Requiem: “Trëndafilja e kokoshkave”
“Gratë e bossave të këtyre kompanive, të kenë para, që të blejnë plackën e tyre të zemrës pa teklif edhe për të mbajtur me para dhe dhurata, edhe ndonjë dashnor hamshor, kur burri bos, lëpin ndonjë studente, nga ato të jetës së natës”….
Nga Artur Zheji
Është kjo e Zonjës Trëndafile, një histori e dhimbshme. Një histori mjerimi që ka tronditur Shqipërinë. Në këtë dramë të zezë, të një njeriu të këputur, që merr kokra misri dhe bën kokoshka, për tu ushqyer, ashtu si mund të ushqehesh nga të ardhurat e kokoshkave, bien në sy sëpaku pesë gjëra:
E para, varfëria therrëse bërtet dhe loton me të madhe, në këtë vend mjeran. Dhe nuk pamë përshembull asnjë deputet, të asnjë force politike, të cajë kokën për të, qoftë edhe me ndonjë shënim dhimsurie në Fb, duke krruar qoftë edhe bythën nga ana tjetër.
E dyta. Në këtë vend,në Shqipëri pra, policia dhe ndërhyrja e shpejtë e saj, është bërë shumë më eficiente se sa mjekësia dhe shëndetësia dhe urgjencat e saja shkatarraqe dhe pise, sa më ska.
Për të të sekuestruar kokoshkat, shitur paturpsisht, pa faturë tatimore, e keqja të ndodh për 5 minuta. Kur e keqja të vjen, nga shëndeti, kequshqyerja, jeta e poshtër qenshe, apo stresi dhe ankthi që vjen nga pyetja se cfarë do të hamë nesër, duhet ti lutesh Zotit, që të jetë i mëshirshëm. Sepse shteti është duke dremitur me 5 yje!
E treta. Zonja Trëndafile Aliko, nënë e 4 fëmijëve, (shumë fëmijë do të thonë ca, dhe pse, a është koha për 4 fëmijë në ditë të sotme, do të thonë ca të tjerë (?!), zonja Trëndafile pra, është një taksapaguese e “keqe” dhe për këtë i rrëmbyen karrocën e kokoshkave. Zonja Trëndafile nuk e di, sepse, si qytetare e pandërgjegjshme që është, se edhe qindarkat e saja, që duhet të derdhen në arkën e shtetit, i duhen kryeministrit.
I duhen për Reformat e tij të Mëdha, që thirren ndryshe edhe “Koncesione”! Nuk ka rëndësi , që këto koncesione, kanë për qëllim kryesor, trashjen e dhjamit të disa kompanive të mëdha, të cilat në kohë zgjedhjesh, fryjnë zarfa dhe ja cojnë partisë në fushatë.
Dhe që, gratë e bossave të këtyre kompanive, të kenë para, euro apo paund, që të blejnë plackën e tyre të zemrës pa teklif. Canta 7000 eurshe, këpucë 500 eurshe, vetura 80.000 eurshe, botokse, trajtime në beauty center, udhëtime të shtrenjta në biznes class, e pse jo, edhe për të mbajtur me para dhe dhurata, edhe ndonjë dashnor hamshor, kur burri bos, lëpin ndonjë studente, nga ato të jetës së natës.
Zonja Trëndafile Aliko, duhet të presë kupon tatimor për kokoshkat e saja, se shteti ka nevojë për para! Ata që mjelin shtetin, kanë nevojë për më shumë. Gjithmonë e më shumë.
E katërta, Zonja Trëndafile Aliko, që jeton në Periudhën e Rilindjes, duhet të kontribuojë, që ministrat, drejtorët, rrethi i tyre, të luftojë mërzinë që buron nga jeta e tyre e ngjeshur dhe halleshumë e shtetndërtimit. Sepse vërtet Zonja Trëndafile Aliko, bën kokoshka dhe evadon fiskun pa pikë turpi, por ajo, në thelb është fatlume! Mbasi shet të përbrendshmet e karrocës së saj magjike, Trëndafilja, ja fut gjumit dhe nuk pyet për hallet e kombit!
Nga mundet ta dijë Zonja Trëndafile, se, ata, ministrat, drejtorët, stafet e tyre të parfumuara, jetojnë me stres 24 orë në ditë?
A e di Zonja Trëndafile, se sa e vështirë është sot, të gjesh kompani të besueshme dhe banka të besueshme off shore, ku të mund të fshehësh paratë e fituara (vjedhura)?
Jo Zonja Trëndafile nuk ka si ta dijë këtë! Ajo nuk mund ta dijë se sa e vështirë është bërë sot, të kesh besim te tjetri!
Ajo nuk e di se sa e vështirë është sot, të fshehësh me sukses paranë e shkretë, nga gruaja, nga komshinjtë, nga shefat, nga gjobaxhinjtë, nga prokurorët, nga tatimorët, nga spiunat e huaj, nga ambasadat, nga kjo botë e poshtër, që merret me carjen e trapit të pasanikëve të mjerë!
Trëndafilja ja fut gjumit dhe mund ta harrojë edhe derën hapur dhe të mos e rrezikojë asgjë! Dhe ka edhe guximin të mos paguajë taksat! Për të cilat të gjithë këta, kanë nevojë, se shpenzimet po rriten!
Gucci, Armani, Valentino, Mercedes Benz, Range Rover, Porsche, janë cmendur fare dhe vetëm rrisin cmimet!
Prandaj, paguaj Trëndafile!
Edhe ju Hasanë, Hysenë, Karafilë, Vjollca, Mimoza, Rruzhdie, Safete!… Qoftë me kokoshka, qoftë me qofte e panine, apo me patate, domate, hudhra, spinaq, mollë, speca, me punime druri apo hekuri, bojaxhinj, muratorë, kazmaxhinj, elektricistë, shërbëtorë e shërbëtore, fshesaxhinj apo varrmihës, ju që gërmoni për të mbjellë apo kacavirreni për të vjelë, ju që ngisni autobuzin apo që shërbeni kafen, ju që ngjizni dhe ngjizeni, pa u menduar dy herë dhe pillni skllevër, ju që hani supë dhe që nuk dini se cfarë është salmoni, sushi, havjari i kuq dhe havjari i zi, ju që pini ujë dhe dhallë dhe nuk dini se cfarë është vera Brunello apo se cfarë është lëngu i Perëndive, Gaya….
Paguani! Se po bëjmë Shtet!
E pesta. Zonja Trëndafile ka tërhequr vëmendje dhe dhimbje të popullit më të ri on line. Popull i ndjeshëm ky, që e bekoftë Zoti! Kjo kuptohet nga interesi i jashtëzakonshëm që ka ngjallur rrëfimi plot lotë i Zonjës Trëndafile.
Është kjo një gjë e bukur, si një trëndafil që cel në Kënetë!
Por a mjafton vallë?