojë kësisoj vendimin e tij për të mos dorëzuar tutorët, banditët, trafikantët, vrasësit.

Por e ka kot. Dekriminalizimi do të bëhet. Republika do të pastrohet nga krimi dhe politikanët që e promovuan atë. Shteti do u kthehet qytetarëve.

Please follow and like us: