Plas sherri/ Kokëdhima “Ju rrëfej intrigantin Karlo Bolino”
Koço Kokëdhima dhe Karlo Bolino dikur kanë qenë miq dhe partnerë. Ata kanë pasur së bashku në pronësi Tv A1 Report. Por që kur vendosën të ndajnë biznesin të dy mbështetësit mediatikë të Edi Ramës nuk lënë rast pa shigjetuar njëri tjetrin.
Gazeta Shqiptarja.com e ironizoi dy ditë më parë Kokëdhimën se nuk është “kthjelluar Koço Koëdhimën që të pranojë humbjen e mandatit të tij”. E përditshmja i referohej një përgjigjeje që ish deputeti i Vlorës u kish dhënë gazetarëve lokalë:
“Unë vazhdoj të jem deputet, që ju ta keni të qartë këtë gjë dhe do të vazhdoj që të vij këtu gjithë kohës dhe të punoj, jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë qarkun e Vlorës, në të gjithë zonën ku kam nisur punë. Do të vazhdoj të punoj edhe në të ardhmen, pranë qytetarëve dhe krah për krah me kolegët dhe bashkëpunëtorët e mi”.
Por akuza më e rëndë nuk ka qenë kjo. Gazeta e Bolinos e ka akuzuar Koçon edhe për mbështetjen e një ish të denuari si kandidat për postin e kreut të PS në Himarë.
“Procesi i dekriminalizimit nuk e ka penguar koordinatorin e Jugut, Koço Kokëdhima të kandidojë, si kandidat të vetëm në garën për kreun e PS-së, në Himarë, një person të dënuar. Shqiptarja.com ka siguruar një vendim të Gjykatës së Lartë, në të cilin ai rezulton si i dënuar për moskallëzim krimi, pasi ishte arrestuar në flagrancë në një grup individësh që po trafikonin kanabis sativa në Greqi. Ilia ose Ilir Gjicali është dënuar me vendim të formës së prerë në 29 shtator 2007 me 19 muaj e gjysmë burgim për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë” njoftonte gazeta.
Por Kokëdhima është përgjigjur menjëherë nga gazeta e tij Shekulli duke e etiketuar Bolinon si intrigant që shpërdoron informacionin. Ai ka mohuar të ketë një lidhje speciale me Gjicalin.
” Jam informuar mbrëmë për një publikim që bënë mbrëmë mediat e Bolinos, ku e paraqesin Ilir Gjicalin si njeriun tim, si të përzgjedhurin tim dhe si njeriun që është mbrojtur me zjarr dhe me këmbëngulje nga unë në kryesinë e PS-së së Shqipërisë. Së pari, dëshiroj të them se Bolino është një gazetar perëndimor, ka përvojë punë në “Ansa” dhe ndoshta edhe në gazeta të tjera në tregun e shtypit italian dhe e di mjaft mirë se të shpërndash intriga, spekulime dhe mashtrime është një mëkat jo i vogël për njerëzit që bëjnë media. Fakti që Bolino, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera, merret me intriga dhe shpërndan informacione tërësisht të pavërteta, tregon se ai është i motivuar në interesa për t’u përfshirë në këto intriga dhe shpifje. Gjicali si qytetar është i imi aq sa është i Nishanit, sa është i Ramës, sa është i Metës, aq sa është i Berishës, aq sa është i çdo shqiptari tjetër. Si socialist, Gjicali është i imi aq sa është i Ramës, sa është i Rucit, sa është i çdo socialisti dhe drejtuesi të PS-së tjetër” ka thënë Koço në intervistën e botuar nga Shekulli.