SHBA, shtohet entuziazmi për Partinë Libertariane
Qindra delegatë nga Partia Libertariane e Shteteve të Bashkuara janë mbledhur për të zgjedhur një kandidat presidencial sot, i cili të konkurrojë me kandidatin republikan dhe atë demokrat në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Vota do të hidhet gjatë kuvendit katër ditësh në Orlando të Floridës.
Pakënaqësia që kanë një pjesë e mirë e elektoratit amerikan me kandidatët që duket se do të dalin nga dy kampet kryesore: Donald Trump nga republikanët dhe Hillary Clinton nga demokratët, e ka shtuar entuziazmin për Partinë Libertariane, e cila në të kaluarën ka dalë shumë dobët në zgjedhjet kombëtare.
Ish-guvernatori i Nju Meksikos Gary Johnson është ndër pretendentët kryesorë për të marrë emërimin e partisë në një garë me 18 konkurrentë.
Partia Libertariane gëzon mbështetje nga shumë biznese të mëdha amerikane dhe merr financim të konsiderueshëm prej tyre, pasi në pikëpamjet e saj mbështet një sistem ku kontrolli qeveritar është minimal, ku pagat caktohen nga tregu pa imponuar nga qeveria një pagë mininale, dhe shumë shërbime që sot ofrohen nga shteti do të rregulloheshin në një sistem libertarian nga tregu i lirë.